Të fundit | Clark nuk e dha këtë deklaratë, përmbajtja është e rreme Të fundit | Deputetët në Parlamentin e Malit të Zi nuk brohoritën “UÇK” Të fundit | Rishikimi i javës: Deklarata të rreme dhe përmbajtje të gjeneruara me IA Të fundit | Imazhi i gjeneruar me IA dhe shpërndarja e tij me pretendimin se është real Të fundit | Çka dihet për fotografitë e Trumpit me liderët botërorë dhe dy pozat e tij? Të fundit | Keqinformatat rreth aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së Të fundit | Serbia nuk ndau 500 milionë euro për procesin e Apelit ndaj ish-krerëve të… Të fundit | Pretendohet rrejshëm se ish-zyrtari i CIA-s ka folur për Albin Kurtin, audi… Të fundit | Deklaratë e pakonfirmuar që i atribuohet gjeneralit amerikan Craddock Të fundit | Goodwin nuk ka thënë se zëvendëspresidenti i SHBA-së është interesuar për p…
[ ARTIKULLI ]

Shpërthimi i së vërtetës në copëza

HIBRID

Shkruan: Alban Zeneli

Kompania më e madhe e mediave sociale, Meta, ka vendosur që të mos bashkëpunojë më me organizatat e verifikimit të fakteve në mbarë botën. Në vend të kësaj, puna e tyre do të zëvendësohet me ‘njoftime të komunitetit’, ku njerëz nga e gjithë bota do të komentojnë përmbajtjet që qarkullojnë në platforma.

Në njoftimin e bërë publik nga Mark Zuckerberg, u prezantuan gjithashtu katër hapa të tjerë në këtë drejtim. Ai deklaroi se do të thjeshtohen politikat e përmbajtjeve, duke aplikuar më pak rregulla. Për më tepër, Meta do të adoptojë një qasje të re në zbatimin e këtyre politikave, duke vendosur filtra që do të fokusohen vetëm në përmbajtjet ilegale dhe shkeljet e rënda — por këto do të shqyrtohen vetëm pas ankesave të paraqitura.

Një tjetër pikë e prezantuar nga Zuckerberg ishte se përmbajtjet që qarkullojnë më së shumti në platformat e Meta-s do të orientohen më shumë drejt përmbajtjeve të qytetarëve (përdoruesve), por duke mos shmangur përmbajtjet politike. Po ashtu, ai njoftoi një lëvizje fizike të ekipeve të besimit, sigurisë dhe moderimit të përmbajtjes brenda kompanisë.

Çfarë do të thotë kjo për median sociale dhe për të vërtetën?

Deri më sot, përmes verifikuesve të fakteve në mbarë botën, Facebook dhe platformat e tjera të Meta-s kanë synuar të ofrojnë informacion të bazuar në fakte. Këto organizata kanë kontrolluar dhe shënjuar përmbajtjet që nuk përmbanin informacione të sakta, duke ndihmuar në korrigjimin e gabimeve dhe prezantimin e së vërtetës për përdoruesit.

Pra, deri në këtë pikë, e vërteta ka qenë një nga synimet kryesore të këtyre platformave.

Megjithatë, me shpalljen e politikave të reja nga Facebook, Instagram dhe Threads, e vërteta nuk është më objektivi kryesor.

Tani, e vërteta nuk përcaktohet më nga faktet, por nga shumësia dhe sasia e mendimeve për një çështje.

Duke folur figurativisht, përjashtimi i verifikuesve të fakteve nga platformat e Meta-s është si një shpërthim i së vërtetës në copëza — të pakuptueshme për publikun. Është njësoj si shpërthimi i një granate, copëzat e së cilës nuk mund të rikthehen më për t’u ribërë granta-e vërteta.

Me gjasë, edhe zyrtarisht po hyjmë në kulmin e epokës së pas të vërtetës, që D’Ancona i ka lënë emrin ‘post-truth’.

(Alban Zeneli është ligjërues në Departamentin e Gazetarisë, Fakulteti i Filologjisë në Universitetin e Prishtinës. Ai është edhe autor i shumë publikimeve shkencore në revista prestigjioze botërore. Zeneli është opinionist i rregullt në hibrid.info).

Raporto

Na ndihmoni të përmirësojmë duke na raportuar problemet ose sugjerimet tuaja

0 / minimum 10 karaktere