info@hibrid.info
Pretendimi i pakonfirmuar se pezullimi i Dialogut Strategjik ShBA-Kosovë nuk është vendim i Uashingtonit zyrtar
shape
shape
shape

Shkroi: Etrit Rexhepi

Pretendohet se vendimi për pezullimin pa afat të Dialogut të planifikuar Strategjik mes ShBA-së dhe Kosovës, i publikuar nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, nuk është i plotfuqishëm pasi nuk është konfirmuar nga Departamenti i Shtetit dhe nga Shtëpia e Bardhë.

Ky pretendim ka ardhur në një publikim (e diel, 14 shtator) i gazetarit Vudi Xhymshiti, në llogarinë e tij në Facebook, ku ai është deklaruar për një televizion (shih këtu).

Sipas Xhymshitit, pezullimi u shpall nga një E Ngarkuar me Punë (Chargé d’Affaires) Anu Prattipati dhe jo nga një Ambasador i konfirmuar nga Senati, dhe përmes një komunikate lokale e jo nga Departamenti i Shtetit. Kjo gjë, sipas tij, e bën deklaratën pa autoritet të plotë.

Këtij publikimi ai ia ka bashkëngjitur një vegëz të një artikulli të publikuar në mediumin “krob.online”, ku e përsërit qëndrimin e tij për këtë çështje (shih këtu).

Cila është e vërteta?

Hibrid.info gjeti se mos publikimi i këtij vendimi nga këto institucione të cilat përmend Xhymshiti, nuk e bën vendimin jozyrtar apo pa autoritet.

Figura 1 Postimi i Vudi Xhymshitit


Platforma jonë ka hulumtuar në uebfaqet e Departamentit të Shtetit dhe të Shtëpisë së Bardhë dhe ka vërtuar se vendimi për pezullim të Dialogut të planifikuar Strategjik nuk gjendet në këto burime të informimit të institucioneve më të larta të ShBA-së (shih këtu dhe këtu).

Megjithëse Xhymshiti ka pretenduar se mesazhi ka ardhur nga një mision i udhëhequr nga një e ngarkuar me punë (shih këtu), Ambasada Amerikane në Prishtinë është mision që vepron në emër të Departamentit të Shtetit, gjë e cila bën fuqiplotë vendimin për pezullimin e dialogut të planifikuar strategjik ndërmjet Kosovës dhe ShBA-së (shih këtu).

Çka thotë Manuali i Politikës së Jashtme i DASh-it për detyrat dhe përgjegjësitë e Chargé d’Affaires?

Ky dokument saktëson se “Chief of Mission (COM)” (Shefi i Misionit), që mund të jetë Ambasadori ose Chargé d’Affaires, ka autoritetin për të drejtuar, mbikëqyrur dhe koordinuar të gjitha aktivitetet e degëve ekzekutive të ShBA-së në vendin ku shërben misioni (këtu).

Çka thotë faqja zyrtare e diplomacisë amerikane?

“Chargés d’Affaires udhëheq ambasadat në mungesë të një ambasadori dhe janë ushtrues detyre i misionit. Ata janë të autorizuar të kryejnë të gjitha funksionet diplomatike në emër të Shteteve të Bashkuara” (këtu).

Çka thotë Konventa e Vjenës mbi Marrëdhëniet Diplomatike, e miratuar edhe nga ShBA?

“Nëse posti i kreut të misionit është vakant, ose nëse kreu i misionit nuk është në gjendje të kryejë funksionet e tij/saj, një i/e ngarkuar me punë i/e përkohshëm/me do të veprojë përkohësisht si kreu i misionit” (këtu).

Çka thotë Encyclopedia Britannica për Chargé d’Affaires?

Artikulli shpjegon se një Chargé d’Affaires është përfaqësues diplomatik që kryen punët e ambasadorit në mungesë të tij, dhe se është një rang diplomatik i njohur ndërkombëtarisht sipas Konventës së Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike (këtu).

A përfaqësojnë vendimet e një Chargé d’Affaires qëndrimet e Qeverisë së ShBA-së?

Duke u bazuar në burimet e informimit zyrtar, të sipërpërmendura, konstatohet se vendimet dhe deklaratat e një Chargé d’Affaires janë të vlefshme dhe përfaqësojnë zyrtarisht ShBA-në në vendin ku shërbejnë.


Hibrid.info ka gjetur një artikull të publikuar të hënën (15 shtator) në mediumin online, “Gazeta Express”, ku raportohet se Departamenti i Shtetit ka konfirmuar vetë përmes një zëdhënësi se, vendimi për pezullimin e Dialogut të planifikuar Strategjik mes ShBA-së dhe Kosovës është vendim i Uashingtonit zyrtar, jo vetëm i ambasadës. Sipas deklaratës nga ky zëdhënës, komunikimi i këtij vendimi i është bërë drejtpërdrejt kryeministrit në detyrë, Albin Kurti përmes Të Ngarkuarës me Punës, Anu Prattipati (shih këtu).

Analiza:

Pretendimi se vendimi për pezullimin e Dialogut të planifikuar Strategjik nuk është zyrtar, pasi nuk është konfirmuar nga Departamenti i Shtetit dhe Shtëpia e Bardhë, është i paverifikuar.

Ambasada Amerikane në Prishtinë vepron në emër të Departamentit të Shtetit, dhe DASh e ka konfirmuar përmes një zëdhënësi se vendimi për pezullim është i Uashingtonit zyrtar.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson pretendimin si “Përmbajtje të paverifikuar”.

Arsyetimi:

Vlerësimi “I pa verifikuar” u bëhet atyre përmbajtjeve informative që nuk ofrojnë informata të mjaftueshme për të konfirmuar pretendimet e bëra në raport, dhe të cilat nuk kanë mundur të verifikohen për shkak të rrethanave të caktuara (shpejtësisë, mungesës së burimeve) gjatë publikimit të përmbajtjes.

Share With Others