Në median sociale Facebook, faqja “Gazeta Minuti” ka publikuar të hënën (4 maj) një postim me titull “ZYRTARE| PDK dhe LDK arrijnë koalicion”.
Në seksionin e komenteve të këtij postimi, është shpërndarë edhe artikulli përkatës i publikuar në ueb-faqen “nminut.info”.

Çka nuk shkon me këtë titull?
Pasi të klikohet në vegëzën e artikullit, vërehet se titulli nuk përputhet me përmbajtjen, pasi është i përgjithshëm dhe nuk e specifikon nivelin e marrëveshjes. Në tekst sqarohet se bëhet fjalë vetëm për koalicion në Prishtinë, ndërsa titulli lë të kuptohet se kemi të bëjmë me një marrëveshje mes këtyre dy subjekteve politike që shtrihet në nivel vendi.
Çka përmban artikulli?
Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Uran Ismaili, të hënën (4 maj) në një intervistë në emisionin Pressing në T7, konfirmoi arritjen e koalicionit me Lidhjen Demokratike të Kosovës për qeverisjen në Prishtinë (shih këtu).
Mirëpo, të martën (5 maj) LDK në një komunikatë për media ka demantuar deklaratën e Ismailit, se nuk ka asnjë marrëveshje me PDK-në dhe asnjë parti tjetër politike në Prishtinë për bashkëqeverisje (shih këtu)
Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Albulena Haxhiu, më 30 prill e ka shpallur 7 qershorin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve të reja të parakohshme parlamentare (shih këtu).
Duke pasur parasysh se zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë caktuar të mbahen më 7 qershor, titulli i vendosur nga “Gazeta Minuti” lë të kuptohet se koalicioni mes këtyre dy partive lidhet pikërisht me këto zgjedhje. Kjo vërehet edhe në seksionin e komenteve në këtë përmbajtje, ku shumica e komentuesve e kanë interpretuar këtë koalicion si të shtrirë në nivel vendi (shih këtu).
Rreth faqes “Gazeta Minuti” në Facebook
Hibrid.info ka trajtuar disa përmbajtje të publikuara nga kjo faqe në Facebook. Po ashtu, një analizë më e thellë e bërë rreth kësaj faqe paraqet se “Gazeta Minuti” publikon përmbajtje në Facebook dhe në ueb-faqen “nminut.info” dhe “gazetaminuti.info” pa ofruar transparencë për pronësinë apo kontaktet; megjithëse në “About Us” përmendet si themelues Arbnor Buzhala, këto të dhëna nuk verifikohen, domaini i deklaruar nuk përputhet me përmbajtjen dhe nuk figuron si biznes i regjistruar në ARBK, duke ngritur dyshime për besueshmërinë e saj.
Lexo këtu analizën e plotë rreth faqes “Gazeta Minuti”.
Përmbajtja e publikuar nga “Gazeta Minuti”, është shpërndarë edhe nga disa faqe tjera në si “Lajme”, “M1-TV” dhe në grupin në Facebook me emrin “VETËVENDOSJE!”.
Analiza
Një postim në Facebook me titull “ZYRTARE| PDK dhe LDK arrijnë koalicion” paraqet një informacion që nuk përputhet me përmbajtjen e artikullit. Titulli është i përgjithshëm dhe nuk specifikon se bëhet fjalë vetëm për koalicion në Prishtinë, duke lënë të kuptohet se bëhet fjalë për marrëveshje në nivel vendi.
Në përmbajtje sqarohet se koalicioni lidhet vetëm me qeverisjen lokale në Prishtinë. Megjithatë, duke qenë se vendi është në prag të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 7 qershorit, ky formulim ka ndikuar që një pjesë e lexuesve ta interpretojnë si koalicion të mundshëm në nivel qendror, çka është vërejtur edhe në seksionin e komenteve të postimit.
Megjithatë, LDK ka mohuar se ka arritur marrëveshje me PDK-në për bashkëqeverisje në Prishtinë.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Clickbait”.
Arsyetimi
“Clickbait” vlerësohen ato përmbajtje informative titulli i të cilave është përgjithësues dhe nuk bënë të ditur vendndodhjen e ngjarjes, kontekstin dhe relevancën. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e audiencës me tituj sensacionalë me pasojë çorientuese, që nuk e qartësojnë saktësisht përmbajtjen e artikullit. Titujt “clickbait” bëhen kryesisht për të tërhequr lexueshmëri në rastin e publikimeve mediatike dhe/ose për të fituar nga klikimet në rastet e publikimeve komerciale.