info@hibrid.info
Rishikimi i javës: Pretendime të rreme, manipulim të fakteve e dezinformata për zgjedhjet lokale
shape
shape
shape

Përgatiti: Festim Rizanaj

Gjatë periudhës 3–9 nëntor 2025, mediat dhe rrjetet sociale në Kosovë u dominuan nga një prani e madhe e keqinformimeve, me lajmet e rreme që morën vëmendjen kryesore.

Disa faqe në Facebook publikuan përmbajtje të rreme dhe manipuluese, kryesisht të lidhura me zgjedhjet lokale dhe garën për kryetarë komunash. Faqja “Kosova e Re” publikoi një fotografi të Lumir Abdixhikut dhe Përparim Ramës, të shoqëruar me pretendimin e rremë se LDK pritej të fitonte bindshëm në Prishtinë me mbi 60% të votave. Një tjetër faqe, “Specbuk”, publikoi një deklaratë të fabrikuar që i atribuohej deputetit Arben Gashi, e cila nuk është konfirmuar në asnjë burim zyrtar. Po ashtu, faqja “Universal” shpërndau një pretendim të rremë se në veri të Mitrovicës janë rikthyer flamujt serbë pas fitores së Listës Serbe, duke përdorur një fotografi të vjetër. Përveç këtyre rasteve, kanë qarkulluar edhe disa postime me rezultate të supozuara të sondazheve për Prishtinën dhe Prizrenin, pa ndonjë burim të verifikuar apo metodologji të qartë, duke rritur kështu nivelin e keqinformimit gjatë periudhës parazgjedhore.

Gjatë javës janë identifikuar edhe raste të manipulimit të fakteve në media dhe rrjete sociale, ku përmbajtjet ekzistuese janë paraqitur jashtë kontekstit për të krijuar përshtypje të rreme. Një shembull është titulli “Mbi 50% e stafit shëndetësor nga Kosova punon në Gjermani”, i cili u shpërnda gjerësisht online duke keqinterpretuar një raport të një think-tanku me bazë në Bruksel. Në realitet, përqindja 50.3% i referohej krahasimit të fuqisë punëtore shëndetësore të Kosovës me atë të vitit 2023, e jo numrit aktual të mjekëve e infermierëve që punojnë jashtë vendit. Një tjetër rast përfshinte një video të vjetër të analistit Shkëlzen Gashi, e cila u ripublikua në TikTok në prag të raundit të dytë të zgjedhjeve lokale të vitit 2025, duke u paraqitur si deklaratë e re në mbështetje të kandidaturës së Përparim Ramës. Mungesa e datës dhe kontekstit në këtë publikim krijoi keqkuptim tek audienca, duke ndikuar potencialisht në perceptimin publik gjatë fushatës.

Gjatë javës u shënuan disa raste të titujve mashtrues në portale lokale. “Podujevasot.info” dhe “Llapi.info” publikuan lajmin “Digjet shtëpia e të moshuarve, vdesin 9 persona”, pa përmendur se ngjarja kishte ndodhur në Tuzlla të Bosnjës, duke krijuar konfuzion te lexuesit. Ndërkohë, “Podujevasot.net” publikoi artikullin “LAJMI I FUNDIT: Konfirmohet, Konjufca e bën Qeverinë”, me një titull që sugjeronte rrejshëm formimin e qeverisë, pa asnjë fakt që ta mbështeste këtë pretendim.

Po ashtu u identifikuan disa raste të qarta dezinformimi në rrjete sociale dhe portale lokale. Një postim nga faqja “Zëri i Mitrovicës”, i shpërndarë më pas nga “Gazeta Ora” dhe “Specbuk”, pretendonte se në “Lagjen e Katarit” po ndodhte blerje votash në favor të kandidatit të PDK-së, Arian Tahiri, përmes shpërndarjes së pakove ushqimore – pa asnjë dëshmi apo raportim nga media kredibile. Një tjetër rast ishte artikulli i publikuar nga “press7.tv” me titullin “Përmbysje historike në Kaçanik – Jeton Raka nga Vetëvendosje drejt fitores sipas exit poll-eve”, i cili u publikua para mbylljes së votimeve, në kundërshtim me rregullat ligjore dhe standardet e raportimit zgjedhor.

Në rrjetin TikTok është shfaqur një llogari mashtruese që pretendon se shet “pako surprizë” me produkte të padorëzuara të Postës së Kosovës. Verifikimet treguan se imazhet e përdorura janë të krijuara me inteligjencë artificiale dhe nuk lidhen me këtë institucion. Posta e Kosovës reagoi zyrtarisht, duke sqaruar se nuk shet dërgesa të padorëzuara dhe paralajmëroi qytetarët të kenë kujdes ndaj faqeve të rreme dhe mashtrimeve online.

