Në intervistën e realizuar në emisionin Prapa Ekraneve, u diskutua rreth temave që mbizotëruan ekosistemin keqinformues gjatë vitit 2023, me të ftuar Xhemajl Rexha, kryetar i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK).
Rexha u shpreh se temat kryesore të zhvillimeve gjatë vitit 2023 ishin veriu dhe vrasja e Liridona Ademaj Murselit, të cilat e kanë marrë fokusin e mediave nacionale.
“Besoj që janë dy tema kryesore. E para është veriu i Kosovës dhe gjithçka që ka ndodhur rreth zhvillimeve atje, e që ka filluar qysh në nëntor të vitit 2022 me largimin e serbëve nga institucionet, e pastaj vendosjen e barrikadave në veri të Kosovës dhe gjithçka që ka ndodhur gjatë vitit 2023, që nga mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme në katër komunat në prill, e pastaj në maj e qershor, sulmet ndaj forcave të KFOR-it e duke kulmuar me sulmin e 24 shtatorit në Banjskë”, u shpreh Rexha.
Sipas tij, temë e dytë janë vrasjet ndaj grave, në rastin më të madh në muajt e fundit me vrasjen e Liridona Ademaj Murselit, por në përgjithësi thotë se ka dominuar kronika e zezë gjatë vitit paraprak.
Tutje, Rexha ka theksuar se këto tema janë më të diskutueshme duke marr parasysh preokupimin dhe interesin e qytetarëve kur bëhet fjalë për sigurinë. Sipas tij kjo ka bërë që të ketë më pak trajtime të temave tjera si nga socialja e shëndetësia.
“Besoj që edhe mediat e kanë parë që interesimi i publikut është për tema të tilla të sigurisë, sepse e ka prekur në një formë jetën e tyre të përditshme. Pasiguria për atë se çfarë do të ndodhë, kur në fakt ne kemi pasur deklarata të politikanëve që mund të ketë luftë dhe i kemi akoma, edhe të presidentes edhe të kryeministrit, pra që Serbia po përgatit sulm të ri ndaj Kosovës”, shtoi ai.
Rexha shprehet i bindur se viti 2024 do të jetë akoma më i rëndë se viti 2023 sa i përket prodhimit të dezinformatave.
“Kryesorja do të vazhdojë të mbetet veriu i Kosovës dhe zhvillimet që priten atje. Mund të ketë shumë shpejt zgjedhje të reja për katër komunat, ku serbët pritet të marrin pjesë dhe aty do të ketë shumë informacione, shumë prej tyre, nga të dyja palët, jo të konfirmuara e që mund të hyjnë në kategorinë e dezinformatave”, tha kryetari i AGK-së.
Ai shtoi se në pjesën e dytë të vitit do të mund të nis fushata zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të Kosovës, e kështu sipas tij do krijohet edhe terren i përshtatshëm për përhapjen e dezinformatave dhe lajmeve të rreme.