Nëpërmjet një publikimi në Facebook është lënë të kuptohet se kryetari i Komunës së Skënderajt, Sami Lushtaku, ka ofruar dorëheqjen nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK).
Publikimi i datës 17 qershor nga faqja “Post Lajmee” përmban një fotografi të Lushtakut me mbishkrimin “Sami Lushtaku: Jap dorëheqje nga PDK-ja…!” E lajmi që klikohet nëpërmjet vegëzës së përfshirë në koment çon në uebfaqen “cookfixes.com”, që nuk paraqet domin të portaleve apo mediave të regjistruara zyrtarisht në Kosovë (shih këtu).
Çka thuhet në përmbajtje dhe çka dallon nga publikimi në Facebook?
Postimi në Facebook nga disa komentues vërehet se mund të jetë marrë si deklaratë që e paraqet çështje të kryer “dorëheqjen e Lushtakut nga PDK-ja”. Megjithatë, përmbajtja e artikullit thekson se Lushtaku ka deklaruar se do të dorëhiqej nga posti i kryetarit të degës së PDK-së në Skënderaj, nëse arrihet marrëveshje bashkëpunimi me Lëvizjen Vetëvendosje në nivel qendror.
Përmbajtja e plotë:
Kryetari i Skenderajt Sami Lushtaku ka deklaruar se nëse PDK arrin marrëveshje bashkëpunimi me LVV-në ai jep dorëheqje nga pozita e kryetarit të degës në Skenderaj.
Lushtaku tha se PDK nuk do duhej të bashkëpunonte me një subjekt politik që gjuhën helmuese dhe degraduese e ka në rend të parë.
“Nëse Partia Demokratike e Kosovës arrin marrëveshje ose lidhë koalicion me LVV-në unë automatikisht jap dorëheqje nga pozita e kryetarit të degës në Skenderaj. Ata e dijnë ma mirë janë kryesia e partisë por për mua është e pa pranueshme bashkëpunimi me një subjekt politik që gjuhën helmuese e ka në rend të parë…”. /rtv21
Aty citohet mediumi “rtv21.tv”. Mediumi që e ka publikuar i pari deklaratën, “rtv21.tv”, e ka titulluar “Lushtaku paralajmëron: Jap dorëheqje nëse PDK lidhë marrëveshje me LVV-në”.
Pra, përderisa mediumi që e ka publikuar i pari e ka paraqitur si paralajmërim deklaratën e Lushtakut, pretendimi nga faqja “Post Lajmee” e paraqet si punë të kryer.
Për të konfirmuar se nuk bëhet fjalë për akt final të dorëheqjes, hibrid.info ka kryer edhe një kërkim në “Google” me fjalët “Sami Lushtaku jep doreheqje nga PDK-ja”. Kërkimi nuk çon në asnjë artikull kredibil informacioni që do ta vërtetonte aktin e dorëheqjes.
Publikimi në Facebook nga kjo faqe ka marrë 30 komente. Një pjesë e tyre lënë të kuptohet se e kanë marrë si të mirëqenë publikimin.
Konteksti:
Sami Lushtaku është kryetar i degës së PDK-së në Skënderaj. Ai dhe akterë të Lëvizjes Vetëvendosje kanë pasur përplasje verbale tash e sa kohë e deri në akuza për dhunë në prag të fushatës për zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit (shih këtu).
Analiza:
Pretendimi se Sami Lushtaku ka dhënë dorëheqje nga PDK-ja është paraqitur si çështje e kryer nga një faqe në Facebook.
Në fakt, Lushtaku ka deklaruar se do të japë dorëheqje nga posti i kryetarit të degës së PDK-së në Skënderaj vetëm nëse partia arrin marrëveshje bashkëpunimi me LVV-në.
Publikimi origjinal i RTV21 e paraqet këtë si paralajmërim dhe jo si dorëheqje të kryer.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “clickbait”.
Arsyetimi
“Clickbait” vlerësohen ato përmbajtje informative titulli i të cilave është përgjithësues dhe nuk bënë të ditur vendndodhjen e ngjarjes, kontekstin dhe relevancën. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e audiencës me tituj sensacionalë me pasojë çorientuese, që nuk e qartësojnë saktësisht përmbajtjen e artikullit. Titujt “clickbait” bëhen kryesisht për të tërhequr lexueshmëri në rastin e publikimeve mediatike dhe/ose për të fituar nga klikimet në rastet e publikimeve komerciale.