“Godet Qeveria Kurti – 100 euro për secili fëmijë – Ja detajet e plota” dhe “Qeveria Kurti “lëshon dorën” edhe për ata që marrin pensione” mbajnë përshkrimin dy postime në Facebook nga faqja “Gazeta Minuti”, të publikuara të mërkurën (9 prill).
Në imazhin e postimit të parë shihet portreti i ministrit të Financave, Hekuran Murati, si dhe mbishkrimi “NJOFTIM POZITIV PËR SHTESAT / LAJM I MIRË PËR GJITHË FËMIJËT E KOSOVËS, 100 EURO PËR SECILIN”.
Ndërsa në imazhin e postimit të dytë, shfaqen kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Financave, Hekuran Murati. Në këtë imazh është vendosur mbishkrimi “LAJM FANTASTIK PËR GJITHË PENSIONISTËT 150 EURO SHTESË”.
Në vëgëzat (linqet) e këtyre artikujve (këtu dhe këtu) pretendohet se në Kosovë po shqyrtohen masa mbështetëse që përfshijnë 100 euro për fëmijët, si dhe nga 150 euro shtesë për pensionistët.
E vërteta?
Pas verifikimit të fakteve, u vërtetua se këto pretendime nuk janë raportuar nga asnjë portal informativ i besueshëm, ndërsa publikuesi në këtë rast “Gazeta Minuti”, është një faqe e njohur për publikim të përmbajtjeve në burime të pa verifikueshme. Ndërkaq të enjten, gazetari Ermal Panduri në emisionin “Debat Plus” i ka përmendur këto pika si “raportim nga brenda Ministrisë së Financave” në kuadër të “pakos 200 milionëshe” që ishte premtuar në fushatë nga kryeministri Albin Kurti.
Hibrid.info ka kërkuar në Google me fjalët kyçe “shtesa prej 100 eurosh për fëmijët” dhe “150 euro shtesë për pensionistët”, por rezultatet nuk shfaqin asnjë informacion të publikuar nga media e burime kredibile me këto pretendime.
Postimi për shtesat e fëmijëve në Facebook nga faqja “Gazeta Minuti”, deri në shkrimin e këtij artikulli ka arritur të grumbullojë mbi 513 reagime, 110 komente e 69 shpërndarje. (shih fotografinë më poshtë)

Ndërsa postimi për 150 euro shtesë për pensionistët, deri në shkrimin e këtij artikulli ka grumbulluar 464 reagime, 122 komente e 58 shpërndarje. (shih fotografinë më poshtë)

Rreth faqes “Gazeta Minuti” në Facebook
Hibrid.info ka trajtuar disa përmbajtje të publikuara nga kjo faqe në Facebook. Po ashtu, një analizë më e thellë e bërë rreth kësaj faqe paraqet se “Gazeta Minuti” publikon përmbajtje në Facebook dhe në ueb-faqen “nminut.info” pa ofruar transparencë për pronësinë apo kontaktet; megjithëse në “About Us” përmendet si themelues Arbnor Buzhala, këto të dhëna nuk verifikohen, domaini i deklaruar nuk përputhet me përmbajtjen dhe nuk figuron si biznes i regjistruar në ARBK, duke ngritur dyshime për besueshmërinë e saj.
Lexo këtu analizën e plotë rreth faqes “Gazeta Minuti”.
Analiza:
Faqja “Gazeta Minuti” në Facebook përmes dy postimeve pretendon se Qeveria Kurti do të ndajë nga 100 euro për çdo fëmijë, si dhe pensionistët do të përfitojnë nga 150 euro shtesë.
Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, u vërtetua se ky informacion nuk është raportuar nga asnjë portal informativ. Ndërkaq të enjten, gazetari Ermal Panduri në emisionin “Debat Plus” i ka përmendur këto pika si “raportim nga brenda Ministrisë së Financave” në kuadër të “pakos 200 milionëshe” që ishte premtuar në fushatë nga kryeministri Albin Kurti.
Në linqet e këtyre postimeve të publikuara nga “Gazeta Minuti” pretendohet se në Kosovë po shqyrtohen masa mbështetëse që përfshijnë 100 euro për fëmijët, si dhe nga 150 euro shtesë për pensionistët, ndërsa përmes titujve këto shtesa paraqiten si fakte të kryera.
Po ashtu pretendimi vjen nga “Gazeta Minuti”, faqe e njohur për publikim të pretendimeve të rreme e të pa verifikuara.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info i vlerëson këto përmbajtje si “Clickbait”.
Arsyetimi:
“Clickbait” vlerësohen ato përmbajtje informative titulli i të cilave është përgjithësues dhe nuk bënë të ditur vendndodhjen e ngjarjes, kontekstin dhe relevancën. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e audiencës me tituj sensacionalë me pasojë çorientuese, që nuk e qartësojnë saktësisht përmbajtjen e artikullit. Titujt “clickbait” bëhen kryesisht për të tërhequr lexueshmëri në rastin e publikimeve mediatike dhe/ose për të fituar nga klikimet në rastet e publikimeve komerciale.

