[email protected]
Ambasada e Rusisë vendos sërish fotografi të rreme rreth luftës në Kosovë
shape
shape
shape

Ambasada e Rusisë në Afrikën e Jugut me datën 17 mars ka shpërndarë në llogarinë e saj në Twitter një fotografi, duke e krahasuar luftën në Ukrainë me atë të Kosovës.

Në fotografinë e publikuar në këtë rrjet social, shihen momente të bombardimeve, që kjo ambasadë pretendon se janë të imazhe të fushatë së bombardimeve të aleancës së NATO-s ndaj ushtrisë serbe (atëherë jugosllave) gjatë luftës në Kosovë, në vitin 1999.

Mirëpo, pas hulumtimit të kryer nga stafi i hibrid.info, është arritur të vërtetohet se kjo fotografi nuk ka të bëjë me bombardimet e NATO-s, por është e vitit 2003, gjatë luftës në Irak.

Postimi i në Twitter i Ambasadës së Rusisë së Afrikën e Jugut, i përkthyer në gjuhën shqipe:

Ne morëm parasysh një nga formulimet më të përdorura në media këto ditë për operacionin ushtarak rus “është sulmi më i madh ushtarak konvencional që është parë që nga Lufta e Dytë Botërore”. Një pyetje: po bombardimet e NATO-s në Jugosllavi? A nuk ishte në Evropë?

Vegëza e postimit të kësaj ambasade në Twitter:


Fotografia që tregon se këto sulme kanë ndodhur në vitin 2003, është gjetur në mediumet amerikane si “CNN” dhe “MSN.com”.

Në përshkrimin e kësaj fotografie (numër 3) në mediumin “CNN” shkruan: Tymi dhe flakët ngrihen nga kompleksi i pallatit presidencial buzë lumit në Bagdad pas një sulmi masiv ajror më 21 mars 2003. (shih këtu)

Ndërsa në përshkrimin e fotografisë (numër 3) të publikuar në mediumin tjetër “MSN.com” shkruan: Zjarret digjen në dhe rreth kompleksit të pallatit presidencial të Sadam Huseinit në Bagdad pas sulmeve ajrore më 21 mars 2003. (shih këtu)


Megjithatë, kjo nuk është hera e parë që kjo ambasadë ruse publikon fotografi të rreme lidhur me luftën në Kosovë.

Me datën 24 mars 2021, kjo ambasadë kishte publikuar edhe një fotografi të gruas nga Kosova e quajtur Sherife Luta, fotografi kjo që ri-publikohet në internet, por e manipuluar për të shpërndarë një propagandë pasi e njëjta grua paraqitet sikur viktimë serbe e bombardimeve të NATO-s. (shih këtu)


Imazhi i gruas me foshnje (Sherife Lutës) është trajtuar në një punim shkencor të ligjëruesit në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinë, Dren Gërguri.

Gërguri shkruan se pas më shumë se dy dekada, e njëjta fotografi e Sherife Lutës ripublikohet në internet, por e cila është e manipuluar me qëllimin që të shpërndajë propagandë, pasi e njëjta grua paraqitet sikur viktimë serbe e bombardimeve të NATO-s.

Këtë punimin shkencor të Dren Gërgurit mund ta gjeni këtu.


Analiza:

Ambasada ruse në Afrikën e Jugut në llogarinë e saj në Twitter ka publikuar një imazh ku shihet moment i disa bombardimeve, të cilin është munduar ta paraqesë se i takon luftës së Kosovës.

Por, pas hulumtimit të kryer nga hibrid.info, është arritur të gjendet kjo fotografi e cila i takon vitit 2003 dhe ka ndodhur në Irak.

Ngjashëm kjo ambasadë edhe në mars të vitit 2021 është munduar të përhapë një propagandë rreth luftës së Kosovës, ku fotografinë e gruas nga Kosova (Sherife Luta) e ka paraqitur si viktimë serbe e bombardimeve të NATO-s.

Pas analizës së kontrollit të fakteve bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë postim të ambasadës ruse si “Lajm i rremë”.


Arsyetimi:

Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato raportime mediatike që janë tërësish prodhim i një mediumi i cili në vete përmban pretendime ose informacione faktikisht të gabuara.

Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet me siguri se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.

Share With Others