Të fundit | Videoja e aksidentit në Turqi publikohet si ngjarje në Skenderaj Të fundit | Farage pretendoi pasaktë se Suedia dërgon të burgosurit e huaj në Kosovë Të fundit | “Hahaganda” – humori si keqinformim Të fundit | Millanoviq nuk ka deklaruar se Kurti përballet me kundërshtarë të paguar ng… Të fundit | Pretendimet dhe narrativat manipuluese të Vuçiqit lidhur me Kosovën në inte… Të fundit | Pretendohet rrejshëm se portali suedez "Samnytt" raportoi për arrestimin e… Të fundit | Titulli nuk sqaron se rritja e pensioneve me 134 euro vlen për veteranët në… Të fundit | Rishikimi i javës: Mashtrime me ballina të rreme të gazetave, deklarata të… Të fundit | Ballina e “Blic”-it për rastin e Time Kadrijajt dhe Albin Kurtit është e rr… Të fundit | Rifat Jashari nuk e ka bërë deklaratën e pretenduar ndaj Edi Ramës
[ ARTIKULLI ]

Rishikimi i javës: Mashtrime me ballina të rreme të gazetave, deklarata të fabrikuara të figurave publike dhe manipulime të imazheve me figura politike

FESTIM RIZANAJ

Gjatë periudhës së monitorimit, 3–9 gusht, ndër format më dominuese të keqinformimit ka qenë lajmi i rremë.

Gjatë periudhës së monitorimit, 3–9 gusht, lajmet e rreme të identifikuara janë publikuar kryesisht në Facebook dhe TikTok, ndërsa temat kanë qenë të lidhura kryesisht me politikën dhe figurat publike në Kosovë dhe Shqipëri. Përmbajtjet e rreme kanë përdorur deklarata të sajuara, të atribuuara figurave të njohura ndërkombëtare dhe vendore, përfshirë Hillary Clinton, Eliot Engel, Edi Rama dhe Rifat Jashari. Në këto raste, janë trajtuar tema si qeverisja e Albin Kurtit, lirimi i Hashim Thaçit dhe ndikimi i tij në skenën politike, protestat në Shqipëri dhe raportet me shqiptarët nga Kosova e Maqedonia e Veriut, si dhe marrëdhëniet Kosovë–Shqipëri–Serbi dhe çështjet që lidhen me luftën dhe gjenocidin në Kosovë. Një pjesë e këtyre përmbajtjeve kanë përdorur edhe logot e mediave të njohura ose imazhe të figurave publike për t’u dhënë pretendimeve të rreme pamje të besueshme.

Manipulim i fakteve janë publikuar në Facebook dhe kanë trajtuar kryesisht tema politike dhe të ndjeshme që lidhen me luftën në Kosovë. Një prej rasteve lidhej me pretendimin për ekzistencën e një varreze masive pranë kishës ortodokse në hapësirën e Universitetit të Prishtinës, duke paraqitur si fakt një pretendim të pakonfirmuar për viktima të luftës. Rasti tjetër lidhej me dialogun dhe zhvillimet politike në Kosovë, ku një faqe në Facebook keqinterpretoi përgjigjen zyrtare të Bedri Hamzës ndaj ftesës së Albin Kurtit.

Rastet e kategorizuara si mashtrim janë publikuar kryesisht në Facebook dhe rrjete të tjera sociale, duke trajtuar kryesisht zhvillimet politike në Kosovë dhe figurat politike. Përmbajtjet mashtruese përfshinin një fotografi të montuar të Albin Kurtit pranë Sllobodan Millosheviqit, e cila synonte të krijonte një lidhje të rreme mes dy figurave, si dhe një ballinë të rreme të gazetës serbe “Blic”, të gjeneruar me inteligjencë artificiale, që pretendohej se raportonte për incidentin në Kuvendin e Kosovës dhe përplasjen politike mes Time Kadrijajt dhe Albin Kurtit. Këto raste tregojnë përdorimin e manipulimit vizual dhe përmbajtjeve të gjeneruara me IA për të krijuar narrativa të rreme dhe për të ndikuar në perceptimin e zhvillimeve politike.

Rastet e kategorizuara si clickbait janë publikuar në Facebook dhe përmes materialeve video, duke trajtuar kryesisht ngjarje të sigurisë dhe zhvillime politike. Një rast lidhej me një sulm me armë zjarri në Twin Falls, Idaho, ku titulli dhe përshkrimi nuk tregonin vendndodhjen e ngjarjes, duke krijuar përshtypjen e gabuar se ajo mund të kishte ndodhur në Kosovë. Rasti tjetër lidhej me Hashim Thaçin dhe procesin gjyqësor në Hagë, ku një titull e paraqiste si të sigurt lirimin e tij nga burgu, ndonëse në përmbajtje bëhej fjalë vetëm për një pretendim të një të ftuari dhe jo për një njoftim zyrtar.

