info@hibrid.info
Ndryshohet deklarata e Kurtit, ai tha se nuk sheh zell për zgjedhje
shape
shape
shape

Shkroi: Fatbardh Dema

Mediumi online “Kosova-sot.info” të mërkurën (25 shkurt) në faqen zyrtare në Facebook “Kosova Sot” ka publikuar një përmbajtje me pretendimin se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar: “Le ta dinë të gjithë se nëse duhet me shku në zgjedhje ne si Vetëvendosje jemi të përgatitur cep më cep”.

Çka nuk shkon me këtë pretendim?

Pas klikimit në vegëzën e artikullit, në përmbajtje nuk paraqitet një deklaratë e tillë nga Kurti.

Në përmbajtje paraqitet një deklaratë ndryshe nga ajo që pretendohet në përshkrimin e postimit në Facebook. Në artikull citohet Kurti duke thënë: “Nuk shoh zell për zgjedhje të reja”.


Kurti ditë më parë zhvilloi takime me kreun e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza dhe me atë të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku. Gjatë këtyre takimeve, sipas raportimeve, u diskutua mes tjerash edhe çështja e presidentit. (shih këtu dhe këtu)

Pas takimit me Abdixhikun, Kurti dha deklaratë për mediat.

Ai deklaroi se zgjedhjet e reja nuk i dëshiron as Lëvizja Vetëvendosje, partia që ai drejton, dhe se kjo përbën një pikë të përbashkët me dy partitë e tjera të mëdha (PDK dhe LDK).

Pjesë nga deklarata e Kurtit:

“Ajo çka më bën optimist është konstruktiviteti i atmosferës në këto takime. Fakti që e kuptojmë plotësisht njëri-tjetrin dhe në të njëjtën kohë që nuk shoh zell, gatishmëri… natyrisht që ne në politikë edhe shkojmë nëpër fushata të reja, sepse këtë punë bëjmë. Por nuk shoh zell për zgjedhje të reja. Pra, gatishmëria natyrisht që ekziston, edhe te PDK-ja, edhe te LDK-ja. Nëse duhet me shku në zgjedhje, edhe Vetëvendosja, ne shkojmë në zgjedhje të reja, por zell për zgjedhje të reja nuk shoh dhe kjo është gjithashtu një e përbashkët që e kemi dhe këto elemente më bëjnë optimist që në këto ditët e pakta të mbetura do të mund të gjejmë zgjidhje”, u shpreh Kurti. (shih këtu)


Hibrid.info kërkoi në Google me fjalët kyçe “Albin Kurti: Le ta dinë të gjithë se nëse duhet me shku në zgjedhje ne si Vetëvendosje jemi të përgatitur cep më cep”, por në rezultatet e shfaqura nuk u gjet asnjë artikull tjetër që e përmban këtë deklaratë, përveç atij të publikuar nga faqja “Kosova Sot” në Facebook. (shih këtu)

Pse trajtohet kjo përmbajtje?

Deri në shkrimin e këtij artikulli, përmbajtja e publikuar nga faqja “Kosova Sot” në Facebook, ka arritur të grumbullojë 80 reagime e 117 komente. Ndërsa bazuar në komentet e lexuesve vërehet se shumica prej tyre e kanë marrë këtë përmbajtje si të vërtetë. (shih këtu)


Analiza

Mediumi online “Kosova-sot.info” ka publikuar në Facebook një pretendim se kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka deklaruar: “Le ta dinë të gjithë se nëse duhet me shku në zgjedhje ne si Vetëvendosje jemi të përgatitur cep më cep”.

Megjithatë, pas verifikimit klikimit në vegëzën e artikullit, rezulton se një deklaratë e tillë nuk gjendet në përmbajtje. Në tekst citohet një deklaratë tjetër e Kurtit, ku ai thotë se “nuk shoh zell për zgjedhje të reja”, duke theksuar se as LVV, as PDK dhe as LDK nuk shfaqin gatishmëri apo dëshirë për zgjedhje të reja, ndonëse janë të përgatitura nëse ato mbahen.

Kërkimi në Google me fjalët kyçe të deklaratës së pretenduar nuk nxori asnjë burim tjetër përveç postimit të faqes “Kosova Sot” në Facebook.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Dezinformatë” dhe “Clickbait”.

Arsyetimi

Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.

“Clickbait” vlerësohen ato përmbajtje informative titulli i të cilave është përgjithësues dhe nuk bënë të ditur vendndodhjen e ngjarjes, kontekstin dhe relevancën. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e audiencës me tituj sensacionalë me pasojë çorientuese, që nuk e qartësojnë saktësisht përmbajtjen e artikullit. Titujt “clickbait” bëhen kryesisht për të tërhequr lexueshmëri në rastin e publikimeve mediatike dhe/ose për të fituar nga klikimet në rastet e publikimeve komerciale.

Share With Others

Leave a Reply