Të fundit | Titulli lë të kuptohet se lirimi i Thaçit me kusht është i sigurt Të fundit | Raporti monitorues i keqinformimit për muajin qershor 2026 Të fundit | Imazhet dhe videot e manipuluara që qarkulluan gjatë Botërorit 2026 Të fundit | Rishikimi i javës: Clickbait për rezultatet e AUV për “Vita”; mashtrim me I… Të fundit | Një llogari në TikTok me dhjetëra keqinformata me implikime fetare Të fundit | Pretendime të rreme se Edi Rama ka kërcënuar Kosovën dhe Albin Kurtin Të fundit | Jo projekti zyrtar, fotot e “stadiumit të ri të Kosovës” janë nga një konce… Të fundit | Si mund të dëmtohet reputacioni i një figure publike përmes pretendimeve të… Të fundit | Tituj çorientues mbi analizat e qumështit “Vita” Të fundit | Videoja ku Tërnava premton shërimin e diabetit për 24 orë është e gjeneruar…
[ ARTIKULLI ]

Titulli lë të kuptohet se lirimi i Thaçit me kusht është i sigurt

HIBRID

VERDIKTI YNË

CLICKBAIT

Vendimi për kërkesën e Thaçit nuk është marrë ende,

Është publikuar një imazh me mbishkrimin: “GJYKATA E HAGES/ HASHIM THACI DRE LIRIMIT ME KUSHT OFRON GARANCI 50 MIJE EURO”.

Përmbajtja u publikua të martën (14 korrik) në Facebook, në faqen e mediumit “NTV Televizion”.

Çka dihet deri më tani?

Mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi ka bërë kërkesë në Dhomat e Specializuara të Kosovës për lirimin e tij me kusht, duke ofruar një sërë garancish, përfshirë edhe një garanci financiare prej 50 mijë eurosh.

Megjithatë, deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, nuk ka ende vendim lidhur me këtë kërkesë.

Imazhi me të njëjtin mbishkrim u gjet i publikuar edhe në një tjetër faqe në Facebook, që ka emrin “FokusPress” (shih këtu).

Derisa faqja në Facebook e “NTV Televizion” ka mbi 210 mijë ndjekës, faqja “FokusPress” ka mbi 176 mijë. Të dy publikimet kanë të bashkëngjitur vegëzën e një artikulli të publikuar në uebfaqen e mediumit “NTV Televizion” (shih këtu).

Artikulli mban titullin “HAGE/ HASHIM THAÇI DREJT LIRISE ME KUSHT”.

Përdorimi i formulimit “drejt lirimit me kusht” në mbishkrim dhe titull, mund të bëjë që lexuesi të kuptojë se Gjykata Speciale ka vendosur ose është afër vendimit për lirimin e tij.


Hibrid.info kontrolloi pjesën tjetër të artikullit. Aty tregohet se mbrojtja e Thaçit ka paraqitur kërkesë në Dhomat e Specializuara të Kosovës për lirimin e tij me kusht, duke ofruar garanci financiare prej 50 mijë eurosh dhe duke propozuar disa kushte që ai do t’i respektonte në rast të miratimit të kërkesës. Në mesin e këtyre kushteve përfshihen moslargimi nga Kosova, dorëzimi i dokumenteve të udhëtimit dhe kufizimi i deklaratave publike lidhur me rastin.

Megjithatë, artikulli sqaron se vendimi për këtë kërkesë ende nuk është marrë nga trupi gjykues. Pra, informacioni i konfirmuar lidhet vetëm me kërkesën e paraqitur nga mbrojtja dhe garancitë e ofruara, ndryshe nga titulli dhe mbishkrimi, ku krijohet përshtypja se lirimi me kusht është një zhvillim i afërt ose i sigurt, gjë që nuk është konfirmuar.


Në këtë artikull nuk sqarohet se nga është bazuar raportimi i këtij informacioni. Hibrid.info hulumtoi në uebfaqen e Dhomave të Specializuara dhe të Zyrës së Prokurorit të Specializuar të Kosovës. Aty nuk u gjet ndonjë njoftim publik lidhur me pretendimet e raportuara në artikull (shih këtu).

Për këtë arsye, hibrid.info e vazhdoi hulumtimin në media. Publikime të 11 korrikut në disa media kredibile në gjuhën shqipe raportuan se mbrojtja e ish-presidentit Thaçi kishte paraqitur kërkesë në Dhomat e Specializuara të Kosovës për lirimin e tij me kusht (shih këtu dhe këtu).

Ndërsa, në një artikull të publikuar sot (14 korrik), në uebfaqen e Radio Televizionit 21 u raportua se, sipas Dhomave të Specializuara të Kosovës, vendimi lidhur me këtë kërkesë i takon vetëm gjyqtarit. Kjo konfirmon se deri në momentin e publikimit të këtij artikulli nuk ishte marrë ende një vendim për kërkesën e mbrojtjes.

Pak kontekst

Hashim Thaçi, Bashkim Smakaj, Isni Kilaj, Fadil Fazliu dhe Hajredin Kuçi, po akuzohen nga Dhomat e Specializuara të Kosovës për pengim të drejtësisë (shih këtu).

Prokuroria Speciale pretendon se gjatë vizitave në paraburgim, më 2023, në Hagë, të akuzuarit iu dhanë udhëzime dhe informacione konfidenciale dëshmitarëve për gjyqin për krime lufte, në të cilin është i akuzuar Thaçi.

Kilaj, Smakaj dhe Fazliu janë të liruar me kusht (shih këtu dhe këtu).

Aktgjykimi në çështjen gjyqësore ku Thaçi akuzohet për krime lufe, do të shpallet më 16 shtator 2026 (shih këtu).

Analiza:

Titulli dhe mbishkrimi krijojnë përshtypjen se Hashim Thaçi është drejt lirimit me kusht, duke e lidhur këtë zhvillim me garancinë financiare prej 50 mijë eurosh.

Megjithatë, përmbajtja e artikullit tregon se bëhet fjalë vetëm për një kërkesë të paraqitur nga mbrojtja e Thaçit për lirim me kusht, e shoqëruar me garanci dhe kushte të propozuara. Artikulli gjithashtu sqaron se trupi gjykues ende nuk ka marrë vendim për këtë kërkesë.

Andaj, bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Clickbait”.

Arsyetimi:

“Clickbait” vlerësohen ato përmbajtje informative titulli i të cilave është përgjithësues dhe nuk bënë të ditur vendndodhjen e ngjarjes, kontekstin dhe relevancën. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e audiencës me tituj sensacionalë me pasojë çorientuese, që nuk e qartësojnë saktësisht përmbajtjen e artikullit. Titujt “clickbait” bëhen kryesisht për të tërhequr lexueshmëri në rastin e publikimeve mediatike dhe/ose për të fituar nga klikimet në rastet e publikimeve komerciale.

Raporto

Na ndihmoni të përmirësojmë duke na raportuar problemet ose sugjerimet tuaja

0 / minimum 10 karaktere