Një dezinformatë është publikuar kryesisht në Telegram dhe Instagram, në gjuhën serbe, dhe ka trajtuar ngjarje të ndjeshme ndëretnike dhe politike në veri të Kosovës. Rasti lidhej me zjarrin në një shtëpi në Zveçan, ku pa ofruar prova u pretendua se familja shqiptare që e kishte në pronësi e kishte djegur vetë shtëpinë për të fajësuar serbët dhe se ngjarja ishte orkestruar nga Albin Kurti. Ndërsa, në kategorinë e përmbajtjeve të paverifikuara, një video e publikuar në Facebook nga Indeks Online dhe Kosova News paraqiste pamje të vjetra të aeroplanëve luftarakë serbë, të publikuara fillimisht në vitin 2021, si një ngjarje aktuale mbi Jarinjë.

Manipulim i fakteve

Një llogari në Facebook ka publikuar përmbajtje me pretendimin se në themelet e kishës ortodokse në hapësirën e Universitetit të Prishtinës ekziston një varrezë masive dhe se studentë të vrarë në fillim të luftës në Kosovë janë betonuar në këtë objekt.  Megjithatë, verifikimi i burimeve publike tregon se dyshimet për ekzistencën e një lokacioni të mundshëm ku mund të ishin varrosur viktima të luftës në këtë zonë kanë ekzistuar më herët. Në vitin 2016, institucionet kompetente kanë zhvilluar gërmime në afërsi të këtij objekti. Sipas të dhënave të publikuara, nuk kanë rezultuar me gjetjen e mbetjeve mortore apo me konfirmimin e ekzistencës së një varreze masive në atë lokacion. (këtu)

Faqja në Facebook “Gazeta Plisi” ka publikuar më 3 gusht një përmbajtje me pretendimin “Bedri Hamza i përgjigjet Kryeministrit Albin Kurtit, refuzon krijimin e institucioneve parapelqejnë zgjedhjet e reja”. Në këtë postim, faqja ka bashkëngjitur edhe letrën zyrtare, përmes së cilës kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza e ka refuzuar ftesën e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti për takim. Pas verifikimit të fakteve, u vërtetua se mbishkrimi i këtij postimi nuk përputhet me përmbajtjen e letrës zyrtare. Në përgjigjen zyrtare ndaj ftesës së Kurtit, Hamza ka deklaruar se PDK-ja do të vazhdojë të qëndrojë në opozitë, ndërsa është shprehur se pret  që partitë e përfaqësuara në Kuvend të arrijnë marrëveshje për krijimin e institucioneve të reja. (këtu)

Mashtrim

Në median sociale Facebook është publikuar një imazh që paraqet ish-presidentin jugosllav, Sllobodan Millosheviq gjatë një fjalimi, ndërsa afër tij shihet edhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti. Verifikimi i hibrid.info konfirmon se fotografia është e montuar. Analiza përmes InVID, TinEye dhe krahasimi me fotografinë origjinale të publikuar nga Spiegel.de tregojnë se në imazhin autentik pranë Millosheviqit ndodhet një person tjetër, ndërsa fytyra e Kurtit është shtuar më vonë përmes manipulimit të fotografisë. (këtu)

Në disa faqe dhe profile në rrjetet sociale është publikuar një imazh që paraqet një ballinë të pretenduar të gazetës serbe “Blic”, me datën 8 gusht 2026, duke pretenduar se kjo është ballina e gazetës pas incidentit të ndodhur në Kuvendin e Kosovës. Në ballinën e publikuar pretendohet se gazeta “Blic” ka raportuar në faqen e parë për incidentin gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës, ku deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadrijaj, hodhi vezë në drejtim të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti. Imazhi është shpërndarë si një ballinë autentike e gazetës serbe dhe përdoret për të krijuar përshtypjen se ky ka qenë lajmi kryesor i publikuar nga “Blic” më 8 gusht 2026. Pas verifikimit të fakteve imazhi rezulton të jetë gjeneruar me inteligjencë artificiale. (këtu)

Dezinformatë

Një zjarr ka përfshirë gjatë natës një shtëpi në një lagje të Zveçanit, në pronësi të familjes Berisha, e cila e kishte rimarrë atë pas 28 vjetësh. Mirëpo, kanali në median sociale Telegram në gjuhën serbe “Српски Инат – Коридор СБ☧” dhe faqja po ashtu në gjuhën serbe në Instagram “srpski.inat_kim kanë pretenduar se familja Berisha ka vendosur ta djegë shtëpinë e vet, për t’i akuzuar më pas serbët. Po ashtu, në këto postime pretendohet se kjo ngjarje u orkestrua drejtpërdrejt nga kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti. Këto pretendime në gjuhën serbe nuk paraqesin asnjë fakt apo dëshmi që tregon se shtëpia u dogj nga vetë anëtarët e familjes Berisha dhe se ngjarja u orkestrua nga Kurti. (këtu)

