Të fundit | Titull i pabazuar për mundësinë e kandidimit të Gërvallës për presidente Të fundit | Titulli nuk e sqaron se bëhet fjalë për kallëzim penal dhe kërkesë individu… Të fundit | Trumpi s’e ka kërcënuar Serbinë me bombardim për Kosovën, videot janë gjene… Të fundit | Pretendim i pabazë për ndërlidhje të Haradinajt me projekte në Beograd Të fundit | Deklaratat e përsëritura të Kurtit për gazin amerikan paraqiten në mënyrë ç… Të fundit | Ndërtimi i narrativave serbe për Kosovën përmes deklaratave të një ministre… Të fundit | Narrativa të vjetra, pretendime të reja: Si u ringjall teoria e “izraelizim… Të fundit | Titulli lë të kuptohet se lirimi i Thaçit me kusht është i sigurt Të fundit | Raporti monitorues i keqinformimit për muajin qershor 2026 Të fundit | Imazhet dhe videot e manipuluara që qarkulluan gjatë Botërorit 2026
[ ARTIKULLI ]

NATO nuk tha se Kosova nuk u ftua në Samitin e Ankarasë për shkak të rrezikimit të sigurisë së rajonit

ETRIT REXHEPI

VERDIKTI YNË

CLICKBAIT

Në këtë titull lihet të kuptohet se NATO e justifikoi mosftesën e Kosovës me nevojën për të mos rrezikuar sigurinë e rajonit.

Publikohet një artikull i titulluar “NATO tregon pse nuk u ftua Kosova në Samitin e Ankarasë: S’lejojmë të rrezikohet siguria e rajonit”.

Tekstet me këtë titull janë publikuar të hënën (29 qershor) nga disa media në gjuhën shqipe (shih këtu, këtu, këtu, këtu, këtu dhe këtu).

Këto përmbajtje u publikuan edhe në faqet e këtyre mediave në Facebook (shih këtu, këtu, këtu, këtu dhe këtu).

Çka nuk shkon me titullin?

Në këtë titull lihet të kuptohet se NATO e justifikoi mosftesën e Kosovës me nevojën për të mos rrezikuar sigurinë e rajonit.

Sipas fjalorit të Kembrixhit, dy pikat përdoren për të prezantuar lista, për të treguar një nëntitull ose ndarje të një teme, për të prezantuar citate të drejtpërdrejta dhe përdoret midis dy fjalish, kur fjalia e dytë shpjegon fjalinë e parë (shih më shumë).

Në këtë rast, dy pikat janë përdorur sepse fjalia e dytë përmban arsyen dhe shpjegimin e plotë të pjesës së parë. Pjesa e parë premton se do të tregohet një “pse”, dhe pjesa e dytë (pas dy pikave) jep pikërisht atë “pse”.

Hibrid.info verifikoi përmbajtjen e artikullit dhe konstatoi se Kosova nuk ishte ftuar në këtë ngjarje, pasi programi i Samitit përfshinte takimin e krerëve të shteteve dhe qeverive të NATO-s, si dhe angazhime me partnerë të përzgjedhur të Aleancës, përfshirë Ukrainën, Bashkimin Evropian, vendet e Indo-Paqësorit dhe Iniciativën e Bashkëpunimit të Stambollit. Programi parashihte gjithashtu zhvillimin e Forumit të Samitit të NATO-s për Industrinë e Mbrojtjes.

Citati nga teksti:

Programi do të përfshijë një takim të 32 Krerëve të Shteteve dhe Qeverive të NATO-s, si dhe angazhime me disa nga partnerët tanë, përfshirë nga Ukraina, Bashkimi Evropian, Indo-Paqësori dhe Iniciativa e Bashkëpunimit të Stambollit. Gjithashtu do të organizojmë Forumin e Samitit të NATO-s për Industrinë e Mbrojtjes, i cili do të përfshijë liderë të industrisë nga e gjithë Aleanca

Hibrid.info kontrolloi pjesën tjetër të artikullit dhe gjeti se deklarata “S’lejojmë të rrezikohet siguria e rajonit” lidhet me një citim të një zyrtari të NATO-s, i cili flet në mënyrë të përgjithshme për rëndësinë strategjike të Ballkanit Perëndimor dhe përkushtimin e Aleancës për stabilitetin e rajonit, duke theksuar se nuk do të lejohet krijimi i një boshllëku sigurie.

Megjithatë, në tekst kjo deklaratë nuk jepet si arsye specifike për mosftesën e Kosovës në Samit, por si pjesë e një konteksti më të gjerë mbi politikat e NATO-s në rajon.

Citati i plotë i deklaratës nga titulli

“Ballkani Perëndimor mbetet lart në axhendën e NATO-s. Është një rajon me rëndësi strategjike për Aleancën. Angazhimi ynë për stabilitetin e rajonit është i palëkundur dhe nuk do të lejojmë të krijohet një boshllëk sigurie.KFOR-i vazhdon të luajë një rol krucial në sigurinë në Kosovë, nën një mandat të gjatë të OKB-së; dhe ne vazhdojmë të punojmë ngushtë me partnerët tanë ndërkombëtarë, veçanërisht me BE-në. NATO gjithashtu vazhdon të mbështesë Operacionin Althea të udhëhequr nga BE në Bosnjë dhe Hercegovinë, përmes Marrëveshjeve Berlin Plus. Ne i bëjmë të gjitha këto për të siguruar që paqja në rajon të mbrohet, sepse siguria e Ballkanit Perëndimor është jetike edhe për ne, dhe nuk do të lejojmë që ajo të rrezikohet”

Hibrid.info gjeti gjithashtu një postim (25 qershor) në faqen në Facebook në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës si sqarim për arsyet e mospjesëmarrjes së Kosovës në Samitin e NATO-s në Ankara.

