Të fundit | Narrativat e zyrtarëve rusë për situatën në Kosovë: “spastrim etnik” i serb… Të fundit | Bajrami nuk ka deklaruar se Kurti i ka rikthyer dinjitetin Kosovës Të fundit | Narrativa serbe për hapjen e urës së Ibrit: nga fajësimi i Perëndimit te ri… Të fundit | Titulli nuk e tregon se tenderi përfshin edhe institucione që nuk janë pjes… Të fundit | Narrativat për projektin turistik të Kushnerit në Shqipëri Të fundit | Grenell nuk tha se “në shtator do të ketë zgjedhje pas kthimit të Thaçit” Të fundit | Pretendohet rrejshëm se u realizua një sondazh për pëlqyeshmërinë e partive… Të fundit | Pretendohet rrejshëm se ministri i Jashtëm turk reagoi ndaj Vuçiqit për hap… Të fundit | Projektligji për shqiptarët në Serbi nuk është miratuar ende nga Kongresi a… Të fundit | Titulli nuk sqaron se bëhet fjalë për përfituesit që nuk plotësojnë kritere…
[ ARTIKULLI ]

Tituj çorientues mbi analizat e qumështit “Vita”

ETRIT REXHEPI

VERDIKTI YNË

CLICKBAIT

Titujt nuk e sqarojnë se rezultatet e publikuara u përkasin analizave të muajit maj.

Në media online, të hënën (6 korrik) është publikuar një informacion në lidhje me cilësinë e qumështit “Vita”, bazuar në një komunikatë të lëshuar nga vetë qumështorja!

Mirëpo, titujt e këtyre artikujve nuk e sqarojnë kontekstin kohor të situatës.

Situata me qumështin “Vita”

Më 2 korrik të këtij viti, inspektorë nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë kryen inspektime në fabrikën e përpunimit të qumështit dhe prodhimin e produkteve të qumështit, “Vita”. 

Qëllimi i inspektimit, sipas AUV, ishte për të bërë verifikimin e përputhshmërisë së aktivitetit me kërkesat ligjore dhe standardet e sigurisë ushqimore.

Ky inspektim u komentua në forma të ndryshme nga media e faqe të ndryshme në media sociale, për çka më gjerësisht mund të gjeni në trajtimin e bërë nga Hibrid.info (këtu).

Qumështorja “Vita”, më 6 korrik, doli me një njoftim në faqen e saj zyrtare në Facebook, me titullin: “EKSKLUZIVE: DALIN REZULTATET E AUV – VITA 100% QUMESHT”.

Në dokumentet e bashkëngjitura në njoftim bëhet e ditur se rezultatet për të cilat ka njoftuar qumështorja janë të muajit maj nga mostrat e marra në muajin prill të këtij viti, dhe jo të mostrave të marra më 2 korrik.

Megjithatë, mediat online e kanë publikuar këtë informacion pa e sqaruar në titull kontekstin kohor.

Si raportuan mediat?

Mediat online i publikuan informacionet e marra nga qumështorja “Vita” pa e sqaruar në titull kontekstin kohor dhe relevancën e informacionit.

Paparaci.com (arkiv), Klankosova.tv (arkiv), Gazetablic.com (arkiv), Reporteri.net (arkiv), Indeksonline.net (arkiv), Botasot.info (arkiv), Gazetametro.net (arkiv) e Veriu.info (arkiv) dolën me tituj çorientues mbi situatën e krijuar me cilësinë e qumështit “Vita”.

“Eksluzive: Dalin rezultatet e AUV- VITA 100% Qumesht”, “Dalin rezultatet, VITA: 100% qumësht”, “Dalin rezultatet e qumështit Vita”, “Dalin rezultatet e AUV – “Vita 100% qumësht”, “Dalin analizat – ‘Vita’: Produktet 100% qumësht, pa pluhur e vaj palme”, “Vita: AUV na i përcolli rezultatet e analizave, produktet tona s’përmbajnë as qumësht pluhur e as vaj palme”, ishin disa nga titujt e artikujve nëpër media.

Meqë nga data 2 korrik e këndej, datë kur AUV inspektoi fabrikën e qumështit “Vita”, në opinion është diskutuar shumë për cilësinë e qumështit në fjalë, titujt e mësipërm konsiderohen çorientues meqë rezultatet për të cilat flet vetë “Vita” janë të muajit maj, siç edhe sqarohet në emailin që AUV ia ka dërguar kompanisë e të cilin vetë qumështorja e ka publikuar në njoftim.

Kompania në njoftim ka sqaruar se, bazuar në premtimin që sipas tyre e ka bërë ministri i Bujqësisë, Armend Muja, analizat e mostrave të marra më 2 korrik nga AUV do të publikohen më së largu deri më 13.07.2026.

Për këto raportime reagoi të hënën edhe Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, duke thënë se “ky lajm me këto rezultate nuk paraqet qëndrimin zyrtar të institucionit e as nuk vijnë nga institucioni ynë. Analizat laboratorike të mostrave të marra më 02.07.2026 janë ende në proces përpunimi dhe nuk kanë përfunduar”.

Analiza

Më 2 korrik të këtij viti, inspektorë të AUV kryen inspektime në fabrikën e qumështit “Vita”, ku morën mostra të produkteve të kësaj fabrike.

Rezultatet e këtyre mostrave nuk janë publikuar ende, ndërsa kompania “Vita” ka publikuar një informacion më 6 korrik ku thuhet “EKSKLUZIVE: DALIN REZULTATET E AUV – VITA 100% QUMESHT”.

Megjithatë, rezultatet për të cilat flet kompania në këtë rast janë të mostrave të marra në prill, analizat e të cilave janë përfunduar në maj, siç mund të shihet në dokumentet e bashkëngjitura në njoftim.

Në media, gjatë ditës së hënë (6 korrik), është publikuar informacioni i dhënë nga “Vita”. Por, në titujt e artikujve nuk është sqaruar se rezultatet e analizave të mostrave të këtij qumështi, të kryera nga AUV, janë të muajit maj, e jo të këtij muaji.

Edhe AUV reagoi, duke i mohuar pretendimet e mediave dhe tha se analizat e mostrave të marra më 2 korrik janë në proces të përpunimit dhe ende nuk kanë përfunduar.

Prandaj, bazuar në metodologjinë e punës, Hibrid.info këto publikime i cilëson si “Clickbait”.

“Clickbait”

“Clickbait” vlerësohen ato përmbajtje informative titulli i të cilave është përgjithësues dhe nuk bënë të ditur vendndodhjen e ngjarjes, kontekstin dhe relevancën. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e audiencës me tituj sensacionalë me pasojë çorientuese, që nuk e qartësojnë saktësisht përmbajtjen e artikullit. Titujt “clickbait” bëhen kryesisht për të tërhequr lexueshmëri në rastin e publikimeve mediatike dhe/ose për të fituar nga klikimet në rastet e publikimeve komerciale.

Raporto

Na ndihmoni të përmirësojmë duke na raportuar problemet ose sugjerimet tuaja

0 / minimum 10 karaktere