Të fundit | Paralajmërimi “Mos planifikoni udhëtime me aeroplan për në Evropë” është i… Të fundit | Perspektivat nordike për luftimin e dezinformimit dhe forcimin e reziliencë… Të fundit | Autoritetet e rreme publike të gjeneruara me AI si formë e re e çrregullimi… Të fundit | Pretendim i rremë për shembje ndërtese, përmbajtja tregon tjetër ngjarje Të fundit | Si (s’)erdhën Marco Rubio dhe Ivanka Trump në Shqipëri Të fundit | Mediat në serbisht e paraqesin viktimën kosovare në Austri si shtetas të Se… Të fundit | Pretendohet pa fakte se Policia e Kosovës rrahu fëmijë serbë në Jarinjë Të fundit | Raporti monitorues i keqinformimit për muajin mars 2026 Të fundit | Pretendohet pa fakte për rritje 40% të çmimit të ujit të ambalazhuar Të fundit | Rishikimi i javës: Pretendime për konfiskimin e pronave të Vjosa Osmanit dh…
[ ARTIKULLI ]

Pretendohet pa fakte se Policia e Kosovës rrahu fëmijë serbë në Jarinjë

FATBARDH DEMA

VERDIKTI YNË

TEORI KONSPIRATIVE

Artikulli nuk ofron fakte, foto apo reagime zyrtare. Pretendimi nuk u gjet as në burime kredibile.

Nëpërmjet një artikulli, portali në gjuhën serbe “vaseljenska.net” ka pretenduar se Policia e Kosovës ka rrahur fëmijë serbë, vetëm sepse janë të këtij komuniteti.

SKANDAL në JARINJE! Teksa N1 dhe Nova S transmetojnë gënjeshtrat e Kurtit që justifikojnë dhunën ndaj serbëve, policia shqiptare rrah fëmijët serbë vetëm pse janë serbë”, mban titullin artikulli i publikuar më 11 prill.

Çka thuhet në artikull?

Sipas pretendimit, Policia e Kosovës ka ndaluar në pikëkalimin kufitar me Serbinë, në Jarinjë, pesë të mitur dhe një të rritur, shtetas të Serbisë. Aty pretendohet se ngjarja ka ndodhur në natën mes të shtunës dhe të dielës, kur ata po ktheheshin nga një ndeshje futbolli në Serbi. Në shkrim thuhet se Policia i ka tërhequr me brutalitet nga makina dhe se sipas prindërve të tyre, ka pasur keqtrajtim për orë të tëra.

Pasi simbole të Crvena Zvezdës dhe me imazhin e Stefan Nedeljkoviqit, që vdiq tragjikisht në Banjska, u gjetën në automjet, e ashtuquajtura Polici e Kosovës e përdori këtë si arsyetim për terror të mëtejmë”, thuhet në artikull.

Më pas aty është citur një person si babai i një prej të miturve, që pa emër, ka thënë se “katër të rinj, tre prej të cilëve të mitur, janë keqtrajtuar fizikisht dhe janë rrahur nga policia”.

Pas këtij pretendimi, artikulli vazhdon me “sulme” ndaj Beogradit zyrtar nga “skena politike në Prishtinë”.

Dje Albin Kurti tha një seri të pavërtetash lidhur me disa baza ushtarake në territor të Serbisë. Këto pretendime që autoritetet shtetërore serbe i refuzojnë si plotësisht dezinformata dhe përpjekje për të kriminalizuar ushtrinë serbe, por edhe tërë popullin e Serbisë, u dhanë si lajme të fundit në media të caktuara, kryesisht N1 dhe Nova S”, thuhet në artikull që vazhdon se këto veprime të Prishtinës “po krijojnë atmosferë të rrezikshme”. Është thënë po ashtu se afishe të tifozëve në duart e të miturve po prezantohen si “materiale terroriste”.

E vërteta?

Portali në fjalë nuk ka ofruar asnjë fakt tjetër përpos pretendimeve të lartcekura. Aty nuk është dhënë as njoftimi i autoriteteve të Kosovës e as nuk ka fotografi apo video që do të dëshmonin pretendimin.

Çka dihet?

Pa specifikuar detaje, në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës më 11 prill, ishte bërë e ditur se në Jarinjë më 10 prill ishte ndaluar një automjet e se gjatë kontrollit janë gjetur sprej dhe rreth 900 pamflete me përmbajtje nacionaliste. Aty ishte thënë se lënda është proceduar në procedurë të rregullt.

Më 10 prill, agjencia e lajmeve “kosovapress.com” ka raportuar me burime brenda institucioneve të sigurisë se “gjashtë të rinj serbë transportonin materiale me përmbajtje nacionaliste dhe nxitëse”.

Sipas të të njëjtave burime, materialet kishin përmbajtje nxitëse të urrejtjes dhe glorifikim të figurave të lidhura me sulmin në Banjskë. Nga ajo që shihet në afishet, fotografi të të cilave ka siguruar KosovaPress, vërehen simbolet e grupit ultra-nacionalist “Delije Sever” nga Zveçani, të gërshetuara me portretin e Stefan Nedeljkoviqit, i përmendur si një nga personat e vrarë gjatë sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit”, u tha në artikull (shih këtu).

Për ndalimin mbi pretendime të njëjta kanë shkruar edhe mediume të tjera, si “rtklive.com” e “telegrafi.com”.


Po që se kërkohet me të njëjtin titull në “Google” nuk shfaqen pretendime të njëjta të publikuara nga media apo burime më kredibile (shih këtu).

Përmbajtja e njëjtë u has e postuar edhe nga rrjeti propagandistik rus “albania.news-pravda.com” në gjuhën shqipe, që si burim e ka cituar një kanal në Telegram në serbisht “БАЛКАНАРЬ“.


Po ashtu, nuk ka pasur njoftim nga Inspektorati Policor i Kosovë se po heton zyrtarë për rastin (shih këtu).


Në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator 2023 ishte kryer një sulm i armatosur nga një grup serb ndaj Policisë së Kosovës. Autoritetet e Kosovës e cilësojnë si sulm terrorist. Aty paraprakisht ishte vrarë rreshteri Afrim Bunjaku, ndërsa gjatë përleshjes kishin vdekur edhe disa sulmues të grupit serb. Më 11 shtator 2024, Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi se ndaj 45 personave është ngritur aktakuzë për këtë sulm (shih këtu).


Analiza:

Një portal serb pretendoi pa prova se Policia e Kosovës ka rrahur fëmijë serbë në Jarinjë.

Artikulli nuk ofron fakte, fotografi apo reagime zyrtare.

Ndërkaq, “Kosovapress.com” ka raportuar se disa të rinjve në Jarinjë u ishin gjetur materiale me përmbajtje të nxitjes së urrejtjes.

Ndërkaq, sipas Policisë, janë ndaluar persona me materiale nacionaliste.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë pretendim si “Teori Konspirative”.

Arsyetimi:

Vlerësim si “Teori konspirative” marrin ato përmbajtje informative të cilat në vete përmbajnë një përshkrim të rremë ose të paverifikueshëm të një dukurie, ngjarje ose një personi, duke e paraqitur atë si pjesë ose rezultat të një plani të fshehtë (“komplot”). Karakteristikë e këtyre përmbajtje është se ato paraqesin një seri pretendimesh, të paraqitura si fakte, midis të cilave vendosen marrëdhënie shkak-pasojë, pa ofruar ndonjë provë të besueshme.

Raporto

Na ndihmoni të përmirësojmë duke na raportuar problemet ose sugjerimet tuaja

0 / minimum 10 karaktere