Të fundit | Sondazhi i rremë paraqitet si i realizuar nga një televizion Të fundit | Vazhdon publikimi i videove të gjeneruara me IA lidhur me zgjedhjet Të fundit | Kurti nuk tha se studentët shqiptarë gabuan që protestuan në Shkup dhe se M… Të fundit | Dëmtimi i një ambulance serbe në një fshat të Vushtrri paraqitet pa prova s… Të fundit | Postimet nuk sqarojnë se rritja e çmimit të bukës ka ndodhur në Maqedoninë… Të fundit | Spiropali nuk ka thënë se Vjosa Osmani, krerë të PDK-së dhe Baton Haxhiu ja… Të fundit | Pretendim i rremë se janë konfirmuar rastet e para të hantavirusit në Kosov… Të fundit | Si ndikojnë influencuesit politikë në zgjedhje? Të fundit | Video të gjeneruara me IA të ndërlidhura me zgjedhjet po qarkullojnë në med… Të fundit | Sondazh i rremë në emër të një kolegji universitar
[ ARTIKULLI ]

Nuk janë rritur shtesat për fëmijë dhe lehona, bëhet fjalë për premtim elektoral

FATBARDH DEMA

VERDIKTI YNË

DEZINFORMATË

Titulli e paraqet si vendim të kryer rritjen e shtesave për fëmijë dhe lehona, por në fakt është vetëm premtim elektoral.

Faqja “Gazeta Re” në Facebook ka publikuar sot (15 maj) një postim me përshkrimin “Lajm i mirë për të gjitha nënat dhe fëmijët”, i shoqëruar me një imazh të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, dhe mbishkrimin: “ALBIN KURTI JEP LAJMIN E MADH! SHTESAT E FËMIJËVE RRITEN 90 EURO, PËR LEHONAT 500 EURO, KJO ËSHTË DATA”.

Në komente ishte vendosur edhe një vegëz që çonte drejt një artikulli me titull të ngjashëm.

E vërteta?

Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, u vërtetua se titulli që shfaqet në artikull dhe postim është i pasaktë.


Pas hapjes së artikullit, sqarohet se nuk bëhet fjalë për vendim të miratuar, por për një premtim të kryeministrit Kurti të bërë gjatë një tryeze të organizuar nga Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, në kuadër të shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Familjes.

Në atë deklarim, Kurti tha që në mandatin e plotë, të cilin e synojnë edhe një herë, shtesat për fëmijë synojnë t’i dyfishojnë 60 deri në 90 euro, ndërsa shtesat për lehonat, që aktualisht janë 325.9 euro, synojnë që t’i ngritin në 500 euro në muaj.

Pra, titulli në përmbajtjen e publikuar nga “Gazeta Re” e paraqet në mënyrë të pasaktë një premtim politik si vendim të kryer për rritjen e shtesave për fëmijë dhe lehona.

Hibrid.info gjeti edhe videon me zotimin e Kurtit për rritjen e shtesave, i cili u publikua nga faqja zyrtare e portalit informativ “indeksonline.net” (shih këtu).


Çka tha Kurti?

“Për herë të parë në Kosovës kemi nisur me aplikimin e shtesave nga të cilat kanë përfituar mbi 400.000 fëmijë. Kur nisëm me 10 dhe 20 euro – pati tallje e përqeshje për një politikë të këtillë. E sot çdo familje që plotëson kushtet merr shtesa prej 30 deri 45 euro, varësisht nga numri i fëmijëve. Ndërkaq zotimi ynë është që në mandatin e plotë, të cilin e synojmë edhe një herë, shtesat për fëmijë t’i dyfishojmë 60 deri në 90 euro”, tha ai.

“Paralelisht me këtë kemi filluar me shtesat për lehonat, nga të cilat kanë përfituar më shumë se 80 mijë nëna. Njësoj sikurse për fëmijët, edhe këtu i patëm gjetur zero. Nisi me 170 euro muaj, aktualisht janë 325.9 euro, por me synimin që ato të ngritën në 500 euro në muaj”, shtoi ai (shih këtu).


Analiza

Një postim në Facebook nga faqja “Gazeta Re” e paraqet si fakt të kryer rritjen e shtesave për fëmijë dhe lehona.

Pas verifikimit të fakteve u vërtetua se nuk bëhet fjalë për vendim të miratuar, por për një premtim të bërë nga Kurti për rritje të ardhshme të shtesave nëse realizohet një mandat i plotë qeverisës.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Dezinformatë” dhe “Clickbait”.

Arsyetimi

Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.

“Clickbait” vlerësohen ato përmbajtje informative titulli i të cilave është përgjithësues dhe nuk bënë të ditur vendndodhjen e ngjarjes, kontekstin dhe relevancën. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e audiencës me tituj sensacionalë me pasojë çorientuese, që nuk e qartësojnë saktësisht përmbajtjen e artikullit. Titujt “clickbait” bëhen kryesisht për të tërhequr lexueshmëri në rastin e publikimeve mediatike dhe/ose për të fituar nga klikimet në rastet e publikimeve komerciale.

Raporto

Na ndihmoni të përmirësojmë duke na raportuar problemet ose sugjerimet tuaja

0 / minimum 10 karaktere