[email protected]
Ngjarja e ndodhur në Gjermani paraqitet me fotografi nga Kosova e titull përgjithësues
shape
shape
shape

Shkroi: Etrit Rexhepi

“Katër fëmijë 13-vjeçar bien nga tarraca e palestrës, ja gjendja e tyre shëndetësore” është titulli i një artikulli të publikuar në hapësirën digjitale.

Artikulli është publikuar sot (6 maj) në portalin e televizionit “ntv.al” dhe në faqen në Facebook të këtij mediumi.

Por, në titull nuk është treguar se ku ka ndodhur ngjarja, e madje fotografia me anë të cilës është paraqitur lajmi, është shkrepur në hapësirën e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Bazuar në rëndësinë që paraqet fotografia në tekstin gazetar (këtu) si dhe fakti që ky medium i shkruan përmbajtjet në gjuhën shqipe, pamja e parë e artikullit në fjalë, mund të ndikojë te lexuesit, që të mendojnë se ngjarja ka ndodhur në Kosovë.


Vegëza e artikullit të publikuar nga portali “ntv.al”:


Artikulli është publikuar edhe në faqen e “ntv.al” në Facebook (këtu) dhe është gjetur i publikuar në të njëjtën mënyrë edhe në portalin “Lajme Shqip” në Facebook (këtu).

Derisa titulli nuk e bën të qartë vendndodhjen e ngjarjes, informacioni qartësohet në kreun e artikullit, kur thuhet se, “Në Baden-Wurttemberg të Gjermanisë, katër fëmijë të moshës 13-vjeçare u ngjitën në kulmin e palestrës së sporteve në qarkun Grunbach gjatë të shtunës mbrëma.”.

Gjë e cila konfirmohet edhe në artikujt e publikuar nga mediat e huaja, të cilat janë gjetur pas hulumtimit të hibrid.info (shih këtu, këtu dhe këtu).


Ndërsa fotografia e paraqitur në artikull, është gjetur e publikuar në përmbajtjet e portalit informativ, “telegrafi.com” (shih këtu, këtu dhe këtu).


Përmes programit të automatizuar “EXIF Viewer” (EXIF ​​ruan të gjithë informacionin rreth vetë fotografisë – si p.sh. niveli i ekspozimit, vendi ku keni bërë foton dhe çdo cilësim që keni përdorur), është vërtetuar se imazhi është shkrepur më 7 prill të vitit 2020, ndërsa në bazë të shkrimit që shfaq imazhi (AMBULANCA PËR CORONAVIRUS)  dhe targa (këtu) në automjetin e shfaqur, kuptohet se imazhi është shkrepur në Kosovë.


Analiza:

Në titullin e artikullit për rrëzimin e katër fëmijëve në Gjermani, nuk tregohet vendi se ku ka ndodhur ngjarja dhe i njëjti paraqet imazh me pamje nga Kosova.

Mos saktësimi i vendndodhjes së ngjarjes dhe shfaqja e fotografisë së pasaktë, mund të krijojë përceptim të gabuar te lexuesi.

Andaj edhe bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë artikull si, “Clickbait”.


Arsyetimi:

“Clickbait” vlerësohen ato përmbajtje informative titulli i të cilave është përgjithësues dhe nuk bënë të ditur vendndodhjen e ngjarjes, kontekstin dhe relevancën. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e audiencës me tituj sensacionalë me pasojë çorientuese, që nuk e qartësojnë saktësisht përmbajtjen e artikullit. Titujt “clickbait” bëhen kryesisht për të tërhequr lexueshmëri në rastin e publikimeve mediatike dhe/ose për të fituar nga klikimet në rastet e publikimeve komerciale.

Share With Others

Leave a Reply