Të fundit | Ibri dhe Ujmani si instrument i luftës hibride Të fundit | Si mediat serbe po ndërtojnë narrativa të paqena rreth filmit “Dua” Të fundit | Pretendohet pa fakte se Kurti ka dy emra jopartiakë për president Të fundit | Renditja e Shqipërisë në NCSI nuk nënkupton se vendi është i pari në botë p… Të fundit | Manipulohet përmes nxjerrjes nga konteksti deklarata e Kurtit për Gjykatën… Të fundit | Imazhi që pretendon një takim mes Time Kadrijajt dhe Skender Llugiqit është… Të fundit | Narrativat serbe pas optimizimit gradual të KFOR-it tek ura e Ibrit dhe man… Të fundit | Videoja e aksidentit në Turqi publikohet si ngjarje në Skenderaj Të fundit | Farage pretendoi pasaktë se Suedia dërgon të burgosurit e huaj në Kosovë Të fundit | “Hahaganda” – humori si keqinformim
[ ARTIKULLI ]

Deklaratat e përsëritura të Kurtit për gazin amerikan paraqiten në mënyrë çorientuese si një ndryshim i qëndrimit të tij

ETRIT REXHEPI

VERDIKTI YNË

CLICKBAIT

Kurti nuk ka ndryshuar qëndrim ndaj mënyrës së kyçjes në gazin amerikan.

Janë publikuar artikuj të titulluar dhe me mbishkrime “‘Dorëzohet’ Kurti: Po shqyrtojmë mundësinë për të përdorur gazin e SHBA’së” dhe “Kurti hap derën për gazin amerikan: Po e shqyrtojmë mundësinë”.

Artikuj me këto dy tituj janë publikuar të mërkurën (15 korrik) nga disa media (këtu, këtu, këtu, këtu, këtu, këtu dhe këtu).

Të dy këta titujt lënë të kuptohet se Kurti ka ndryshuar qëndrimin e tij ndaj përdorimit të gazit amerikan.

Por, cila është e vërteta?

Përmbajtjet e artikujve kanë raportuar deklarimin e Albin Kurtit, kryeministrit në detyrë, pa përmendur ndonjë ndryshim të qëndrimit të mëparshëm.

Hibrid.info ka hulumtuar për të gjetur se cili ishte qëndrimi i kreut të Qeverisë në detyrë, në raport me gazin amerikan. Bazuar në një trajtim të mëhershëm, u gjet se ftesa ndaj Kosovës, për të iu bashkuar projektit amerikan, erdhi nga e ngarkuara me punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA-së) në Kosovë, Anu Prattipati (shih këtu).

Prattipati në një editorial të publikuar më 4 qershor, për rrugën drejt sigurisë energjetike dhe partneritetit afatgjatë me Amerikën, kishte shkruar se Kosova nuk po arrin t’i përmbushë kërkesat në rritje për furnizim me energji.

Ajo ishte shprehur qartë se Kosova do të duhej t’i bashkohej projekteve amerikane të gazit natyror të planifikuara nëpër Ballkan sepse kjo do të përbënte edhe një lidhje tjetër në partneritetin ekonomik në rritje ndërmjet ShBA-së dhe Kosovës.

Diplomatja amerikane çoi mesazh se Kosova duhet të veprojë shpejt për të realizuar këtë partneritet sepse ndërtimi i infrastrukturës së nevojshme do të kërkojë kohë.

Duke marrë parasysh debatet e shkaktuara në opinion nga kjo thirrje, hibrid.info kontrolloi për të gjetur një përgjigjë të mundshme të ekzekutivit të vendit, ndaj kësaj thirrjeje.

Nw hulumtim u gjet se dy ditë më vonë, në një intervistë për Radio Televizionin e Kosovës (RTK), i pyetur për propozimin e Prattipatit, Kurti tha se vizioni i Qeverisë është që Kosova të bashkëpunojë me Shqipërinë për terminalin e gazit të lëngshëm në Vlorë. Ai u shpreh se nuk ka nevojë që infrastruktura e tillë të ndërtohet në Kosovë, pasi gazi i importuar në terminalin e Vlorës mund të shndërrohet në energji elektrike dhe të dërgohet në Kosovë përmes linjës së interkoneksionit prej 400 kV me Shqipërinë (shih këtu).

