Për periudhën 10–15 gusht, në monitorimin e keqinformimit kanë dominuar përmbajtjet e paverifikuara dhe manipulimi i fakteve.
Përmbajtjet e paverifikuara janë shpërndarë kryesisht në Facebook dhe faqe të dyshimta në internet, me tema që lidhen me ngjarje lokale dhe zhvillime politike në Kosovë. Më 10–11 gusht, disa faqe në rrjete sociale publikuan një video të një aksidenti në Ankara të Turqisë, duke e paraqitur rrejshëm si aksident të ndodhur në Skenderaj. Ndërkaq, faqja në Facebook “Gazeta Minuti” dhe ueb-faqja blog.foodsfact.org publikuan pretendimin e pakonfirmuar se Albin Kurti po shqyrton dy emra jopartiakë për postin e presidentit të Kosovës. Verifikimi nuk gjeti konfirmim nga burime kredibile, ndërsa ueb-faqja që publikoi pretendimin nuk ofronte të dhëna të qarta për autorësinë dhe burimin e informacionit.
Në kategorinë “Manipulim i fakteve”, përmbajtjet e monitoruara janë publikuar kryesisht në Facebook dhe në portale online, duke u fokusuar në tema politike dhe të sigurisë. Më 11 gusht, llogaria në Facebook “Dekada e Re” publikoi një video me një deklaratë të Albin Kurtit për krimet e kryera gjatë luftës dhe Gjykatën Speciale, duke e paraqitur përmes shkëputjes nga konteksti sikur Kurti kishte deklaruar se krimet më monstruoze i kanë kryer shqiptarët. Në një rast tjetër, disa media online publikuan pretendimin se Shqipëria është e para në botë për sigurinë kibernetike, duke keqinterpretuar renditjen e saj në Indeksin Kombëtar të Sigurisë Kibernetike (NCSI). Renditja mat kryesisht gatishmërinë dhe kapacitetet shtetërore për parandalimin dhe menaxhimin e kërcënimeve kibernetike dhe nuk përbën një matje të drejtpërdrejtë të nivelit të përgjithshëm të sigurisë kibernetike të një shteti.
Në kategorinë “Clickbait” dhe “clickbait/dezinformatë”, përmbajtjet janë publikuar kryesisht në Facebook dhe portale online në serbisht, me tema sociale dhe politike. Faqet në Facebook “Post Lajmee” dhe “Trendi.info” publikuan titullin se pensionet janë rritur për një kategori me 134 euro, pa specifikuar se bëhej fjalë për pensionistë në Kroaci, ndërsa detajet bëheshin të qarta vetëm pas klikimit në vegëz. Ndërkaq, portali në gjuhën serbe “Vaseljenska.net” publikoi një artikull që pretendonte se portali suedez “Samnytt” kishte raportuar për arrestimin e fëmijëve në Kosovë për “tre gishta”. Verifikimi tregoi se bëhej fjalë për një tekst opinioni/debati, të shkruar nga autorja Tijana Ivkoviq, dhe jo për raportim të redaksisë së Samnytt, ndërsa titulli i “Vaseljenska.net” e paraqiste atë si lajm të drejtpërdrejtë.
Në kategorinë “Lajm i rremë”, përmbajtjet janë publikuar kryesisht në Facebook, me pretendime të rreme që lidhen me zhvillimet politike në Kosovë dhe marrëdhëniet ndërkombëtare. Në grupin “I L I R E T dhe Gadishulli Ilirik”, llogaria “Samir Dshswe Kuçi” publikoi një citim të rremë, të atribuar presidentit të Kroacisë, Zoran Milanoviq, sipas të cilit ai kishte deklaruar se Qeveria e Kosovës dhe Albin Kurti po përballeshin me kundërshtarë të paguar nga Vuçiqi. Verifikimi në burime kredibile dhe në faqen zyrtare të Presidencës së Kroacisë nuk gjeti dëshmi për një deklaratë të tillë. Ndërkaq, në kategorinë “Deklaratë gjysmë e vërtetë”, lideri i Reform UK, Nigel Farage, pretendoi se Kosova po përdoret nga Suedia për transferimin e shtetasve të huaj të dënuar. Edhe pse Kosova dhe Suedia kanë nënshkruar marrëveshje për transferimin e personave të dënuar, nuk ka dëshmi se Suedia po transferon aktualisht të burgosur në Kosovë apo se ka marrëveshje për marrjen me qira të burgjeve kosovare; një marrëveshje e tillë ekziston me Danimarkën, e cila parasheh 300 vende të burgimit në Kosovë.