Në postim thuhet se Kosova nuk merr pjesë në Samitet e NATO-s si shtet pjesëmarrës, sepse nuk është anëtare e Aleancës dhe nuk është pjesë e Programit për Partneritet për Paqe. Ai thekson se samitet janë takime të 32 shteteve anëtare dhe se ftesa për partnerë bëhet vetëm në raste të veçanta varësisht nga agjenda, ku në rastin e samitit në Ankara janë ftuar vetëm disa partnerë të caktuar.

Postimi i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës:

“Sqarim lidhur me raportimet për Samitin e NATO-s

Për të sqaruar keqkuptimet dhe pasaktësitë e ngritura nga disa portale, theksojmë se Republika e Kosovës nuk merr pjesë në Samitet e NATO-s në cilësinë e shtetit pjesëmarrës, pasi nuk është shtet anëtar i Aleancës dhe aktualisht nuk është pjesë e Programit të Partneritetit për Paqe (Partnership for Peace – PfP).

Samitet e NATO-s janë takime të krerëve të shteteve dhe qeverive të 32 vendeve anëtare të Aleancës. Në raste të veçanta, në varësi të agjendës së samitit, ftesë mund të marrin edhe partnerë të NATO-s. Në samitin që do të mbahet në Ankara, përveç vendeve anëtare, ftesë kanë pranuar partnerët e NATO-s në kuadër të Indo-Pacific Four (IP4) – Japonia, Koreja e Jugut, Australia dhe Zelanda e Re – si dhe Ukraina, në cilësinë e partnerit të NATO-s.

Republika e Kosovës deri më tani nuk ka marrë pjesë në një Samit të NATO-s si shtet pjesëmarrës. Pjesëmarrja e Kosovës në të kaluarën ka qenë në kuadër të aktivitetit “Women, Peace and Security” (Gratë, Paqja dhe Siguria), të organizuar nga Departamenti i Shtetit i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në margjinat e Samitit të NATO-s. Ky aktivitet ishte një ngjarje e veçantë, e organizuar paralelisht me samitin, dhe nuk përbënte pjesëmarrje në vetë Samitin e NATO-s.

Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar për thellimin e bashkëpunimit me NATO-n dhe shtetet anëtare të saj, si dhe për avancimin e aspiratës së saj strategjike për anëtarësim të plotë në Aleancë.”

Samiti i Ankarasë 2026

Samiti do të mbahet më 7 dhe 8 korrik 2026 në Ankara, Turqi, në Kompleksin Presidencial Beştepe (T.C. Cumhurbaşkanlığı Külliyesi). Ky është samiti i 36-të i Aleancës dhe i dyti që organizohet në Turqi (pas atij të Stambollit në vitin 2004).

Samiti pason vendimet e marra në samitin e vitit 2025 në Hagë. Temat kryesore pritet të përfshijnë planet e mbrojtjes dhe parandalimit, ndarjen e barrës financiare (përfshirë ecurinë drejt objektivave të shpenzimeve të mbrojtjes), mbështetjen e mëtejshme për Ukrainën dhe rritjen e kapaciteteve të industrisë së mbrojtjes.

Analiza:

Titulli e paraqet pretendimin se NATO e ka arsyetuar mosftesën e Kosovës në Samitin e Ankarasë me rrezikimin e sigurisë së rajonit.

Deklarata për sigurinë e rajonit ishte një qëndrim i përgjithshëm mbi rolin e NATO-s në Ballkanin Perëndimor dhe u vendos në titull pas dy pikave, duke krijuar një ndërlidhje të pasaktë shkak-pasojë me mosftesën e Kosovës.

Andaj, bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Clickbait” dhe “Manipulim i fakteve”.

Arsyetimi

“Clickbait” vlerësohen ato përmbajtje informative titulli i të cilave është përgjithësues dhe nuk bënë të ditur vendndodhjen e ngjarjes, kontekstin dhe relevancën. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e audiencës me tituj sensacionalë me pasojë çorientuese, që nuk e qartësojnë saktësisht përmbajtjen e artikullit. Titujt “clickbait” bëhen kryesisht për të tërhequr lexueshmëri në rastin e publikimeve mediatike dhe/ose për të fituar nga klikimet në rastet e publikimeve komerciale.

Vlerësimin si “Manipulim i fakteve” marrin ato përmbajtje informative që përdorin fakte të njohura si të sakta, por i interpretojnë ato në mënyrë të shtrembëruara. Këto raporte zakonisht përdorin informacion të saktë për të nxjerrë përfundime ose pretendime të pasakta, duke drejtuar kështu përfundimet e konsumatorëve të përmbajtjes së mediave në drejtim të gabuar në lidhje me kuptimin aktual të fakteve të paraqitura.

Raporto

Na ndihmoni të përmirësojmë duke na raportuar problemet ose sugjerimet tuaja

0 / minimum 10 karaktere