Të fundit | Nuk ka të dhëna se Gjermania ka 'shtrënguar' procedurat e azilit për të kon… Të fundit | Ende nuk ka konfirmim se Kurti do të udhëtojë në SHBA për Asamblenë e OKB-s… Të fundit | Gashi s'ka thënë se do ta votonte Listën Serbe para Vetëvendosjes Të fundit | Gotovina s’ka thënë se “Thaçi nuk është në gjyq, por UÇK-ja është në gjyq”,… Të fundit | Titulli nuk sqaron se në grevë kanë hyrë punëtorët teknikë të shkollave Të fundit | Raporti monitorues i keqinformimit për muajin gusht 2026 Të fundit | Pretendim konspirativ se nëse dënohen krerët e UÇK-së, do të shkaktohet dhu… Të fundit | Pretendohet rrejshëm se Trump i ka bërë ftesë Thaçit për vizitë në SHBA më… Të fundit | Rishikimi i javës: Deklarata të sajuara që u atribuohen figurave politike,… Të fundit | Titulli nuk sqaron se largimi nga përfitimet vlen për ata që nuk plotësojnë…
[ ARTIKULLI ]

Bajrami nuk ka deklaruar se Kurti i ka rikthyer dinjitetin Kosovës

FATBARDH DEMA

VERDIKTI YNË

LAJM I RREMË

Deklarata që i atribuohet Arsim Bajramit është e rreme. Ai vetë e ka mohuar dhe e ka cilësuar si “manipulim”.

Faqja në Facebook “Kurti 4” ka publikuar më 20 gusht një përmbajtje me pretendimin se ish-ministri i Arsimit dhe i Administratës Publike, Arsim Bajrami, ka deklaruar se kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka rikthyer dinjitetin e shtetit të Kosovës në raport me ndërkombëtarët dhe Serbinë.

Në mbishkrimin e fotografisë pretendohet se Bajrami ka thënë:

“Unë e çmoj Albin Kurtin për një gjë: Ai ka arritur që ta ktheje dinjitetin e shtetit të Kosovës në raport me ndërkombëtarët dhe Serbinë. Ai nuk është një politikan që mund të shantazhohet. Kurti ka një qëndrueshmëri që ndoshta na ka munguar në të kaluarën për t’iu thënë ‘Jo’ proceseve që dëmtojnë substancën e shtetit”.

Çka nuk shkon me këtë përmbajtje?

Pas verifikimit të fakteve nga Hibrid.info, është vërtetuar se kjo deklaratë nuk është bërë nga Arsim Bajrami. Përmbajtja ka qarkulluar në internet që nga dhjetori i vitit 2025 dhe është ripublikuar disa herë në media sociale.


FAKTET

Kërkimi në Google përmes frazave të deklaratës nuk ka nxjerrë rezultate që dëshmojnë se ajo është publikuar nga media apo burime kredibile. Po ashtu, nuk është gjetur ndonjë burim i besueshëm që e lidh këtë deklaratë me Arsim Bajramin (shih këtu).

Përmes programit të automatizuar “InVID”, Hibrid.info ka gjetur se kjo përmbajtje qarkullon në internet të paktën që nga 23 dhjetori 2025, kur ishte publikuar nga një llogari në Facebook me emrin “Sabit Salihu”.

Në publikimin e gjetur, Arsim Bajrami kishte lënë dy komente, përmes të cilave e kishte mohuar se ka bërë një deklaratë të tillë, duke e cilësuar atë si “manipulim” (shih fotografinë më poshtë).


E njëjta përmbajtje është gjetur e publikuar edhe nga faqe dhe llogari të tjera në Facebook, Instagram dhe TikTok (shih këtu, këtu, këtu, këtu dhe këtu).


Pse ripublikohen keqinformatat?

Sipas artikullit shkencor “Eksplorimi i faktorëve që zbusin ndikimin e vazhdueshëm të keqinformimit” (Exploring factors that mitigate the continued influence of misinformation) nga Kan et al. (2021), edhe pasi një informacion të jetë korrigjuar, besimet dhe perceptimet e individëve shpesh vazhdojnë të ndikohen nga informacioni fillestar. Ky fenomen njihet si Efekti i Ndikimit të Vazhdueshëm (Continued Influence Effect – CIE).

Informacioni që është thelbësor për rrjedhën e ngjarjes ose narrativës ka lidhje të forta me detajet e tjera të historisë dhe është më rezistent ndaj korrigjimit, ndërsa informacioni periferik ripublikohet më rrallë dhe ka ndikim më të dobët. Artikulli sugjeron se ofrimi i një alternative për informacionin e rremë ose adresimi i tij i drejtpërdrejtë është thelbësor. Në të kundërt, informacioni i pavërtetë mund të vazhdojë të ripublikohet dhe të mbetet i integruar brenda modelit mendor të individit.


Analiza

Përmes një përmbajtjeje të publikuar nga faqja “Kurti 4” pretendohet rrejshëm se Arsim Bajrami ka deklaruar se Albin Kurti ka rikthyer dinjitetin e Kosovës në raport me ndërkombëtarët dhe Serbinë.

Pas verifikimit të kryer online nga hibrid.info u vërtetua se Bajrami nuk e ka bërë këtë deklaratë. Ai madje e ka mohuar publikisht atë, duke e cilësuar si “manipulim”.

Përmbajtja e njëjtë qarkullon në media sociale që nga dhjetori i vitit 2025 dhe është ripublikuar nga faqe e llogari të tjera.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Lajm i rremë”.

Arsyetimi

Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato përmbajtje informative që janë tërësish të sajuara apo të cilat në vete përmbajnë pretendime ose informacione faktikisht të gabuara. Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.

Raporto

Na ndihmoni të përmirësojmë duke na raportuar problemet ose sugjerimet tuaja

0 / minimum 10 karaktere