Publikohet një përmbajtje me mbishkrimin “po ta kisha lapsin e popllit në dorë më parë do ta votoja Listën Serbe sesa VV-në”, e paraqitur si deklaratë e Arben Gashit, deputet nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).
Kjo përmbajtje është publikuar më 2 shtator, në një faqe në Facebook me emrin “Kurti 4” dhe nga llogaria “Jehona Hona”.

Çka nuk shkon me këtë përmbajtje?
Pas hulumtimit të kryer online, u vërtetua se nuk ka dëshmi se Gashi ka bërë një deklaratë të tillë, qoftë përmes llogarive të tij zyrtare në rrjetet sociale apo në ndonjë prononcim për media.
Hibrid.info ka kontrolluar llogarinë e Gashit në Facebook dhe në postimet e tij të fundit nuk është gjetur ndonjë deklaratë apo qëndrim që do ta konfirmonte pretendimin e paraqitur në këtë fotografi (shih këtu).
Po ashtu, është bërë kërkim në YouTube për materiale video që lidhen me Arben Gashin. Por, nuk është gjetur ndonjë material që dëshmon se Gashi ka deklaruar publikisht atë që pretendohet në përmbajtjen e publikuar në Facebook (shih këtu).
Kërkimi është realizuar edhe përmes Google, duke përdorur fjalë kyçe që lidhen me pretendimin. Edhe në rezultatet e këtij kërkimi nuk është gjetur ndonjë raportim i besueshëm apo burim tjetër që do ta vërtetonte se deputeti i LDK-së ka bërë një deklaratë të tillë (shih këtu).
Hibrid.info ka trajtuar edhe më herët të njëjtin pretendim. Një përmbajtje me këtë deklaratë të atribuar Arben Gashit ishte publikuar edhe në vitet 2023 dhe 2025. Edhe atëherë, pretendimi ishte verifikuar dhe nuk ishte gjetur dëshmi që Gashi të kishte bërë një deklaratë të tillë (shih këtu dhe këtu).
Fakt tjetër që e bën jo të qëndrueshëm pretendimin, është edhe të shkruarit me gabime drejtshkrimore i mbishkrimit në imazh.
Pra, bazuar në verifikimet e kryera, fotografia që ia atribuon këtë deklaratë Arben Gashit nuk mbështetet nga burime të besueshme dhe paraqet si të tijën një deklaratë për të cilën nuk është gjetur dëshmi se e ka thënë.
Rikthimi i këtij pretendimi të rremë në qarkullim në rrjetet sociale vjen në një kohë kur qëndrimet e gjashtë deputetëve të LDK-së, përfshirë Arben Gashin, ndaj marrëveshjes me Lëvizjen Vetëvendosje për zgjedhjen e Bekim Sejdiut president kanë qenë në qendër të zhvillimeve politike në vend.
Më 1 shtator 2026, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, bëri të ditur se Arben Gashi, Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami, Armend Zemaj, Kujtim Shala dhe Janina Ymeri nuk do ta mbështesin kandidaturën e Sejdiut, duke kundërshtuar marrëveshjen e arritur me Vetëvendosjen.
Analiza
Pretendohet se deputeti i LDK-së, Arben Gashi, ka deklaruar se, po ta kishte “lapsin e popullit” në dorë, do ta votonte Listën Serbe para Lëvizjes Vetëvendosje. Kjo deklaratë është paraqitur në një fotografi të publikuar në Facebook, e cila është rikthyer në qarkullim në ditët e fundit.
Megjithatë, nuk ka dëshmi se Gashi e ka bërë një deklaratë të tillë. Hibrid.info e ka verifikuar të njëjtin pretendim edhe në vitin 2023 e 2025 dhe nuk ka gjetur burime të besueshme që e konfirmojnë atë.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Lajm i rremë”.
Arsyetimi
Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato përmbajtje informative që janë tërësish të sajuara apo të cilat në vete përmbajnë pretendime ose informacione faktikisht të gabuara. Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.