Të fundit | Clark nuk e dha këtë deklaratë, përmbajtja është e rreme Të fundit | Deputetët në Parlamentin e Malit të Zi nuk brohoritën “UÇK” Të fundit | Rishikimi i javës: Deklarata të rreme dhe përmbajtje të gjeneruara me IA Të fundit | Imazhi i gjeneruar me IA dhe shpërndarja e tij me pretendimin se është real Të fundit | Çka dihet për fotografitë e Trumpit me liderët botërorë dhe dy pozat e tij? Të fundit | Keqinformatat rreth aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së Të fundit | Serbia nuk ndau 500 milionë euro për procesin e Apelit ndaj ish-krerëve të… Të fundit | Pretendohet rrejshëm se ish-zyrtari i CIA-s ka folur për Albin Kurtin, audi… Të fundit | Deklaratë e pakonfirmuar që i atribuohet gjeneralit amerikan Craddock Të fundit | Goodwin nuk ka thënë se zëvendëspresidenti i SHBA-së është interesuar për p…
[ ARTIKULLI ]

Imazhi i gjeneruar me IA dhe shpërndarja e tij me pretendimin se është real

FATBARDH DEMA

VERDIKTI YNË

PËRMBAJTJE E PAVERIFIKUAR

Imazhi i gjeneruar me IA po shpërndahet si fotografi reale e Kurtit pranë një figure që duket si maketë e Donald Trumpit.

Në median sociale Facebook, të premten (2 shtator) është publikuar një imazh që paraqet Albin Kurtin pranë një figure që duket si maketë e Donald Trumpit. Imazhi u publikua në kontekstin e diskutimeve për fotografitë reale të Trumpit me liderë të ndryshëm botërorë dhe ngjashmërinë e pozave të tij.

Megjithatë, fotografia nuk është reale. Personi që e publikoi, Besart Kuleta, ka pranuar se imazhi ishte gjeneruar me inteligjencë artificiale dhe ishte publikuar si meme. Sipas tij, që në publikimin fillestar fotografia kishte shenjën “AI Content” dhe hashtagë që tregonin se ishte krijuar me IA, ndërsa më vonë përshkrimi u përditësua duke e specifikuar këtë (shih këtu).

Ndërkohë, ky person tashmë e ka fshirë fotografinë nga llogaria e tij, por e njëjta vazhdon të qarkullojë në mediat sociale Facebook, Instagram e TikTok si fotografi reale (shih këtu, këtu, këtu e këtu).

Edhe analiza përmes platformës HiveModeration e identifikon imazhin si përmbajtje të gjeneruar me inteligjencë artificiale (shih fotografinë më poshtë).


Si u shkëput fotografia nga konteksti?

Rasti ilustron se si një përmbajtje e publikuar fillimisht si meme dhe me shënime që tregojnë se është e gjeneruar me IA mund të qarkullojë më vonë pa kontekstin fillestar.

Fotografia u shfaq në një moment kur po qarkullonin fotografi reale të Trumpit me liderë të ndryshëm, disa prej të cilave kishin ngjashmëri të dukshme në pozicionimin e tij  (shih këtu). Kjo i dha imazhit të gjeneruar një kontekst që mund ta bënte më të besueshëm për përdoruesit që nuk e kontrollonin burimin.

Kur një fotografi ruhet, bëhet screenshot ose ripublikohet, mund të humbasin përshkrimi, shenja “AI Content” dhe informacionet e tjera që tregonin natyrën e saj. Kështu, një imazh i krijuar si meme mund të paraqitet më vonë si dëshmi e një ngjarjeje që nuk ka ndodhur.


Çka duhet të kemi parasysh para se ta shpërndajmë një përmbajtje?

Para se një fotografi/përmbajtje të shpërndahet si fakt, është e rëndësishme të kontrollohet kush e ka publikuar fillimisht, çfarë përshkrimi kishte, në çfarë konteksti është publikuar dhe të verifikohet nëse ekzistojnë burime të tjera kredibile që e konfirmojnë atë.

Në këtë rast, fakti që fotografia vazhdon të qarkullojë edhe pasi autori i saj e ka pranuar se është e gjeneruar me IA tregon se heqja e një përmbajtjeje nga burimi nuk e ndal domosdoshmërisht përhapjen e saj.


Analiza

Një imazh ku paraqitet Albin Kurti pranë një figure që duket si maketë e Donald Trumpit po qarkullon në rrjete sociale si fotografi reale.

Megjithatë, imazhi është gjeneruar me inteligjencë artificiale dhe fillimisht ishte publikuar nga autori si përmbajtje satirike/meme, me shënimin se ishte krijuar me IA.

Megjithatë pas shpërndarjeve të mëvonshme, ky kontekst është humbur dhe imazhi po paraqitet nga llogari e faqe në media sociale si fotografi e vërtetë.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson si “Përmbajtje të paverifikuar” shpërndarjen e imazhit si fotografi reale, pa u verifikuar paraprakisht burimi dhe autenticiteti i tij.

Arsyetimi

Vlerësimi “I pa verifikuar” u bëhet atyre përmbajtjeve informative që nuk ofrojnë informata të mjaftueshme për të konfirmuar pretendimet e bëra në raport, dhe të cilat nuk kanë mundur të verifikohen për shkak të rrethanave të caktuara (shpejtësisë, mungesës së burimeve) gjatë publikimit të përmbajtjes.

Raporto

Na ndihmoni të përmirësojmë duke na raportuar problemet ose sugjerimet tuaja

0 / minimum 10 karaktere