[email protected]
Pretendim tërësisht i pabazuar nga Informer: Nuk ka fakte se rasti “Panda” u krye nga UÇK
shape
shape
shape

Medium në gjuhën serbe “Informer” ka publikuar dje (14 dhjetor) një artikull me pretendimin se dy pjesëtarë të maskuar, pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kishin vrarë gjashtë të rinj në Pejë, në rastin e njohur si “Panda”, në vitin 1998.

Rasti kishte ndodhur më 14 dhjetor 1998 në kohën kur, dy persona të maskuar, hapën zjarr në kafeterinë ‘Panda’ në Pejë, duke lënë të vrarë 6 të rinj serbë (pesë gjimnazistë e një student), që të gjithë meshkuj civilë të paarmatosur: Ivan Obradoviq 15, Vukota Gvozdenoviq 18, Svetislav Ristiq 17, Zoran Stanojeviq 17, Dragan Trifoviq 17 dhe Ivan Radeviq 25-vjeç. Organet shtetërore serbe menjëherë përmes mediave kishin akuzuar UÇK-në për kryerjen e kësaj vepre kriminale.

Ndonëse autorët e këtij krimi nuk diheshin, Presidenti i RFJ-së, Slobodan Milosheviq, e cilësoi këtë sulm si “krimin më monstruoz në serinë e sulmeve të bandave terroriste shqiptare”.

Përkundër faktit se nuk dihen ende kryesit e veprës ndaj të rinjve serbë, mediumi serb “Informer”, përmes artikullit të publikuar pretendon se vepra është kryer nga dy pjesëtarë të UÇK-së, pa ofruar asnjë fakt të vetëm që do ta mbështeste këtë pretendim.

Vegëza e artikullit të publikuar në “Informer”:

https://informer.rs/vesti/politika/756489/kosmet-pec-masakr

Pjesë të artikullit të publikuar në “Informer”:

Në këtë ditë të vitit 1998 ka ndodhur masakra e fëmijëve serbë në Kosmet të Pejës, në kafenenë “Panda”.

Dy vrasës të maskuar, me kamuflazha dhe shenja të ashtuquajturës UÇK, më 14 dhjetor 1998, hynë në kafenenë “Panda” në Pejë dhe vran me armë zjarri gjashtë të rinj – nxënësit e shkollave të mesme Ivan Obradoviq, Zoran Stanojeviq, Svetislav Ristiq, Dragan Trifoviq dhe Vukota Gvozdenoviq dhe studentin Ivan Radeviq.


Deri më 28 dhjetor 2013, familjarët e të vrarëve në ‘Panda’ kanë qenë të bindur se fëmijët u janë vra nga pjesëtarë të UÇK-së. Në këtë datë, Aleksandar Vuçiq, i cili mbante pozitwn e zëvendës-kryeministrit i Serbisë në atë kohë, në emisionin ‘Teška reč’ në TV Pink deklaroi se nuk ka prova se krimi është kryer nga shqiptarët, siç besohej deri atëherë.

“Ka shumë gjëra të tmerrshme me të cilat do të na duhet të përballemi, siç është vrasja e serbëve në kafenenë ‘Panda’ në Kosovë e Metohi në vitin 1998, për të cilën nuk ka asnjë dëshmi se është kryer nga shqiptarët”. (këtu)

Dy vjet më vonë, Vuçiq, i cili ishte edhe shef i Byrosë për Koordinimin e Punës së Shërbimeve të Sigurisë gjatë kryerjes së këtij akti kriminal në Pejë (1998) tha: “Unë jam pothuajse i sigurt se çfarë ndodhi në kafenenë ‘Panda”, por nuk ka asnjë provë. Nuk jam i sigurt se autoritetet tona mund të jenë krenare për atë që bënë atëherë”. (këtu)

Kryetari i partisë politike serbe “Lëvizjes Serbe për Ripërtëritje” (SPO), Vuk Draskoviq, thotë se sigurimi shtetëror serb në krye me Radomir Markoviq dhe përmes Miloras Ulemek-Legija, kanë kryer vrasjen e katër të rinjve serbë në kafiterinë “Panda” në vitin 1998 në Pejë, në mënyrë që në sytë e bashkësisë ndërkombëtare UÇK të paraqitet si organizatë terroriste. (këtu)

Ish-kreu i DB-së (Državna bezbednost – Sigurimi i Shtetit – DB dikur ishte pjesë e MPB-së serbe, e cila atëherë kishte siguri shtetërore dhe publike), Radomir Markoviq, ka dëshmuar me prova konkrete se sulmi në kafenenë “Panda” më 14 dhjetor 1998 ishte organizuar nga Milorad Ulemek Legija, ish komandant i JSO-së (Jedinica za specijalne operacije – Njësia speciale operacionale). Ky i fundit ka treguar se urdhri për organizimin e personave nga strukturat e sigurisë për vrasjen në Pejë ka ardhur nga kreu i shërbimit të DB-së, në atë kohë në krye me Rade Markoviqin. Bazuar në këtë shkrim të gazetës Kurir të vitit 2014 thuhet se, duke akuzuar këta të dy njëri-tjetrin për kryerjen e krimit, po fshihet fakti se është shteti përgjegjësi kryesor për atë krim, pra DB-ja. (këtu)

Edhe pse strukturat udhëheqëse akoma nuk e kanë gjetur kryesit e vrasjes së të 6-të të rinjve në lokalin “Panda”në Pejë, në vitin 1998, bazuar në deklaratat e mësipërme del që pretendimi se UÇK është përfshirë në vrasjet në kafenë “Panda” në Pejë, në vitin 1998 është tërësisht i pabazë dhe i sajuar, duke demantuar kështu pretendimet e gazetës “Informer” të ngritura në artikullin e publikuar dje.


Analiza:

Medium në gjuhën serbe “Informer” ka publikuar një artikull me pretendimin se dy pjesëtarë të maskuar të UÇK-së ka vrarë gjashtë të rinj në Pejë, në kafenenë Panda në Pejë në vitin 1998 gjatë luftës në Kosovë.

Bazuar në deklaratat e protagonistëve të ngjarjeve dhe politikës së asaj kohe del që nuk ka prova se vepra është kryer nga pjesëtarët e UÇK-së, siç pretendohet nga mediumi serb.

Në bazë të metodologjisë së punës, hibrid.info konkludon se këto pretendime janë të paqëndrueshme dhe vlerësohet si “Dezinformatë”.


Arsyetimi:

Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ai raportim mediatik i cili në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe përmbajtje gjysmë të vërtetë. Gjithashtu, ky vlerësim do të trajtojë raporte që kanë atribute të gabuara ose tituj që nuk pasqyrojnë tekstin për sa i përket saktësisë së informacionit.

Share With Others