Publikohet përmbajtje me mbishkrimin që pretendon se ish-prokurorja e EULEX-it, Maria Bamieh, kishte deklaruar se gjyqtari Charles Smith i kishte thënë: “Shqiptarët janë kafshë që duhet zbutur”.
Kjo përmbajtje është publikuar në disa faqe e llogari në Facebook dhe në disa media (shih këtu, këtu, këtu, këtu, këtu dhe këtu).
Çka nuk shkon me përmbajtjen?
Përmbajtja e atribuon deklaratën “Shqiptarët janë kafshë që duhet zbutur” ish-prokurores së EULEX-it, Maria Bamieh, duke pretenduar se atë ia kishte thënë gjyqtari Charles Smith.

Pretendimi është shpërndarë në numër të konsiderueshëm publikuesish dhe i njëjti është përmendur edhe në studio televizive (shih këtu).
Së pari, hibrid.info ka hulumtuar përmes makinës së kërkimit “Google” me fjalët “maria bameh” (shih këtu). Rezultatet e kërkimit shfaqën artikuj ku bëhet e ditur se Maria Bamieh është juriste britanike dhe ish-prokurore ndërkombëtare, e cila ka punuar në Kosovë fillimisht me UNMIK-un dhe më pas me EULEX-in. Ajo ishte e angazhuar si prokurore e EULEX-it nga viti 2008 deri në vitin 2014, kur kontrata e saj nuk u vazhdua (shih këtu dhe këtu).
Bamieh u bë e njohur publikisht në vitin 2014 pasi ngriti akuza për korrupsion dhe ndërhyrje të mundshme në punën e EULEX-it. Ajo pretendoi se gjatë hetimit të një rasti korrupsioni kishte zbuluar komunikime që sugjeronin përpjekje për të ndikuar në hetimin e saj dhe për të ndërhyrë në një çështje gjyqësore. Ajo i raportoi shqetësimet te eprorët e saj, ndërsa më vonë doli publikisht me këto akuza (shih këtu).
Ndërsa i njëjti kërkim për Charles Smith, tregoi se ai aktualisht është gjyqtar në Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe kishtë shërbyer si gjyqtar i EULEX-it në Kosovë nga viti 2010 deri më 2013, ndërsa gjatë viteve 2011–2013 ishte anëtar i Gjykatës Supreme të Kosovës. Ai gjithashtu drejtoi Asamblenë e Gjyqtarëve të EULEX-it si nënkryetar dhe kryetar (shih këtu).
Kjo konfirmon angazhimin e të dyve në EULEX gjatë një periudhe që pjesërisht përputhet.
Por, a ka paraqitur Maria Bameh pretendime për Charles Smithin?
Kërkimi në “Google” për këta dy emra, nuk ka shfaqur artikuj nga mediat kredibile, ku është raportuar për pretendime të ish-prokurores së Eulexit për gjyqtarin Charles Smith.
Nga doli pretendimi për deklarimin “shqiptarët janë kafshë që duhen zbutur”?
Gjatë kërkimit në “Google” për këtë pretendim, u gjet një artikull i publikuar në vitin 2019 në mediumin online “Telegrafi.com”, me titullin “Gjyqtari i EULEX-it, akuzon kolegun e tij për racizëm – shqiptarët janë kafshë që duhet zbutur”.
Artikulli raporton pretendimet e ish-gjyqtarit të EULEX-it, Malcolm Simons, për ndërhyrje politike dhe presion mbi gjyqtarët e prokurorët e misionit. Ai pretendon se në rastet e profilit të lartë përzgjidheshin gjyqtarë dhe prokurorë që konsideroheshin më të dëgjueshëm dhe se kishte ndërhyrje në proceset gjyqësore.
Në lidhje me rastin “Drenica”, Simons pretendon se gjyqtari Dario Sielicki kishte bërë komente fyese ndaj të akuzuarve dhe shqiptarëve, përfshirë referimin ndaj tyre si “kafshë që duheshin zbutur”. Artikulli gjithashtu trajton pretendimet e Simons për parregullsi në përzgjedhjen e trupit gjykues dhe marrëdhënien mes Sielickit dhe gjyqtares Anna Adamska.
Çka u pretendua në fakt për gjyqtarin Charles Smith?
Në një artikull të publikuar në mediumin “Nacionale”, të titulluar “Dokument | Gjyqtari që shqiptoi 81 vite burgim për krerët e UÇK-së ishte i përfshirë në disa skandale në EULEX, kërkonte edhe dënime politike”, i cili u has në kërkimin shtesë, shkruan se sipas pretendimeve të ish-gjyqtarit të EULEX-it, Malcolm Simmons, Charles Smith ishte përfshirë në ndërhyrje në procese gjyqësore gjatë kohës së shërbimit të tij në EULEX. Simmons pretendoi se Smith, përmes një emaili të vitit 2013, kishte kërkuar që rasti “Kleçka” të caktohej sa më shpejt për gjykim, duke përmendur se një pjesë e arsyeve për këtë ishin politike.
Simmons më vonë pretendoi se, kur ishte caktuar në trupin gjykues të rastit, Smith i kishte thënë se misioni mbështetej shumë në rezultatin e këtij rasti dhe priste dënime. Ai gjithashtu pretendoi se pozita e tij mund të rrezikohej nëse të pandehurit shpalleshin të pafajshëm.
Po ashtu, Simmons e akuzoi Smithin për ndërhyrje në një rast tjetër penal, duke pretenduar se ai kishte komunikuar me një gjyqtare dhe kishte sugjeruar shqiptimin e një dënimi me burgim. Simmons tha se këto shqetësime i kishte raportuar edhe në Ambasadën Britanike në Kosovë.
Megjithatë, në këto raportime nuk bëhet lidhja mes Charles Smithit dhe deklaratës “Shqiptarët janë kafshë që duhet zbutur”.
Analiza
Pretendimi se ish-prokurorja e EULEX-it, Maria Bamieh, ka deklaruar se gjyqtari Charles Smith i kishte thënë “Shqiptarët janë kafshë që duhet zbutur”, është i pambështetur.
Hibrid.info ka kërkuar për këtë pretendim në burime të besueshme, përfshirë kërkimet me emrat “Maria Bamieh” dhe “Charles Smith”. Këto kërkime nuk kanë rezultuar me raportime kredibile që dokumentojnë se Bamieh ka bërë një deklaratë të tillë për Smithin.
Ndërkaq, kërkimi për deklaratën “Shqiptarët janë kafshë që duhet zbutur” ka nxjerrë raportime të mëhershme në të cilat kjo deklaratë i atribuohet, përmes pretendimeve të ish-gjyqtarit të EULEX-it, Malcolm Simmons, gjyqtarit Dario Sielicki, në kontekstin e rastit “Drenica”. Ndërsa pretendimet e Simmonsit për Charles Smithin lidhen me ndërhyrje të pretenduara në procese gjyqësore, përfshirë rastin “Kleçka”.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson pretendimin në fjalë si “Manipulim i fakteve”.
Arsyetimi
Vlerësimin si “Manipulim i fakteve” marrin ato përmbajtje informative që përdorin fakte të njohura si të sakta, por i interpretojnë ato në mënyrë të shtrembëruara. Këto raporte zakonisht përdorin informacion të saktë për të nxjerrë përfundime ose pretendime të pasakta, duke drejtuar kështu përfundimet e konsumatorëve të përmbajtjes së mediave në drejtim të gabuar në lidhje me kuptimin aktual të fakteve të paraqitura.