Clickbait
“Lajmi i Fundit: Rriten pensionet per kete kategori per 134 euro me shume” mban përshkrimin një postim i publikuar në Facebook nga faqet “Post Lajmee” dhe “Trendi.info”. Pas klikimit në vegëzat e përfshira në këto postime, përkatësisht “trend.ballkantoday.com” dhe “post.infofirst.net”, bëhet e qartë se lajmi i referohet pensionistëve në Kroaci. Në artikujt e publikuar në këto ueb-faqe, detajet e lajmit sqarohen vetëm pasi përdoruesi të klikojë në vegëz. Në përmbajtjen e artikujve bëhet e ditur se bëhet fjalë për rritjen e pensioneve për veteranët e luftës në Kroaci, të cilët pas përfundimit të luftës janë rikthyer në tregun e punës. (këtu)
Clickbait/Dezinformatë
Portali në gjuhën serbe “Vaseljenska.net” ka publikuar më 10 gusht një artikull me titull “PORTALI SUEDEZ SAMNYTT: Në Kosovë arrestojnë fëmijët për tre gishta!”. Pas verifikimit të fakteve, Hibrid.info ka gjetur se përmbajtja e publikuar në portalin suedez “Samnytt.se” nuk është raportim i redaksisë së këtij portali, por një tekst i kategorisë opinion/debat, i shkruar nga autorja Tijana Ivkoviq. Megjithatë, “Vaseljenska.net” nuk e sqaron në titull se bëhet fjalë për një tekst opinioni, duke krijuar përshtypjen se bëhet fjalë për një raportim të drejtpërdrejtë të portalit suedez. (këtu)
Lajm i rremë
Është publikuar një përmbajtje në Facebook me pretendimin se presidenti i Kroacisë, Zoran Millanoviq ka deklaruar “Qeveria e Kosovës dhe Albin Kurti po përballet me kundërshtarët që paguhen nga Vuçiqi”. Kjo përmbajtje u publikua në grupin “I L I R E T dhe Gadishulli Ilirik” nga llogaria “Samir Dshswe Kuçi”. ërkimet në burime kredibile dhe në ueb-faqen zyrtare të Presidencës së Kroacisë nuk gjetën asnjë dëshmi se Millanoviq e ka bërë këtë deklaratë. I njëjti pretendim qarkullon në Facebook që nga viti 2023, ndërsa një pretendim i ngjashëm ishte verifikuar nga hibrid.info në dhjetor të vitit 2025. (këtu)
Përmbajtje e paverifikuar
Disa media në faqe e tyre në media sociale është publikuar një video të hënën dhe të martën (10 – 11 gusht) që paraqet një aksident komunikacioni, e shoqëruar me pretendimin se ngjarja ka ndodhur në Skenderaj, Kosovë. Në përshkrimin e videos thuhet: “Aksident në Skenderaj, por ajo që tërhoqi vëmendjen ishte gjesti i dy shoferëve. Duke pritur policinë, ata qëndruan të qetë dhe me respekt, madje i dhanë ujë njëri-tjetrit. Një gjest i vogël që dëshmon se qetësia, respekti dhe humanizmi vlejnë më shumë se çdo debat. Respekt për të dy!” Kërkimet përmes verifikimit të pamjeve tregojnë se videoja nuk është realizuar në Skenderaj. Ajo paraqet një aksident që ka ndodhur në Ankara të Turqisë. (këtu)
Faqja në Facebook “Gazeta Minuti” ka publikuar një pretendim se Albin Kurti po shqyrton dy emra jopartiakë për postin e presidentit të Kosovës, duke pretenduar se emrat po mbahen larg vëmendjes publike dhe se ende nuk është marrë një vendim përfundimtar. I njëjti pretendim është publikuar edhe në ueb-faqen “blog.foodsfact.org”, e cila paraqet elemente që ngrenë dyshime mbi besueshmërinë e saj. Verifikimi i kryer nga Hibrid.info nuk ka gjetur konfirmim për këtë informacion në media apo burime kredibile. Gjithashtu, ueb-faqja ku është publikuar artikulli nuk ofron të dhëna të qarta për pronësinë, adresën apo mënyrat e kontaktit, duke e bërë të pamundur identifikimin e burimit të informacionit. (këtu)
