Shkroi: Etrit Rexhepi
Janë publikuar artikuj me tituj që pretendojnë se Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) ka deklaruar se nuk do të ketë rritje të tarifave të energjisë.
Këto artikuj janë publikuar të hënën (2 shkurt) nga mediat si “GazetaBlic.com”, “AlbanianPost.com”, “KlanKosova.tv”, “Zeri.tv” dhe “GazetaMetro.net”.
Megjithatë, titujt nuk specifikojnë se bëhet fjalë për tarifat e NEMO-s (Operatorit të Emëruar të Tregut të Energjisë), që nuk është furnizues i energjisë për qytetarët dhe që nuk është institucioni që u dërgon faturat qytetarëve.
Brenda këtyre artikujve sqarohet se ZRrE ka mbajtur mbledhjen e parë të Bordit për vitin 2026, ku ka shqyrtuar kërkesën për përcaktimin e të hyrave dhe tarifave të NEMO-s për periudhën 2026–2028.
Përse trajtohet kjo përmbajtje?
Të enjten (29 janar) është raportuar se tre operatorë energjetikë në Kosovë – KESCO, KOSTT dhe KEDS, kanë kërkuar rritje të tarifave të energjisë elektrike për vitin 2026 (shih këtu).
Për këto kërkesa, që është raportuar se mund të prekin faturat e qytetarëve për më shumë se 20 për qind, nuk ka ende një vendim.
Duke mos specifikuar se bëhet fjalë për tarifat e NEMO-s, që është diçka tjetër në krahasim me raportimet e fundit të janarit, titujt mund të krijojnë tek lexuesit keqkuptimin se nuk do të ketë rritje të çmimit të energjisë që ata paguajnë. Pra titujt nuk përputhen me përmbajtjen reale të vendimit.
Çfarë është NEMO?
NEMO (Operatori i Emëruar i Tregut të Energjisë Elektrike) është përgjegjës për organizimin dhe koordinimin e tregut të energjisë në Kosovë dhe rajon. Ai bashkëpunon me KOSTT dhe OST për të menaxhuar bashkimin e tregut një-ditë-para dhe ndërditor. Në Kosovë, NEMO për zonën e ofertimit është Bursa Shqiptare e Energjisë Elektrike ALPEX SHA.
Çfarë është Operatori i Sistemit të Shpërndarjes (OST)?
Sipas nenit 27 të Ligjit për Energjinë, OST menaxhon rrjetin e shpërndarjes dhe siguron që energjia të arrijë tek konsumatorët në mënyrë të sigurt dhe të drejtë.
Pra, NEMO organizon tregun e energjisë, ndërsa OST siguron shpërndarjen e energjisë tek konsumatorët.
Në uebfaqen e ZRrE-së, në vegëzën për proceset e shqyrtimeve tarifore bëhet ndarja e qartë në mes të kërkesave për “të hyrat e lejuara maksimale” për furnizuesin me shërbim universal (FSHU), Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes (OSSH) dhe Operator Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (OSTT), dhe përcaktimi i tarifave NEMO për vitet 2026-2028. Përderisa për të hyrat e lejuara maksimale vendoset çdo vit, për vendimin për NEMO periudha është trevjeçare. (shih këtu)
Për më shumë, në dokumentin për aplikimin e KESCO-s (për të cilin u raportua në media) për rritje të të hyrave të lejuara maksimale përmendet muaji janar si aplikim.
Ndërsa te kërkesa për përcaktimin e tarifave NEMO data shënon nëntor 2025.
Kur caktohen tarifat për konsumatorët?
ZRrE shqyrton dhe cakton tarifat e energjisë elektrike për konsumatorët çdo vit. Këto tarifa shpallen më 1 prill dhe vlejnë deri më 31 mars të vitit pasues. Kjo tregon qartë se vendimi i fundit për tarifat e NEMO-s nuk lidhet me çmimin që konsumatorët paguajnë aktualisht për energjinë (shih këtu).
Në artikullin e publikuar nga agjencia e lajmeve “KosovaPress” theksohet se në këtë mbledhje të ZRRE-së, nuk është shqyrtuar kërkesa e KESCO-s për rritjen e tarifave në 21 për qind (shih këtu).
Analiza:
Pretendimi se nga ZRrE janë deklaruar se nuk do të ketë rritje të çmimit të energjisë për konsumatorët është i pasaktë.
Titujt e publikuar nga disa media kanë krijuar këtë keqkuptim duke mosspecifikuar se vendimi i fundit ka të bëjë vetëm me tarifat e NEMO-s, që nuk lidhet me çmimin që qytetarët paguajnë për konsumin e energjisë.
ZRrE ka mbajtur mbledhjen e Bordit për të shqyrtuar kërkesat e NEMO-s për tarifat e periudhës 2026–2028, ndërkohë që tarifat për konsumatorët përcaktohen çdo vit më 1 prill dhe nuk lidhen me vendimin e fundit për NEMO-n.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info i vlerëson këta tituj si dhe “Clickbait”.
Arsyetimi:
“Clickbait” vlerësohen ato përmbajtje informative titulli i të cilave është përgjithësues dhe nuk bënë të ditur vendndodhjen e ngjarjes, kontekstin dhe relevancën. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e audiencës me tituj sensacionalë me pasojë çorientuese, që nuk e qartësojnë saktësisht përmbajtjen e artikullit. Titujt “clickbait” bëhen kryesisht për të tërhequr lexueshmëri në rastin e publikimeve mediatike dhe/ose për të fituar nga klikimet në rastet e publikimeve komerciale.



