Keqpërdorimi i logove të mediave është një prej mënyrave përmes së cilave krijuesit e përmbajtjeve keqinformuese përpiqen t’i paraqesin pretendimet e rreme si lajme të vërteta.
Që nga janari i vitit 2026, hibrid.info ka trajtuar nëntë raste të tilla, ku janë keqpërdorur logot e mediave në Kosovë, Shqipëri, Britani të Madhe dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në hapësirën digjitale, ku informacionet shpërndahen me shpejtësi dhe përdoruesit shpesh i konsumojnë ato përmes rrjeteve sociale, një fotografie apo videoje të shoqëruar me logon e një mediumi të njohur mund t’i japë një pretendimi pamjen e një lajmi të publikuar nga një burim i besueshëm.
Pse keqpërdoren logot e mediave?
Një raport i Institutit Reuters për Studimin e Gazetarisë, gjeti se përdoruesit shpesh krijojnë vlerësime të shpejta për besueshmërinë e një informacioni, pa klikuar fare në burimin origjinal.
Sipas raportit, njohja e emrit apo logos së një mediumi shpesh e rrit perceptimin e besueshmërisë. Kjo ndodh edhe kur përdoruesit nuk e kanë analizuar përmbajtjen në mënyrë të hollësishme.
Për shembull, nëse një përdorues e sheh një imazh me logon e një mediumi të njohur, mund ta lidhë informacionin me reputacionin e tij, pa kontrolluar nëse lajmi gjendet në ueb-faqen e tij zyrtare.
Në këtë mënyrë, logoja mund të shërbejë si një lloj zëvendësimi i verifikimit: në vend që të kontrollohet burimi, mjafton njohja e tij për të krijuar përshtypjen se informacioni është i besueshëm.
Rastet e trajtuara nga hibrid.info gjatë vitit 2026
Nga janari deri më 4 nëntor 2026, hibrid.info ka trajtuar nëntë përmbajtje keqinformuese në gjuhën shqipe, të cilat kanë keqpërdorur identitetin vizual të mediave për t’i paraqitur pretendimet e rreme si raportime nga ato media.
Rastet përfshijnë tema politike, marrëdhënie ndërkombëtare dhe shëndetësi, ndërsa janë përdorur emrat dhe logot e mediave të njohura në Kosovë, Shqipëri, Britani të Madhe dhe SHBA.
Një video e rreme paraqitet si raportim i Klan Kosovës për përplasjet e FSK-së me Hamasin: Në një video të publikuar në TikTok, pretendohet se ushtarët e Kosovës janë përfshirë në përleshje me grupin Hamas në Rripin e Gazës, ku thuhet se janë vrarë 20 palestinezë. Përmbajtja përdor logon dhe elementet grafike të Klan Kosovës, duke krijuar përshtypjen e një raportimi televiziv të drejtpërdrejtë. Megjithatë, sipas verifikimit të përmbajtjes, videoja është krijuar me inteligjencë artificiale dhe paraqet një ngjarje që nuk ka ndodhur (shih këtu).
Deklaratë e rreme e Albin Kurtit me logon e Klan Kosovës: Në një imazh të publikuar në Facebook dhe TikTok, pretendohej se kryeministri i Kosovës Albin Kurti u kishte bërë thirrje serbëve të shpërngulur më 1999 të ktheheshin në Kosovë dhe të kërkonin pronat e tyre. Përmbajtja përdorte logon e Klan Kosovës dhe mbishkrimin “Lajmi i fundit”, por imazhi ishte krijuar me inteligjencë artificiale dhe deklarata nuk ishte publikuar nga ky televizion (shih këtu).
Pretendimi se kryeministri i Shqipërisë Edi Rama kërcënoi me ushtri Kosovën: Një imazh që imitonte pamjen grafike të televizionit shqiptar Top Channel paraqiste një deklaratë të rreme të kryeministrit shqiptar, sipas së cilës ai kërcënonte se do të dërgonte ushtrinë në Kosovë. Materiali përfshinte fotografitë e Ramës dhe Kurtit, si dhe elemente grafike që krijonin përshtypjen e një kronike televizive. Imazhi ishte gjeneruar me IA dhe deklarata nuk ishte bërë nga Rama, e as nuk ishte publikuar nga ky medium (shih këtu).
