info@hibrid.info
Edukimi medial, urgjencë pa veprim
shape
shape
shape

Nga: Festim Rizanaj

Në një kohë kur shumica e ditës kalon para ekranit, qoftë përmes telefonit, kompjuterit apo rrjeteve sociale, jeta njerëzore është bërë e ndërthurur me mediat më shumë se kurrë më parë. Kjo përfshirje masive ka krijuar një botë të ndërlikuar, ku edukimi medial nuk është më luks intelektual, por nevojë jetike. Në mungesë të tij, rrezikojmë të jetojmë në një epokë ku analfabetizmi nuk lidhet me mosdijen për të lexuar e shkruar, por me paaftësinë për të kuptuar dhe vlerësuar informacionin që na rrethon.

Në Kosovë, kjo mungesë po bëhet alarmante. Pavarësisht zhvillimeve teknologjike dhe qasjes pothuaj universale në internet – që shfrytëzohet nga mbi 90 për qind e personave mbi 16 vjeç – edukimi medial ende nuk ka zënë vendin që i takon në sistemin arsimor. Grupi më i ekspozuar ndaj përmbajtjeve të pakufizuara online janë të rinjtë, të cilët, sipas testit PISA 2022, treguan vështirësi serioze në dallimin ndërmjet faktit dhe opinionit. Po ashtu, Kosova u rendit e parafundit në Indeksin Evropian të Edukimit Medial 2023 nga 41 shtete, duke dëshmuar boshllëqet e mëdha në përgatitjen e brezave për epokën digjitale.

Përballë këtij analfabetizmi digjital, sfidat po shtohen. Mospërfshirja e edukimit medial si lëndë e obligueshme po kritikohet ashpër, sidomos duke marrë parasysh rreziqet e reja që sjell avancimi i teknologjisë. Kërkohet me ngulm që edukimi medial të bëhet lëndë e rregullt mësimore, jo vetëm për efektet pozitive e negative të mediave online dhe sociale, por edhe për shkak të rrezikut në rritje të inteligjencës artificiale dhe formave të tjera të digjitalizimit. Aftësia për të analizuar dhe vlerësuar informacionin në mënyrë objektive, e cila kultivohet nga edukimi medial, është thelbësore për të luftuar dezinformimin në një botë ku teknologjia ndryshon me shpejtësi. Mbetja e edukimit medial vetëm si çështje ndërkurrikulare, siç preferon Ministria e Arsimit (MAShTI), është e pamjaftueshme për t’i pajisur gjeneratat e reja me shkathtësitë e duhura për të përballuar valën e përmbajtjeve të krijuara automatikisht.

Në aspektin institucional, edukimi medial trajtohet si një program dytësor ose plotësues. MAShTI është deklaruar kundër vendosjes së një lënde të veçantë, dhe për këtë kritikët vënë në dukje mungesën e vullnetit politik për ta trajtuar temën seriozisht. Për më tepër, masat jetike të trajnimit për mësimdhënësit, organizohen kryesisht nga organizata joqeveritare, të cilat varen financiarisht nga donatorët e huaj, duke e bërë procesin e paqëndrueshëm. Ky realitet, së bashku me faktin se shkollat në Kosovë kanë mbetur shumë mbrapa sa i përket digjitalizimit, tregon se arsimi parauniversitar ende kultivon qasje tradicionale dhe mekanike.

Në thelb, edukimi medial nuk është vetëm për të kuptuar si funksionojnë mediat. Ai është mjet për fuqizimin qytetar, për ndërtimin e mendimit të pavarur dhe për mbrojtjen nga manipulimet politike dhe ekonomike. Në epokën e inteligjencës artificiale, ku realja dhe artificialja po ngatërrohen çdo ditë, kjo aftësi është po aq e rëndësishme sa vetë shkrim-leximi.

Prandaj, është koha që MAShTI të veprojë me vizion dhe vendosmëri. Edukimi medial duhet të bëhet lëndë e detyrueshme në të gjitha nivelet e arsimit, të udhëhiqet nga shteti dhe të mos mbështetet vetëm në iniciativat e donatorëve. Vetëm përmes një qasjeje të tillë mund të përgatiten qytetarë që jo vetëm konsumojnë informacionin, por edhe e kuptojnë, e sfidojnë dhe e transformojnë atë.

Në të kundërtën, analfabetizmi i ri i kohës sonë – ai medial – do të vazhdojë të prodhojë shoqëri të ekspozuara, të pasigurta dhe të lehta për t’u manipuluar. Në epokën e inteligjencës artificiale, të jesh i painformuar nuk është më problem; në një botë që prodhon më shumë të dhëna se kuptime, problemi nuk është mungesa e informacionit – por mungesa e mendimit kritik mbi të.

Share With Others

Leave a Reply