Shkroi: Endrit Berisha
Një artikull i publikuar të dielën më 5 maj në një media online ka pretenduar se Zëvendës Ndihmës Sekretari i shtetit amerikan, Gabriel Escobar, është shkarkuar nga kjo pozitë.
ÇKA U RAPORTUA?
Media me përmbajtje në gjuhën angleze “frontliner.uk” ka raportuar se Escobari është “shkarkuar nga pozita e të dërguarit të ShBA-së në Ballkan” për shkak të, siç thuhet, “dyshimeve në integritetin e tij diplomatik”.
Megjithatë, disa orë më vonë, ky pretendim u rrëzua nga Departamenti Amerikan i Shtetit (DASh). Mediat “zeriamerikes.com” dhe “gazetaexpress.com” kanë kontaktuar me DASh-in dhe, përmes një përgjigjeje që i atribuohet një zëdhënësi, është mohuar pretendimi i “frontliner.uk”.
ÇKA THA DASh?
Në përgjigjen e DASh-it mohohet se bëhet fjalë për shkarkim, por për kalim në detyrë tjetër në shërbimin diplomatik amerikan, në kuadër të një rotacioni të planifikuar prej kohe.
Pretendimi i “frontliner.uk” në artikullin që gjendet në vegëzën e mëposhtme:
Media e trajtuar (frontliner.uk), duke u thirrur në burime brenda Kongresit Amerikan, ka pretenduar se kjo lëvizje e DASh-it vjen pas hulumtimit “që ka shpalosur konfliktin e mundshëm të interesit dhe ka nxitur dyshime në integritetin e tij (Escobarit) diplomatik”. (shih këtu)
Pjesë nga artikulli i “frontliner.uk” i publikuar në origjinal (gjuhë angleze):
Washington, D.C., USA — Gabriel Escobar, the U.S. Deputy Assistant Secretary, has been relieved of his duties as the envoy to the Western Balkans in a significant development. This action follows thorough investigative work by THE FRONTLINER magazine, which revealed possible conflicts of interest and cast doubts on his diplomatic integrity. The confirmation of Escobar’s dismissal came from a source within the U.S. Congress shortly after Vudi Xhymshiti, Chief Editor of THE FRONTLINER, appeared on a television show discussing the vital role of the press in democracy and the obstacles faced by journalists when challenging influential figures.
Paragrafi i mësipërm i përkthyer në gjuhën shqipe:
Washington, D.C., SHBA – Gabriel Escobar, zëvendës ndihmës Sekretari amerikan, është liruar nga detyrat e tij si i dërguar për Ballkanin Perëndimor, në një zhvillim të rëndësishëm. Lëvizja pason punën e thellë hetimore të kryer nga revista THE FRONTLINER, që ka zbuluar konflikte të mundshme të interesit dhe ka hedhur dyshime mbi integritetin e tij diplomatik. Konfirmimi për shkarkimin e Escobarit erdhi nga një burim brenda Kongresit të ShBA-së pak pasi Vudi Xhymshiti, kryeredaktor i THE FRONTLINER u paraqit në një televizion duke diskutuar për rolin kyç të shtypit në demokraci dhe pengesat me të cilat përballen gazetarët kur sfidojnë figura me ndikim.
Media ka raportuar se nuk ka marrë përgjigje nga autoritetet amerikane, pavarësisht “shumë përpjekjeve”. (shih këtu)
MOHIMI NGA DASh:
Në një përgjigje të publikuar nga mediat “zeriamerikes.com” dhe “gazetaexpress.com” e që i referohen “një zëdhënësi të Departamentit Amerikan të Shtetit” thuhet se “pretendimet e bëra nga Vudi Xhymshiti janë të rreme”.
Aty thuhet se Escobari nuk është shkarkuar, por se ai do të kalojë në rol të ri, duke e përshkruar ndërrimin e detyrës si praktikë të rregullt. (këtu)
“Zv/ndihmës Sekretari Gabriel Escobar nuk është shkarkuar nga detyra e tij. Të gjithë diplomatët e karrierës ndërrojnë detyrë çdo katër vjet si pjesë e një praktike të rregullt”, thuhet në përgjigjen që “zeriamerikes.com” ia ka atribuuar njoftimit të zëdhënësit të DASh-it.