Albin Kurti paraqitet rrejshëm në protestat në Shqipëri: Në një imazh të publikuar në TikTok, Kurti paraqitej sikur kishte marrë pjesë në protestat e të rinjve në Shqipëri. Përmbajtja imitonte raportimin e televizionit Klan në Shqipëri dhe ishte krijuar me IA. Publikimi kishte marrë mbi 65 mijë shikime, më shumë se 2,700 pëlqime dhe mbi 300 komente deri në momentin e verifikimit (shih këtu).
Lajmi i rremë për vdekjen e Sali Berishës: Një imazh i publikuar në TikTok pretendonte se ish-kryeministri shqiptar kishte vdekur në moshën 81-vjeçare, pas një paralize në tru. Përmbajtja përdorte logon dhe pamjen grafike të televizionit Klan në Shqipëri, duke u paraqitur si njoftim i këtij mediumi. Imazhi ishte gjeneruar me IA dhe nuk kishte raportim të tillë në burimet zyrtare të televizionit (shih këtu).
Trumpi paraqitet sikur kërcënoi Serbinë me bombardim: Në dy video të publikuara në TikTok, pretendohej se presidenti amerikan Donald Trump kishte kërcënuar Serbinë me bombardim në rast të një sulmi ndaj Kosovës. Videot përdornin logon e mediumit britanik Daily Mail dhe përmbanin audio të gjeneruar me IA, duke krijuar përshtypjen se bëhej fjalë për deklarata të publikuara nga ky medium (shih këtu).
Pretendimi i rremë për përhapjen e hantavirusit në Kosovë: Një video në TikTok përdorte një pjesë të një kronike të moderatorit të ATV-së, Resul Sinani, e cila në të vërtetë trajtonte rastet e fruthit në Kosovë. Krahas videos ishte vendosur një imazh që imitonte një artikull të Klan Kosovës me titullin se hantavirusi kishte mbërritur në Kosovë. Kështu, përmes kombinimit të një materiali autentik televiziv me një pamje të montuar, krijohej përshtypja e një raportimi të rremë për një problem shëndetësor (shih këtu).
Pretendimi se Danimarka tërhoqi njohjen e Kosovës: Në një imazh që qarkulloi në Facebook, Instagram dhe X, pretendohej se Danimarka kishte tërhequr njohjen e Kosovës dhe i kishte kërkuar falje Serbisë. Publikimi ishte paraqitur në formën e një artikulli me logon e mediumit amerikan CNN, duke i dhënë pretendimit pamjen e një lajmi ndërkombëtar. Megjithatë, CNN nuk kishte publikuar një artikull të tillë (shih këtu).
Një tjetër shembull i keqpërdorimit të logos së Klan Kosovës: Në një publikim që qarkullon në Facebook, pretendohet rrejshëm se kryeministri Albin Kurti është gjetur pa shenja jete në banesën e tij, ndërsa bashkëshortja e tij paraqitet si e dyshuara. Publikimi përdor logon e Klan Kosovës, duke krijuar përshtypjen se bëhet fjalë për një raportim të këtij televizioni (shih këtu).
Disa hapa të thjeshtë që mund të ndihmojnë në verifikimin e këtyre përmbajtjeve:
Kontrolloni burimin origjinal
Mos u mbështetni vetëm te logoja
Kërkoni titullin në internet
Kushtojini vëmendje detajeve grafike
Kontrolloni datën dhe kontekstin
Mos e shpërndani pa verifikuar
Përfundim
Keqpërdorimi i logove të mediave është një praktikë që synon ta lidhë një pretendim të pavërtetë me besueshmërinë që publiku mund t’ia atribuojë një mediumi. Në këtë mënyrë, krijuesit e këtyre përmbajtjeve përpiqen ta bëjnë informacionin më bindës dhe ta lehtësojnë shpërndarjen e tij në media sociale.
Rastet e trajtuara nga hibrid.info tregojnë se kjo praktikë shfrytëzon identitetin vizual të mediave vendore dhe ndërkombëtare, duke e kombinuar atë me pretendime politike, shëndetësore dhe ngjarje që mund të ngjallin interes te publiku.
Një logo mund ta bëjë një pretendim të duket si lajm, por nuk e bën atë të vërtetë. Para se të besojmë apo shpërndajmë një informacion, duhet të kontrollojmë se kush e ka publikuar dhe nëse burimi origjinal e konfirmon atë.