Clickbait

Disa faqe në Facebook kanë publikuar një imazh me mbishkrimin “SULM NË RESTORANT NË SHESH! 3 TË VDEKUR DHE SHTATË TË PLAGOSUR”, duke e shoqëruar me përshkrimin “LAJMI I FUNDIT: Sulm në restorant”. Në postim nuk specifikohet vendi ku ka ndodhur ngjarja, ndërsa vetëm pasi përdoruesi klikon në vegëzën e bashkëngjitur bëhet e qartë se artikulli i referohet një sulmi me armë zjarri në qytetin Twin Falls, në shtetin Idaho të Shteteve të Bashkuara. Ngjarja e raportuar është e saktë, por në mbishkrim nuk tregohet se ku ka ndodhur ngjarja duke nxitur kureshtjen se mos ka ndodhur në Kosovë. (këtu)

Titulli i një video-materiali “Lajmi i bujshëm nga Haga: Ja kur del nga burgu Hashim Thaçi!” e paraqet lirimin e Thaçit si një ngjarje të sigurt. Megjithatë, në video nuk bëhet fjalë për një njoftim zyrtar, por për një pretendim të të ftuarit në një intervistë. Kontrolli i burimeve zyrtare të Dhomave të Specializuara të Kosovës tregoi se më 16 shtator është caktuar vetëm data e shpalljes së aktgjykimit në çështjen gjyqësore ndaj Thaçit dhe të tjerëve. Vendimi i gjykatës do të përcaktojë përfundimin e procesit dhe pasojat për të akuzuarit, ndërsa lirimi i Thaçit nuk është konfirmuar nga ndonjë burim zyrtar. (këtu)

Përmbajtje e paverifikuar

Një video e publikuar më 31 korrik nga faqet e Facebook-ut të Indeks Online dhe Kosova News, me pretendimin se aeroplanë luftarakë serbë po fluturonin mbi Jarinjë, rezulton të jetë e vjetër. Verifikimi i Hibrid.info, përmes mjetit InVID, tregoi se pamjet janë publikuar fillimisht në vitin 2021. Videoja u ripublikua më 12 korrik nga një llogari në TikTok që publikon përmbajtje në gjuhën serbe, ndërsa më 31 korrik u paraqit nga këto faqe si ngjarje aktuale. (këtu)

Lajm i rremë

Një postim në Facebook pretendoi se ish-sekretarja e Shtetit e ShBA-së, Hillary Clinton, vlerësoi qeverisjen e kryeministrit në detyrë Albin Kurti përmes një citati të shfaqur në imazh. Përmbajtja dukej e dyshimtë për shkak të përdorimit të një modeli të njohur të deklaratave të sajuara që lartësojnë politikanët vendorë përmes figurave ndërkombëtare. Mjetet e kërkimit dhe kontrolli i llogarive zyrtare treguan se imazhi ishte përdorur më parë, por nuk konfirmuan pretendimin. (këtu)

Në median sociale TikTok, llogaria “beku7633” ka publikuar më 29 korrik një përmbajtje me pretendimin se ish-kongresmeni amerikan, Eliot Engel kishte dhënë një deklaratë për ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi. Në postim thuhet: “Lirimi i Thaçit do ta shpëtonte jo vetëm luftën dhe pavarësinë, por duket se do ta shpëtonte edhe skenën politike të Kosovës, e cila është katandisur keq”, duke pretenduar se kjo deklaratë është dhënë nga Engel për mediumin Euronews. Verifikimi i fakteve i kryer online tregon se nuk ekziston asnjë dëshmi e besueshme që Eliot Engel të ketë bërë ndonjëherë një deklaratë të tillë. (këtu)

Një përmbajtje e publikuar në Facebook pretendon në mënyrë të rreme se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se shqiptarët nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut që mbështesin protestat në Tiranë do të shpallen persona të padëshiruar. Në këtë përmbajtje është përdorur edhe logoja e Euroneës Albania, duke krijuar përshtypjen e rreme se deklarata është publikuar nga ky medium. Megjithatë, verifikimi i hibrid.info tregoi se nuk ka prova që Rama ta ketë bërë një deklaratë të tillë, ndërsa Euroneës Albania nuk ka publikuar një lajm apo qëndrim të tillë në uebfaqen e saj. (këtu)

Publikohet një imazh në Facebook ku shfaqet Rifat Jashari, vëllai i Adem Jasharit, komandantit dhe një prej themeluesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), ndërsa në imazh pretendohet se ai ka bërë një deklaratë në lidhje me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. Në imazh shkruhet: “Rifat Jashari: Edi Rama do e paguash shtrenjtë hapjen e konsulatës serbe në trojet shqiptare në ndërkohë kur Kosova përballet me gjetjen e varrezave massive nga gjenocidi sërb”. Pas verifikimit të kryer nga hibrid.info, nuk është gjetur asnjë burim i besueshëm që do ta konfirmonte se Rifat Jashari e ka bërë këtë deklaratë. (këtu)

Raporto

Na ndihmoni të përmirësojmë duke na raportuar problemet ose sugjerimet tuaja

0 / minimum 10 karaktere