Shkroi: Etrit Rexhepi
Të martën (28 tetor) Janë publikuar artikuj të titulluar “EKSKLUZIVE: VV siguron votat, pritet formimi i Qeverisë së re” dhe “Ekskluzive: Vetëvendosje nis mbledhjen e nënshkrimeve, “Kurti 3” do të ketë edhe një shans”.
Përmbajtja me titullin e parë është publikuar nga mediumi “mitropol.net”, ndërsa teksti me titullin tjetër është publikuar nga “indeksonline.net”.
Në të dy këta tituj pretendohet se Lëvizja Vetëvendosje ka siguruar votat dhe ka nisur mbledhjen e nënshkrimeve për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme të Kuvendit, në të cilën pritet të shqyrtohet formimi i qeverisë së re.
Çka nuk shkon me pretendimin?
Në titujt e të dy artikujve, pretendimi është paraqitur si një fakt.
Përmbajtja me titullin “Ekskluzive: Vetëvendosje nis mbledhjen e nënshkrimeve, “Kurti 3” do të ketë edhe një shans”, është gjetur e publikuar edhe nga mediat si: “gazetademos.com”, “gazetapapirus.com”, “tandempress.net” dhe “gazetaenigma.net”.
Në përmbajtjet e këtyre artikujve, informacioni i paraqitur është bazuar në burime anonime, dhe kjo deri më tani nuk është konfirmuar në asnjë rast zyrtarisht.
Ndërkaq, njoftimi më i fundit i Kuvendit të Kosovës i publikuar nga mediat është ai ku thuhet se Kryesia e Kuvendit do të mblidhet të enjten nga ora 14:00, me rend dite konsultimin për funksionalizimin e trupave punuese të Kuvendit dhe diskutimin rreth miratimit të buxheteve komunale për vitin 2025 për komunat Prishtinë, Gjilan dhe Zubin Potok (shih këtu). Si pikë e tretë e rendit të ditës është edhe “Të ndryshme”.
Çka do të thotë se mungon konfirmimi zyrtar për ndonjë seancë të jashtëzakonshme apo përpjekje për formimin e qeverisë së re gjatë kësaj jave.
Hibrid.info nuk ka gjetur deklarata publike nga Lëvizja Vetëvendosje pas publikimit të këtyre raportimeve. Kryeministri në detyrë Albin Kurti, në një konferencë për media të hënën (27 tetor), pasi nuk arriti të fitojë mbështetjen e nevojshme në Kuvend për mandatin e tretë një ditë para, paralajmëroi zgjedhje parlamentare edhe në dhjetor, edhe në pranverë (shih këtu). Megjithatë, në kërkimet që ka bërë hibrid.info, nuk është gjetur asnjë deklaratë e ndonjë zyrtari të LVV-së që e mbështet informacionin se “po mblidhen” apo “janë mbledhur” nënshkrimet për seancën e re të Kuvendit për formimin e qeverisë.
Po ashtu, në burimet zyrtare të informacionit të Presidencës së Kosovës nuk është gjetur asnjë njoftim që do të konfirmonte se presidentja Vjosa Osmani ka mandatuar ndonjë kandidat të ri për formimin e qeverisë, pas dështimit të mandatuarit të parë për ta bërë këtë (shih këtu). Ashtu siç e parasheh edhe kushtetuta, një veprim i tillë i mundshëm nga Osmani, do t’i hapte rrugë një seance tjetër në Kuvend për votim të qeverisë (shih këtu).
Analiza
Portalet informative “Indeksonline.net” dhe “Mitropol.net”, kanë publikuar gjatë ditës së djeshme (27 tetor) artikuj me tituj konfirmues.
Mirëpo, pas verifikimit të fakteve nga hibrid.info, u konstatua se titujt nuk janë të mbështetur në fakte, por në burime, çka nuk potencohet në titujt e tyre, e që përmendet vetëm në brendësi të artikujve respektivë.
Prandaj, bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info këto përmbajtje i vlerëson si “Përmbajtje e paverifikuar”.
Arsyetimi
Vlerësimi “I pa verifikuar” u bëhet atyre përmbajtjeve informative që nuk ofrojnë informata të mjaftueshme për të konfirmuar pretendimet e bëra në raport, dhe të cilat nuk kanë mundur të verifikohen për shkak të rrethanave të caktuara (shpejtësisë, mungesës së burimeve) gjatë publikimit të përmbajtjes.