Citati i drejtpërdrejtë i Kurtit më 6 qershor:

Tash ju e keni parasysh që ne kemi një bashkëpunim me Shqipërinë, me Albanian Power Exchange Alpex dhe ne dëshirojmë që gjithnjë më shumë të jemi të integruar në aspektin elektroenergjetik në Republikën e Shqipërisë. Prandaj, vizioni ynë është që ne të bëhemi bashkë me Shqipërinë në terminalin e gazit të lëngshëm në Vlorë. Pra, Republika e Kosovës ka gatishmëri, që të investojë në terminalin në Vlorë dhe paramendoni një situatë ku për shembull ne kemi një përqindje të aksioneve si Republikë e Kosovës në terminalin në Vlorë dhe aty mund të vijë gazi i lëngshëm prej jashtë, të shndërrohet në energji elektrike dhe me interkoneksionin prej 400 KV, që e kemi ne me Shqipërinë, ta sjellim tek ne. Nuk kemi nevojë ta sjellim në Kosovë. Ne e sjellim në Vlorë dhe nga Vlora e marrim, ku terminali në Vlorë mund të jetë një vend ku Shqipëria dhe Kosova janë bashkë sa i përket gazit të lëngshëm, i cili importohet, vjen nga jashtë.”

Ndonëse ky qëndrim ishte përsëritur dhe sqaruar edhe nga Artane Rizvanolli, ministre në detyrë e Ekonomisë, e cila kishte deklaruar se Qeveria në detyrë e Kosovës nuk është kundër gazit amerikan (shih këtu), propozimi i Kurtit për përfshirjen e Kosovës në terminalin e gazit të lëngshëm në Vlorë ishte interpretuar nga disa media si kundërshtim ndaj gazit amerikan (shih këtu, këtu dhe këtu).

Për të gjetur nëse kemi të bëjmjë me ndryshim të qëndrimit të Kurtit, ashtu siç paraqitet në titujt dhe mbishkrimet e përmbajtjeve të analizuara në këtë trajtim, hibrid.info kontrolloi pjesën tjetër të artikujve. Në brendësi të teksteve sqarohet se Kurti ka bërë të ditur se vendi po shqyrton mundësinë e përdorimit të gazit të lëngëzuar nga ShBA, përmes një bashkëpunimi me Shqipërinë në termocentralin e Vlorës. Një gjë e tillë konfirmohet edhe nga video-materiali i shkëputur nga fjalimi gjatë ceremonisë së vendosjes së gurthemelit për ndërtimin e parkut solar me kapacitet prej 105 megavatësh, në Kramovik të Rahovecit (shih këtu).

Çka do të thotë se deklarata e Kurtit nuk paraqet një ndryshim të qëndrimit ndaj gazit amerikan, por një qëndrim të Qeverisë për mënyrën se si Kosova mund të përfshihet në përdorimin e këtij burimi energjetik, përmes bashkëpunimit me Shqipërinë dhe terminalit në Vlorë.

Titujt që sugjerojnë se Kurti është “dorëzuar” ose se e ka “hapur derën” për gazin amerikan krijojnë përshtypjen e një kthesë politike në qëndrimin e tij, ndonëse deklarata e tij i referohet një mundësie që ishte diskutuar edhe më herët dhe nuk përmban ndryshim të qëndrimit mbi politikën energjetike.

Analiza:

Titujt dhe mbishkrimet e artikujve krijojnë përshtypjen se Albin Kurti ka ndryshuar qëndrim ndaj përdorimit të gazit amerikan, duke e paraqitur deklaratën e tij si një “dorëzim” apo si një hap të ri drejt pranimit të kësaj mundësie.

Megjithatë, përmbajtja e artikujve tregon se Kurti nuk ka bërë ndryshim të qëndrimit të mëparshëm, por ka përsëritur se Kosova po shqyrton mundësinë e përdorimit të gazit të lëngëzuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes bashkëpunimit me Shqipërinë dhe terminalit të gazit në Vlorë.

Qëndrimi i tij lidhet me mënyrën se si Kosova mund të përfshihet në këtë projekt energjetik dhe jo me një ndryshim të konfirmuar të politikës së mëparshme.

Andaj, bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info përmbajtjet me këta tituj dhe mbishkrime, i vlerëson si “Clickbait”.

Arsyetimi:

“Clickbait” vlerësohen ato përmbajtje informative titulli i të cilave është përgjithësues dhe nuk bënë të ditur vendndodhjen e ngjarjes, kontekstin dhe relevancën. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e audiencës me tituj sensacionalë me pasojë çorientuese, që nuk e qartësojnë saktësisht përmbajtjen e artikullit. Titujt “clickbait” bëhen kryesisht për të tërhequr lexueshmëri në rastin e publikimeve mediatike dhe/ose për të fituar nga klikimet në rastet e publikimeve komerciale.

Raporto

Na ndihmoni të përmirësojmë duke na raportuar problemet ose sugjerimet tuaja

0 / minimum 10 karaktere