Publikohet një përmbajtje me mbishkrimin “1 mijë euro për çdo të porsalindur”.
Ajo është publikuar të mërkurën (14 tetor) në Facebook, nga faqja me emrin “Gazeta Minuti” (shih këtu).
Çka nuk shkon me përmbajtjen?
Në mbishkrim nuk është saktësuar vendi në të cilin është marrë vendimi i paraqitur.

Përmbajtja me të njëjtin mbishkrim është publikuar në faqet me emrat “Trendi.info”, “Kosovë e Diasporë” dhe “Kosova Fokus”.
Faqet publikuese kanë një numër të konsiderueshëm ndjekësish, kryesisht nga audienca shqipfolëse, publikojnë përmbajtje në gjuhën shqipe dhe trajtojnë ngjarje që lidhen me hapësirat shqiptare (shih këtu, këtu, këtu dhe këtu).
Publikimeve iu është bashkangjitur vegëza e artikullit, ku paraqitet artikulli i zgjeruar (shih këtu dhe këtu).
Artikujt kanë të njëjtin titull si mbishkrimet e publikimeve në Facebook. Megjithatë, në hyrje të lajmit sqarohet vendndodhja e vendimit të paraqitur, kur thuhet se: “Bashkia e Kallitheas në Athinë po ecën përpara me një masë të re mbështetëse për familjet, e cila parashikon dhënien e një granti prej 1 mijë eurosh për fëmijët e porsalindur, për prindërit që plotësojnë kriteret e përcaktuara.”
Hibrid.info ka hulumtuar dhe ka vërtetuar se informacioni i paraqitur në brendësi të këtyre artikujve është i saktë (shih këtu dhe këtu).
Duke marrë parasysh se publikimet u drejtohen kryesisht audiencës shqipfolëse, mbishkrimi “1 mijë euro për çdo të porsalindur”, pa specifikuar vendndodhjen, mund të krijojë përshtypjen se bëhet fjalë për një masë që vlen për qytetarët në Kosovë. Kjo për shkak se titulli lë jashtë informacionin kryesor që do t’i mundësonte lexuesit të kuptonte se vendimi lidhet me Bashkinë e Kallitheas në Athinë, Greqi.
Siç është trajtuar edhe në analizën e mëparshme të hibrid.info, “Kur temat sociale bëhen karrem për klikime”, titujt që lënë jashtë kontekstin gjeografik të vendimeve për përfitime financiare mund të krijojnë përshtypje të gabuara te lexuesit, veçanërisht kur bëhet fjalë për tema që lidhen drejtpërdrejt me interesat e familjeve.
Analiza
Mbishkrimi “1 mijë euro për çdo të porsalindur” nuk e specifikon vendndodhjen ku zbatohet masa, duke lënë të paqartë se për cilët qytetarë vlen përfitimi.
Ndonëse informacioni në artikuj është i saktë, bëhet fjalë për një masë të Bashkisë së Kallitheas në Athinë, Greqi.
Duke marrë parasysh audiencën kryesisht shqipfolëse të faqeve publikuese, mungesa e këtij konteksti mund të krijojë përshtypjen se përfitimi vlen edhe për qytetarët në Kosovë.
Andaj, bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Clickbait”.
Arsyetimi
“Clickbait” vlerësohen ato përmbajtje informative titulli i të cilave është përgjithësues dhe nuk bënë të ditur vendndodhjen e ngjarjes, kontekstin dhe relevancën. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e audiencës me tituj sensacionalë me pasojë çorientuese, që nuk e qartësojnë saktësisht përmbajtjen e artikullit. Titujt “clickbait” bëhen kryesisht për të tërhequr lexueshmëri në rastin e publikimeve mediatike dhe/ose për të fituar nga klikimet në rastet e publikimeve komerciale.