Në median sociale Facebook po qarkullon një përmbajtje me pretendimin se nga data 7 shtator, qytetarët nga Shqipëria nuk mund të hyjnë në Kosovë pa pasaportë.
Përmbajtja u gjet e publikuar më 5 shtator nga faqja “Fshati Duhël Therandë” dhe më 7 shtator nga llogaria “Arbër Hoxha”.

Çka nuk shkon me këtë pretendim?
Në dokumentet zyrtare të publikuara nga institucionet e Kosovës nuk është gjetur ndonjë njoftim apo vendim që përcakton se nga 7 shtatori 2026 shtetasit e Shqipërisë duhet të posedojnë pasaportë për të hyrë në Kosovë.
FAKTET
Sipas rregullave dhe marrëveshjeve në fuqi, shtetasit shqiptarë mund të udhëtojnë në Kosovë me letërnjoftim të vlefshëm, pa qenë e nevojshme të kenë pasaportë.
Kosova ka ratifikuar në vitin 2023 marrëveshjen për lëvizjen e lirë me letërnjoftime në Ballkanin Perëndimor. Ligji për ratifikimin e kësaj marrëveshjeje është publikuar në Gazetën Zyrtare më 15 mars 2023 (shih këtu).
Po ashtu, Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës, në udhëzuesin për shtetasit e huaj, të publikuar më 16 janar 2026, përcakton rregullat për hyrjen dhe qëndrimin në Kosovë. Dokumenti kërkon që shtetasi i huaj të posedojë dokument të vlefshëm udhëtimi, por ky rregull duhet lexuar në përputhje me marrëveshjet ndërkombëtare në fuqi, përfshirë marrëveshjen për lëvizjen me letërnjoftime (shih këtu).
Po ashtu, kërkimi në “Google” në lidhje me këtë pretendim, në mediat e Kosovës dhe të Shqipërisë nuk ka nxjerrë ndonjë raportim të besueshëm që konfirmon ndryshimin e rregullave të hyrjes në Kosovë për shtetasit shqiptarë nga 7 shtatori 2026 (shih këtu).
Pse trajtohet kjo përmbajtje?
Përmbajtja e publikuar nga faqja “Fshati Duhël Therandë”, deri në shkrimin e këtij artikulli ka grumbulluar 130 reagime, 235 komente dhe 7 shpërndarje. Ndërsa ajo e publikuar nga llogaria “Arbër Hoxha” ka grumbulluar 44 reagime, 36 komente dhe 4 shpërndarje.
Në seksionin e komenteve, vërehet se disa nga lexuesit e kanë marrë këtë përmbajtje si të vërtetë.
Analiza
Një pretendim i publikuar në Facebook se nga 7 shtatori 2026 shtetasit e Shqipërisë nuk mund të hyjnë në Kosovë pa pasaportë, është i pavërtetë.
Rregullat dhe marrëveshjet në fuqi u lejojnë shtetasve shqiptarë të udhëtojnë në Kosovë me letërnjoftim të vlefshëm. Po ashtu, nuk është gjetur ndonjë vendim zyrtar apo raportim i besueshëm mediatik që konfirmon ndryshimin e këtyre rregullave nga 7 shtatori.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “lajm i rremë”.
Arsyetimi
Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato përmbajtje informative që janë tërësish të sajuara apo të cilat në vete përmbajnë pretendime ose informacione faktikisht të gabuara. Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.

