[email protected]
Jo, Ura e Ibrit nuk është hapur
shape
shape
shape

“Hapet Ura e Ibrit” është mbishkrimi i vendosur në ballinën e një videoje të publikuar nga kanali “NTV Televizion” në YouTube.

Videoja u publikua dje (11 shtator).

Çka nuk shkon me këtë mbishkrim?

Pretendimi i cekur në ballinën e videos nuk qëndron. Ura kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë nuk është hapur dhe nuk ka vendim zyrtar për hapjen e saj.


Vegëza e video-materialit:

https://archive.is/3w8X6

Në ballinën e videos është e vendosur edhe një fotografi e presidentes Vjosa Osmani.

Video-materiali përmban kronika televizive me lajme dhe ngjarje që lidhen me Kosovën. Aty përmbajtja e parë, që mban titullin “HAPJA E URES SE IBRIT”, nuk paraqet asnjë njoftim i cili tregon se është marrë vendim për hapjen e urës në fjalë. (shih fotografinë më poshtë)


Hibrid.info ka vërtetuar se përmbajtja që dëgjohet në kronikën e parë të videos me titull: “Kosova | Lajmet më të fundit – NTV” është marrë nga një artikull i mediumit “albanianpost.com” me titull: “BE-ja e demanton Osmanin: Ne ende insistojmë që hapja e urës të diskutohet në dialog”.

Për dallim nga shkrimi i portalit, në audio janë hequr burimet.

Pra artikulli nuk thotë se ura është hapur, por bëhet fjalë për qëndrimin e Bashkimit Evropian që për hapjen e urës të diskutohet në dialog.

Hibrid.info ka kryer një hulumtim edhe përmes motorit të kërkimit “Google”, duke përdorur fjalët kyçe “hapet ura e ibrit”. Sipas rezultateve të këtij kërkimi, nuk është gjetur asnjë konfirmim se vendimi për hapjen e urës është marrë (shih këtu).

Kontekst:

Më 8 gusht nisi testimi i sigurisë statike të Urës mbi Ibër pasi Qeveria njoftoi për planin për hapjen e saj. Serbët lokalë protestuan e bashkësia ndërkombëtare kërkoi hapjen e saj pas marrëveshjes në dialog. Forcat e KFOR-it vazhdojnë të patrullojnë mbi urë.

Se ura nuk është hapur shihet edhe në videon e publikuar nga kryeministri Albin Kurti më 10 shtator në Facebook. Aty vërehen forcat e KFOR-it mbi urë dhe bllokadat që ndalojnë qarkullimin e veturave (Video: 03:14)


Nuk është hera e parë që ky kanal në YouTube përdor ballina të tilla të videove. Hibrid.info ka trajtuar një rast të tillë edhe në fund të muajit gusht (shih këtu).


Analiza:

Pretendimi se është marrë vendimi për hapjen e Urës së Ibrit është i pasaktë.

Videoja që në ballinë mban shkrimin “Hapet Ura e Ibrit” nuk ka të përfshirë njoftim zyrtar për hapjen e urës.

Edhe një kërkim në Google me fjalët “hapet ura e Ibrit” nuk gjeti asnjë artikull që do ta konfirmonte një vendim të tillë.

Andaj, bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Dezinformatë” dhe “Clickbait”.

Arsyetimi:

“Clickbait” vlerësohen ato përmbajtje informative titulli i të cilave është përgjithësues dhe nuk bënë të ditur vendndodhjen e ngjarjes, kontekstin dhe relevancën. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e audiencës me tituj sensacionalë me pasojë çorientuese, që nuk e qartësojnë saktësisht përmbajtjen e artikullit. Titujt “clickbait” bëhen kryesisht për të tërhequr lexueshmëri në rastin e publikimeve mediatike dhe/ose për të fituar nga klikimet në rastet e publikimeve komerciale.

Share With Others

Translate »