Përgjigja e publikuar paraprakisht në “gazetaexpress.com”:
“Pretendimet e bëra nga Vudi Xhymshiti janë vërtet të rreme. Zëvendës Ndihmës Sekretari Gabriel Escobar nuk është shkarkuar nga posti i tij. Të gjithë oficerët e Shërbimit të Jashtëm në karrierë i ndërrojnë detyrat me rotacion çdo një deri në katër vjet si një praktikë e rregullt. Si oficer karriere i Shërbimit të Jashtëm, Zëvendës Ndihmës Sekretari Escobar ka shërbyer në rolin e tij aktual për tre vjet dhe pritet të kalojë në detyrën e tij të ardhshme në javët e ardhshme. Deri në tranzicionin e tij të planifikuar, ai mbetet në rolin e tij si Zëvendës Ndihmës Sekretari dhe i Dërguari Special në zyrën e Çështjeve Evropiane dhe Euroaziatike si dhe i Dërguari Special për Çështjet e Ballkanit Perëndimor”. (këtu)
SI NISËN PRETENDIMET E MEDIAS ONLINE “Frontliner.uk”? Në një seri shkrimesh në “Frontliner.uk” ishte pretenduar për lidhjet e Escobarit me Serbinë. Në një artikull, medi pati pretenduar se në mes të gruas së Escobarit dhe Ministrisë së Jashtme të Serbisë ka lidhje financiare. Po ashtu, “Frontliner.uk” pati pretenduar se një kompani ligjore me emrin “McGinnis Lochridge LLP”, kishte të nënshkruar një marrëveshje me Qeverinë e Republika Sërpskas në Bosnjë e Hercegovinë, “e cila përcakton pagesa mujore prej 80,000 dollarësh për firmën e avokatisë për këshillim dhe përfaqësim të Republika Sërpskas në çështje ligjore ndërkombëtare”. Sipas pretendimit të kësaj media, kjo kontratë vinte “në qendër të vëmendjes lidhjen familjare midis Manuel Escobar, një partner në firmën McGinnisLochridge, dhe Gabriel Escobarit”. (Shih këtu)
Megjithatë, në fund të prillit, “Sbunker”, organizatë joqeveritare mediatike pati kontaktuar DASh-it për këtë çështje, ku edhe ishin demantuar raportimet e “Frontliner.uk”.
Pjesë e artikullit të “Sbunkerit” në artikullin e 26 prillit:
“Këto pretendime të bëra nga Vudi Xhymshiti janë vërtet të rreme. Gruaja e Zëvendës Ndihmës Sekretarit Escobar nuk ka marrë asnjëherë fonde nga Ministria e Punëve të Jashtme të Serbisë. As DAS Escobar nuk ka ndonjë lidhje familjare me partnerin e supozuar në firmën ligjore të Teksasit McGinnisLochridge LLP. Është e papërgjegjshme të publikohen të tilla falsifikime”, patën thënë nga Departamenti Amerikan i Shtetit më 26 prill. (këtu)
Rotacionet e Departamentit Amerikan të Shtetit
Në përgjigjen e DASh-it lidhur me pretendimin e bërë nga “frontliner.uk”, ata japin sqarim për praktikat që ky institucion përcjellë në rotacionet e diplomatëve.
Kjo përgjigje plotësohet edhe kur shihen procedurat e kësaj praktike institucionale për raste të ngjashme si kjo e Escobarit. Hibrid.info ka bërë selektimin e disa shembujve të ngjashëm të bërë nga diplomacia amerikane. Gabriel Escobar ka marrë detyrën e Zëvendës Ndihmës Sekretarit të Byrosë për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike me rol në mbikëqyrje të politikave karshi shteteve të Ballkanit Perëndimor më 7 shtator 2021. (këtu)
Këtë post paraprakisht e ka mbajtur Matthew Palmer. Ai mbajti detyrën nga gushti i 2018-s deri në shtator 2021. Tash është zëvendëssambasador në Londër. (këtu)
Shembull tjetër është Erika Olson, ish-Zëvendës Ndihmës Sekretare e Byrosë për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike me fokus mbikëqyrjen e politikave për Evropën Jugore dhe Kaukazin. Ajo pati marrë detyrën në shtator të 2021-s, ndërsa u largua në qershor të 2023-s. Tash është zëvendësambasadore në Australi. (këtu)
Shefi i Escobarit, Ndihmës Sekretari James O’Brien, e ka marrë detyrën në Byronë për Çështjet Evropiane dhe Euroazi në tetor të 2023-s. E vetëm në kohën e presidentit Joe Biden, në këtë detyrë kanë qenë gjashtë zyrtarë. Bideni e gjeti në detyrë Philip Reekerin që u largua në korrik të 2021-s, ndërsa Maureen Cormack ishte Ndihmës Sekretare në detyrë nga gushti deri në fund të shtatorit të atij viti. Pastaj për dy vjet ishte Karen Donfried, që u pasua nga Dereck J. Hogani dhe Yuri Kim – të dy si Ndihmës Sekretarë në detyrë – deri më 5 tetor 2023, kur detyrën e mori O’Brien që ende është në këtë pozitë.
Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, zëvendës ndihmës sekretarët e karrierës zgjidhen nga Sekretarët që udhëheqin Departamentin. Diplomatët politikë zgjidhen nga Presidenti.
Analiza:
“Frontliner.uk” ka publikuar një artikull që pretendon për shkarkimin e Gabriel Escobarit nga detyra e Zëvendës Ndihmës Sekretarit amerikan. Artikulli i publikuar rezulton të ketë një pretendim të gabuar (shkarkimi i Escobarit) i cili mëton të argumentohet me një përmbajtje të paverifikuar (ndërlidhja e Escobarit me një kompani ligjore).
Pra, reagimi i DASh hedh poshtë edhe formën e vendimit për ambasadorin Escobar, duke sqaruar se nuk është shkarkim por procedurë e rregullt e rotacionit të angazhimit diplomatik; dhe për arsyen e kësaj lëvizjeje, pra nuk ndërlidhet me ndonjë rast të konfliktit të interesit, siç pretendohet në artikull.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson artikullin si “Përmbajtje e pa verifikuar”.
Arsyetimi:
Vlerësimi “I pa verifikuar” u bëhet atyre raporteve mediatike që nuk ofrojnë informata të mjaftueshme për të konfirmuar pretendimet e bëra në raport, dhe të cilat nuk kanë mundur konfirmojnë të njëjtat për shkak të mungesës ose mos-posedimit të burimeve të besueshme.