Disa media në gjuhën serbe kanë shpërndarë teori konspirative duke pretenduar se kryetari i ri i New Yorkut, Zohran Mamdani, është mbështetës i “Shqipërisë së Madhe”. Pretendimi bazohet vetëm në një fotografi ku ai shihet duke bërë simbolin e shqiponjës me duar gjatë një takimi me komunitetin shqiptar në Staten Island. Mediat në serbisht e kanë interpretuar këtë gjest si shenjë nacionaliste, pa ofruar asnjë provë apo deklaratë të Mamdanit që ta mbështesë këtë version. Autori i fotografisë ka sqaruar se momenti nuk kishte asnjë lidhje me ndonjë kontekst politik apo ideologjik.

Lajm i rremë

Publikohet një fotografi ku shihen pranë njëri tjetrit Lumir Abdixhiku, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Përparim Rama, kryetar i Prishtinës dhe kandidat edhe për një mandat, me mbishkrimin “Sipas matjeve të fundit LDK e Përparim Rama Pritet të fitoj bindëshem në Prishtinë me mbi 60% te votave!” Kjo përmbajtje është publikuar të shtunën (1 nëntor) nga faqja me emrin “Kosova e Re”. Hibrid.info ka gjetur se pretendimi për rezultatet e paraqitura nuk konfirmohet. (këtu)

Publikohet një fotografi me mbishkrimin “po ta kisha lapsin e popllit  në dorë më parë  dota votoja Listen Serbe sesa VV-në”, i paraqitur si deklaratë e Arben Gashit, deputet nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK). Kjo përmbajtje është publikuar të hënën (3 nëntor) në faqen në Facebook me emrin “Specbuk”. Nuk ka asnjë fakt që Gashi ka bërë një deklaratë të tillë, qoftë me anë të llogarive të tij në mediat sociale apo në prononcimet në media. (këtu)

Përmes një postimi të publikuar në Facebook nga faqja “Universal”, është pretenduar se pas fitores së Listës Serbe në zgjedhjet lokale të 12 tetor, në pjesën veriore të Mitrovicës janë rikthyer flamujt dhe simbolet shtetërore të Serbisë. Në këtë postim shfaqet edhe një fotografi që paraqet një pjesë të Mitrovicës së Veriut, ku shihen flamujt serbë. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, nuk është gjetur asnjë raportim në media kredibile, që do ta faktonte këtë pretendim. Gjithashtu, fotografia e paraqitur në postim është e vjetër. (këtu)

Janë gjetur të publikuara tre postime që pretendojnë të paraqesin rezultate sondazhesh për komunat e Prishtinës dhe Prizrenit, ku shfaqet mbështetja për kandidatët për kryetar në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale. Dy përmbajtje kanë në fokus rezultatet e mundshme për Prishtinën, ndërsa njëri postim ka paraqitur rezultatet për Prizrenin. Postimet përmbajnë paraqitje grafike dhe rezultate të shkruara, por nuk ofrojnë asnjë informacion mbi komponentët thelbësorë për garantimin e besueshmërisë së sondazheve. (këtu)

Manipulim i fakteve

Titulli “Mbi 50 % e stafit shëndetësor nga Kosova punon në Gjermani” që i referohet një punimi studimor të një think-tanku me bazë në Bruksel, nuk është i saktë. Informacioni jep përshtypjen se më shumë se gjysma e të gjithë punonjësve shëndetësorë kosovarë punojnë në Gjermani, ndërkohë që të dhënat reale tregojnë se përqindja e dhënë 50.3% krahasohet me fuqinë totale punëtore shëndetësore që Kosova e kishte në vitin 2023. (këtu)

Një deklaratë e analistit Shkëlzen Gashi në mbështetje të Përparim Ramës në kandidaturën për kryetar të Prishtinës në vitin 2021 është publikuar në TikTok në prag të raundit të dytë zgjedhor në zgjedhjet lokale të vitit 2025. Për shkak të publikimit në prag të zgjedhjeve dhe mospërmendjes së datës ose të periudhës së kohës kur është dhënë deklarata, videoja mund të interpretohet si e bërë tash. (këtu)

