Është publikuar një imazh me mbishkrimin që pretendon se presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Donald Trump, ka deklaruar se: “Nuk kanë marrëdhënie të mira me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ndërsa partneriteti me popullin shqiptar nuk braktiset.”
Përmbajtja me këtë pretendim ëshë publikuar të enjten (1 tetor) në Facebook, nga llogaria me emrin “Ardit Dardania”.
Cila është e vërteta?
Trump nuk ka bërë deklaratën e pretenduar.

Deri në momentin e trajtimit, kjo përmbajtje ka marrë mbi 350 reagime dhe 80 shpërndarje.
Së pari, hibrid.info hulumtoi origjinën e imazhit të përdorur, përmes “Google Lens”. Përmbledhja përshkruese e AI Overvieë dhe rezultatet e shfaqura treguan se nuk ka asnjë të dhënë zyrtare ose të verifikuar nga organizatat kryesore të lajmeve ose deklarata zyrtare që tregojnë se Trump foli në atë mënyrë për Kurtin (shih këtu).
Më pas, u hulumtua në llogaritë personale të tij në Facebook dhe në TruthSocial (shih këtu dhe këtu), por postimet e ditëve të fundit, nuk u hasur asnjë postim që konfirmonte deklaratë e pretenduar të Trump.
As nga postimet në faqen e Shtëpisë së Bardhë nuk u konfirmuar ajo që pretendohej (shih këtu).
Kërkimi ka vazhduar në makinën e kërkimit “Google”, duke u hulumtuar për deklaratën e drejtpërdrejtë të pretenduar dhe për qëndrimet e përgjithshme të Trump për Kurtin (shih këtu dhe këtu).
Rezultatet nga kërkimi nuk kanë shfaqur asnjë artikull që konfirmon qëndrimin e pretenduar të Trump.
Hibrid.info ka gjetur qëndrime të ngjashme, të cilat janë shprehur më parë nga zyrtarë të tjerë amerikanë, si ish-emisari Gabriel Escobar, i cili theksonte se pavarësisht sfidave në marrëdhëniet dypalëshe, mbështetja për popullin mbetet e palëkundur (shih këtu).
Po ashtu, në njoftimin zyrtar të Ambasadës së ShBA-së në Prishtinë (më 12 shtator 2025), e cila njoftoi pezullimin e Dialogut Strategjik për shkak të veprimeve dhe deklaratave të Kryeministrit në detyrë Albin Kurti që rritën tensionet, theksonte njëkohësisht angazhimin e përhershëm ndaj interesave të përbashkëta me popullin e Kosovës (shih këtu).
Megjithatë, përveç rasteve kur Trump flet për Kosovën duke e paraqitur atë si një vend ku ai ka ndalur konfliktin me Serbinë, nuk është gjetur asnjë burim që konfirmon se ai është deklaruar publikisht gjatë mandatit të dytë për vendin tonë në kuadër të marrëdhënieve dypalëshe mes dy shteteve (shih këtu).
Analiza:
Pretendimi se presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka deklaruar se nuk ka marrëdhënie të mira me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ndërsa partneriteti me popullin shqiptar nuk braktiset, është i pabazë.
Gjatë kërkimit për origjinën e imazhit të publikuar në Facebook, përmes “Google Lens”, nuk u gjet ndonjë burim kredibil që e përmban këtë deklaratë apo që dëshmon se ajo është marrë nga ndonjë intervistë ose deklarim i mëhershëm i Trumpit.
Po ashtu, kërkimi në llogaritë zyrtare të Trumpit në Facebook dhe Truth Social, si dhe në llogaritë e Shtëpisë së Bardhë, nuk ka identifikuar ndonjë publikim që konfirmon deklaratën e pretenduar.
Kërkimi i drejtpërdrejtë i deklaratës, duke përdorur formulimin e pretenduar dhe fjalë kyçe që lidhen me Trumpin, Kurtin dhe Kosovën, nuk ka prodhuar rezultate nga media apo burime të tjera kredibile që e konfirmojnë këtë deklarim.
Andaj, bazuar në metodologjinë e punës, Hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Lajm i rremë”.
Arsyetimi
Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato përmbajtje informative që janë tërësish të sajuara apo të cilat në vete përmbajnë pretendime ose informacione faktikisht të gabuara. Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.