Mashtrim
Në rrjetet sociale po qarkullon një imazh, përmes të cilit pretendohet se paraqet një fotografi të përbashkët të Skender Llugiqit dhe deputetes së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadrijaj. Postimi pretendon se fotografia është siguruar nga redaksia e “Kronikat e Barutit” dhe e përdor atë për të mbështetur pretendimin se Llugiqi është “operativ i tyre i integruar mirë në strukturat klandestine” dhe se ishte dërguar në Kuvend me “skenar të përgatitur” për të bërë deklarata provokuese. Fotografia është manipuluar duke marrë figurën e Kadriajajt nga një fotografi tjetër dhe duke e vendosur pranë Llugiqit në një kompozim të ri. Imazhi është gjithashtu i shoqëruar me shenjën e Gemini-t, çka tregon përdorimin e një mjeti të inteligjencës artificiale gjatë përpunimit. (këtu)
Manipulim i fakteve
Llogaria në Facebook “Dekada e Re” ka publikuar më 11 gusht një përmbajtje në të cilën shfaqet kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti gjatë një fjalimi në Kuvend. Në video, Kurti shihet duke thënë “Serbët kanë bërë më shumë krime, por krimet më monstruoze i kanë bërë shqiptarët. Korrjen dhe trafikimin e organeve”. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, u vërtetua se bëhet fjalë për shkëputje të deklaratës se Kurtit dhe nxjerrje nga konteksti. Pjesa e hequr tregon se Kurti po përshkruante një pretendim të mundshëm pas formimit të Gjykatës Speciale, jo një qëndrim të tijin se shqiptarët kanë kryer krime më monstruoze. (këtu)
Titujt e disa artikujve mediatikë pretendojnë se Shqipëria është e para në botë për sigurinë kibernetike, duke iu referuar renditjes së saj në Indeksin Kombëtar të Sigurisë Kibernetike (NCSI). Megjithatë, ky pretendim është keqinterpretuar, pasi NCSI mat kryesisht gatishmërinë e shteteve për parandalimin e kërcënimeve kibernetike dhe menaxhimin e incidenteve, përmes vlerësimit të kapaciteteve të qeverive qendrore, por nuk mat në tërësi se sa efektive janë këto masa në praktikë apo sa i ekspozuar është një shtet ndaj sulmeve dhe cenueshmërive kibernetike. Për këtë arsye, renditja në NCSI nuk mjafton për të përcaktuar se cili shtet ka nivelin më të lartë të sigurisë kibernetike në botë. (këtu)
Deklaratë gjysmë e vërtet
Nigel Farage, lideri i Reform UK, pretendoi se Kosova aktualisht po përdoret nga Suedia për transferimin e shtetasve të huaj të dënuar, duke e përmendur këtë si shembull për planin e partisë së tij për dërgimin e të dënuarve në vende të treta. Kosova dhe Suedia kanë nënshkruar në vitin 2024 tri marrëveshje për bashkëpunim juridik, përfshirë marrëveshjen për transferimin e personave të dënuar. Megjithatë, nga të dhënat e disponueshme nuk rezulton se kjo marrëveshje parasheh marrjen me qira të hapësirave të burgjeve në Kosovë nga Suedia apo se Suedia aktualisht po transferon të burgosur në Kosovë për vuajtjen e dënimit. Një marrëveshje të tillë Kosova e ka me Danimarkën. Ajo parasheh që Danimarka të marrë me qira 300 vende në Qendrën Korrektuese në Gjilan për persona të dënuar në Danimarkë, kryesisht shtetas të vendeve të treta ndaj të cilëve është marrë vendim për dëbim. Të burgosurit e parë danezë pritet të transferohen në Kosovë në vitin 2027. (këtu)