Pretendimi se Glauk Konjufca ka thënë “do të kërkojmë ndonjë marrëveshje koalicioni me partitë politike” nuk është i saktë. Përmbajtja e trajtuar ka shkëputur deklaratën e Konjufcës dhe nuk e ka paraqitur pjesën ku ai thotë se nuk do të kërkojë marrëveshje koalicioni me partitë e tjera. Në videon e plotë konfirmohet se ai ka shprehur qartë se ky proces nuk do të përfshijë kërkimin e marrëveshjeve të koalicionit. (këtu)

Clickbait

Portalet “Podujevasot.info” dhe “Llapi.info” kanë publikuar një artikull me titull “Digjet shtëpia e të moshuarve, vdesin 9 persona”, por pa specifikuar lokacionin ku ka ndodhur ngjarja. Ky titull është i përgjithësuar dhe i paqartë, duke krijuar përshtypjen për lexuesit se tragjedia mund të ketë ndodhur në Kosovë, veçanërisht pasi portalet kanë audiencë lokale dhe emërton rajonin e Llapit. Vetëm pas klikimit në artikull zbulohet se ngjarja ka ndodhur në Tuzlla, Bosnjë. (këtu)

Clickbait/Dezinformatë

Është publikuar një artikull i titulluar “LAJMI I FUNDIT: Konfirmohet, Konjufca e bën Qeverinë”. Ky artikull është publikuar të enjten (6 nëntor) nga mediumi “Podujevasot.net”. Titulli është i formuluar në mënyrë që krijon përshtypjen se Glauk Konjufca tashmë i ka siguruar votat për formimin e qeverisë kur të dalë para Kuvendit, edhe pse vetë përmbajtja e artikullit nuk e thotë një gjë të tillë dhe nuk ofron fakte se i mandatuari për kryeministër i ka të konfirmuara votat e mjaftueshme në Kuvend. (këtu)

Mashtrim

Në TikTok është shfaqur një llogari mashtruese që pretendon se po shet “pako surprizë” me produkte të padorëzuara të Postës së Kosovës. Verifikimet tregojnë se imazhet janë të gjeneruara me inteligjencë artificiale dhe nuk janë të Postës së Kosovës. Posta e Kosovës ka reaguar, duke njoftuar se nuk shet dërgesa të padorëzuara dhe ka bërë thirrje për kujdes ndaj faqeve të rreme. (këtu)

Teori konspirative

Disa media në gjuhën serbe kanë publikuar pretendimin se kryetari i ri i New Yorkut, Zohran Mamdani, është lobist ose mbështetës i idesë së “Shqipërisë së Madhe”, duke u mbështetur vetëm në një fotografi në të cilën ai shihet duke bërë simbolin e shqiponjës me duar gjatë një takimi me komunitetin shqiptar në Staten Island gjatë fushatës. Këto media e kanë interpretuar shqiponjën si simbol të projektit për “Shqipërinë e Madhe”, pa ofruar asnjë provë apo deklaratë të Mamdanit që ta mbështesin këtë pretendim. Momenti i shkrepjes së fotografisë, sipas autorit që e ka shkrepur, nuk ka pasur lidhje aspak me ndonjë pretendim të ngjashëm si ai i mediave serbe. (këtu)

Dezinformatë

Pretendohet se në “Lagjen e Katarit” në Mitrovicë po ndodh blerje votash në favor të kandidatit për kryetar të Mitrovicës nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Arian Tahirit. Në këtë postim pretendohet se kjo po bëhet përmes shpërndarjes së pakove ushqimore dhe mbledhjes së numrave të letërnjoftimeve. Gjithashtu, thuhet se policia është parë në vendngjarje, por ende pa masa konkrete. Ky pretendim fillimisht u postua nga faqja në Facebook “Zëri i Mitrovicës”, e pastaj e njëjta u publikua nga faqet “Gazeta Ora” dhe “Specbuk”. Pas verifikimit të kryer online, nuk është gjetur asnjë publikim në media kredibile që mbështet pretendimin për blerje votash në Mitrovicë. Edhe faqet që e kanë shpërndarë këtë përmbajtje nuk ofrojnë asnjë dëshmi për ta vërtetuar atë. (këtu)

Është publikuar një artikull i titulluar “Përmbysje historike në Kaçanik – Jeton Raka nga Vetëvendosje drejt fitores sipas exit poll-eve”. Artikulli është publikuar të dielën (9 nëntor) para mbylljes së vendovotimeve nga një medium online me emrin “pres7.tv”. Ligji dhe praktikat standarde e ndalojnë publikimin e rezultateve të sondazheve të daljes nga vendvotimet para se të mbyllen kutitë e votimit. (këtu)

Share With Others