Të fundit | Rritja e mashtrimeve në Facebook Marketplace dhe rreziku për përdoruesit Të fundit | Titulli nuk e qartëson se pagat janë rritur në Zvicër Të fundit | Kufijtë e gazetarisë në drejtim të PR-it, influencës dhe politikës Të fundit | Roli i hiperlinkut në gazetarinë digjitale dhe mungesa e tij si faktor i ke… Të fundit | Grafiti në Zubin Potok dhe pretendimet pa prova për kërcënim ndaj serbëve s… Të fundit | Sondazh i rremë për mbështetjen e subjekteve politike në Kosovë Të fundit | Imazhi i krijuar me IA paraqitet pasaktë si dëshmi për transportimin e qenv… Të fundit | Nuk ka vendim e as datë të caktuar për zgjedhje të reja Të fundit | Raporti i FMN-së flet për parashikim, jo për rritje ekonomike aktuale Të fundit | Nuk konfirmohet gjetja e varrit masiv në Drenas dhe lidhja me arrestimin e…
[ ARTIKULLI ]

Deklarata e basketbollistit Deni Avdija lidhet me Izraelin, jo Kosovën

HIBRID

Shkroi: Fatbardh Dema

Mediumi në gjuhën serbe “Mondo.rs” ka publikuar një artikull me titull “‘Mrze me zbog mog porekla’: Momak sa Kosova trpi torturu u NBA i zna zašto je to tako” (“‘Më urrejnë për shkak të prejardhjes sime’: Një djalë nga Kosova vuan tortura në NBA dhe e di pse”).

Artikulli i referohet basketbollistit të skuadrës amerikane Portland Trail Blazers, Deni Avdijaj.

Çka nuk shkon me këtë artikull?

Pas verifikimit të fakteve, u vërtetua se titulli është i pasaktë. Avdija në këtë rast, nuk ka përmendur Kosovën si prejardhjen e tij.

Basketbollisti Avdijaj, i cili ka prejardhje nga Kosova, por i lindur në Izrael ka dhënë një intervistë për ueb-faqen zyrtare të ligës së basketbollit në SHBA, NBA.

Përveç karrierës së tij, ai në këtë intervistë ka folur për urrejtjen dhe komentet negative që has në rrjete sociale për shkak të kombësisë së tij izraelite, dhe jo për Kosovën.


Hibrid.info gjeti intervistën e Avdijajt dhënë për NBA.com. Në këtë artikull vërehet se ai asnjëherë nuk ka përmendur Kosovën.

Në anën tjetër, mediumi në gjuhën serbe “Mondo.rs”, në titull ka lënë të kuptohet se Avdijaj ka folur për Kosovën.

Megjithatë, pas klikimit në artikullin e “Mondo.rs”, lajmi sqarohet.


Pjesë nga artikulli i NBA.com, i përkthyer në shqip:

Përveç mallit për shtëpinë, ai thotë se në mediat sociale se sheh shembuj të zemërimit dhe urrejtjes ndaj kombësisë së tij.

“Unë jam atlet. Nuk merrem vërtet me politikë, sepse nuk është puna ime. Sigurisht që unë mbroj vendin tim, sepse prej andej vij. Është frustruese të shohësh gjithë këtë urrejtje. Si p.sh., kam një ndeshje të mirë ose marr vota për All-Star, dhe të gjitha komentet janë njerëz që më lidhin me politikën. Si p.sh., pse nuk mund të jem thjesht një lojtar i mirë basketbolli? Pse ka rëndësi nëse jam nga Izraeli, apo nga kudo në botë, apo cila është raca ime? Thjesht më respektoni si lojtar basketbolli”, tha Avdija.

“Nuk ke pse të duash atë që përfaqësoj ose pamjen time, por nëse jam lojtar i mirë, më mbështet. E gjithë kjo urrejtje… pa asnjë arsye. Sikur unë po vendos për gjërat në botë”.

“Unë jam nga atje, e respektoj vendin tim dhe e mbështes atë. Jam një izraelit krenar, sepse aty u rrita. Nuk do të isha aty ku jam sot nëse nuk do të ishte për Izraelin dhe mbështetjen që më dhanë njerëzit dhe tifozët. Por të gjitha gjërat shtesë rreth kësaj? Është thjesht e panevojshme”, shtoi ai.

Pra, në asnjë rast Avdija nuk ka përmendur Kosovën, siç lë të kuptohet në titullin e “Mondo.rs”.


Kush është Deni Avdija?

Deni Avdija është basketbollist i skuadrës Portland Trail Blazers në NBA. Ai u lind në Izrael, ndërsa babai i tij është Zufer Avdija, goran nga Prishtina, Kosovë.

Zufer Avdija, një ish-basketbollist, gjatë karrierës së tij ishte pjesë e skuadrës “Elektrokosovo” (1977-1979), që tashmë kjo skuadër njihet me emrin “Sigal Prishtina”.


Analiza

Mediumi në gjuhën serbe “Mondo.rs” ka publikuar një artikull me titull që lë të kuptohet se basketbollisti i NBA, Deni Avdija, po përballet me urrejtje për shkak të prejardhjes së tij nga Kosova. Megjithatë, pas verifikimit të fakteve, rezulton se ky pretendim nuk qëndron.

Në intervistën e dhënë për NBA.com, Avdija flet për urrejtjen dhe komentet negative që has në rrjete sociale për shkak të kombësisë së tij izraelite, dhe jo për Kosovën. Ai në asnjë rast nuk e përmend Kosovën si burim të këtyre reagimeve, ndonëse ka prejardhje familjare nga Kosova.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë artikull si “Manipulim i fakteve dhe “Clickbait”.

Arsyetimi

Vlerësimin si “Manipulim i fakteve” marrin ato përmbajtje informative që përdorin fakte të njohura si të sakta, por i interpretojnë ato në mënyrë të shtrembëruara. Këto raporte zakonisht përdorin informacion të saktë për të nxjerrë përfundime ose pretendime të pasakta, duke drejtuar kështu përfundimet e konsumatorëve të përmbajtjes së mediave në drejtim të gabuar në lidhje me kuptimin aktual të fakteve të paraqitura.

“Clickbait” vlerësohen ato përmbajtje informative titulli i të cilave është përgjithësues dhe nuk bënë të ditur vendndodhjen e ngjarjes, kontekstin dhe relevancën. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e audiencës me tituj sensacionalë me pasojë çorientuese, që nuk e qartësojnë saktësisht përmbajtjen e artikullit. Titujt “clickbait” bëhen kryesisht për të tërhequr lexueshmëri në rastin e publikimeve mediatike dhe/ose për të fituar nga klikimet në rastet e publikimeve komerciale.

Raporto

Na ndihmoni të përmirësojmë duke na raportuar problemet ose sugjerimet tuaja

0 / minimum 10 karaktere