Publikohet një imazh me mbishkrimin “Mos planifikoni udhëtime me aeroplan për në Evropë”.
Kjo përmbajtje me këtë pretendim është publikuar të premten (17 prill) në Facebook, nga një faqe me emrin “Gazetavip.com”.
Çka nuk shkon me mbishkrimin?
Mbishkrimi e paraqet një deklaratë paralajmëruese të kreut të IEA-së, Fatih Birol, si urdhër të drejtpërdrejtë për publikun dhe i atribuon atij një deklaratë që nuk gjendet në intervistën e tij origjinale.

Faqja që ka publikuar pretendimin ka 496 mijë ndjekës, ndërsa i njëjti pretendim në këtë mënyrë është publikuar edhe nga faqja me emrin “Gazeta Minuti”.

Të dy këto përmbajtje kanë të bashkangjitur në hapësirën për komente vegëzën e artikullit, ku sqarohet më gjerësisht përmbajtja (shih këtu dhe këtu).
Pas klikimit të vegëzës, ndryshe nga mbishkrimi, në kreun e artikullit “Kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë ka paralajmëruar se Evropës i kanë mbetur rreth gjashtë javë karburant për avionët.” sqarohet se bëhet fjalë për informacion të bazuar në një deklaratë.
Në këto tekste raportohet se Fatih Birol, drejtor ekzekutiv i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA), në një intervistë për agjencinë ndërkombëtare të lajmeve Associated Press (AP), ka paralajmëruar se Evropa mund të ketë rreth gjashtë javë rezerva të karburantit për avionë dhe se, nëse furnizimet me naftë mbeten të bllokuara, mund të ketë rritje çmimesh dhe anulime fluturimesh “së shpejti”.
Në artikuj pretendohet se ai gjithashtu ka thënë që njerëzit të mos planifikojnë udhëtime për në Evropë pas rreth 5 javësh, deri në njoftimin e radhës.
Për shkak se është pretenduar se deklaratat e Birol kanë ardhur nga një intervistë për AP, hibrid.info ka hulumtuar me anë të makinës së kërkimit “Google”, me fjalët “fatih birol ap” (shih këtu).
Rezultatet e kërkimit në “Google” kanë shfaqur artikullin e AP-së, të një interviste të kreut të IEA për këtë agjenci lajmesh, i cili është publikuar të enjten (16 prill), me titullin “AP Exclusive: Europe has ‘maybe 6 weeks of jet fuel left,’ energy agency head warns”, ose në shqip “AP ekskluzive: Kreu i agjencisë energjetike paralajmëron se Evropa mund të ketë ‘rreth 6 javë’ rezerva të karburantit për avionë.” (shih këtu)
Përmbajtja e këtij artikulli, konfirmon deklaratat e raportuara të Birol nga dy tekstet e lartpërmendura. Megjithatë në tekstin e “AP” nuk është hasur pretendimi që ai ka deklaruar që të mos planifikohen udhëtime pas rreth pesë javësh. Pra, Birol ka dhënë një parashikim dhe rrezik të mundshëm në rast se kriza vazhdon dhe jo për urdhra apo këshilla direkte.
Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (IEA) është një organizatë autonome ndërqeveritare me seli në Paris, e themeluar në vitin 1974, e cila ofron rekomandime politike, analiza dhe të dhëna mbi sektorin global të energjisë me 32 vende anëtare (shih këtu).
Analiza:
Paralajmërimi “Mos planifikoni udhëtime me aeroplan për në Evropë” nuk qëndron.
Mbishkrimi është bazuar në intervistën për Associated Press (AP), të kreut të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA), Fatih Birol, i cili ka folur për një situatë të mundshme të furnizimit me karburant për avionë në Evropë, duke vlerësuar se mund të ketë rreth gjashtë javë rezerva nëse vazhdojnë bllokimet e furnizimit.
Por, ai nuk ka paralajmëruar publikun të mos planifikojnë udhëtime me aeroplanë në Evropë, ashtu siç pretendohet.
Andaj, bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Manipulim i fakteve”.
Arsyetimi:
Vlerësimin si “Manipulim i fakteve” marrin ato përmbajtje informative që përdorin fakte të njohura si të sakta, por i interpretojnë ato në mënyrë të shtrembëruara. Këto raporte zakonisht përdorin informacion të saktë për të nxjerrë përfundime ose pretendime të pasakta, duke drejtuar kështu përfundimet e konsumatorëve të përmbajtjes së mediave në drejtim të gabuar në lidhje me kuptimin aktual të fakteve të paraqitura.