Të fundit | Kosova në fushatën zgjedhore në Serbi: Mbështetja e Ficos për Vuçiqin dhe m… Të fundit | Pretendimet konspirative të Vuçiqit për mbështetjen e Kurtit ndaj Listës St… Të fundit | Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030: Çka thuhet në letrën e ICMG-së, çka doku… Të fundit | Analizë e pretendimeve territoriale ndaj Kosovës në fushatën zgjedhore serb… Të fundit | Imazhi i Kryeministrisë në flakë gjatë protestave në Tiranë është i gjeneru… Të fundit | Pretendohet pa fakte se Kurti po e mbështet Listën Studentore në Serbi përm… Të fundit | Titulli nuk e specifikon se 1 mijë euro për të porsalindurit ofrohen në Gre… Të fundit | Podesta nuk ka thënë se “Kosova nuk duhet ta pranojë dënimin e UÇK-së në kë… Të fundit | Imazhe të gjeneruara me IA paraqiten rrejshëm si pamje nga protestat në Tir… Të fundit | Mediat ruse dhe serbe pretendojnë rrejshëm se Kosova po përgatitet për luft…
[ ARTIKULLI ]

Kosova në fushatën zgjedhore në Serbi: Mbështetja e Ficos për Vuçiqin dhe mesazhi i Zakharovës “Kosova është Serbi”

FATBARDH DEMA

Gjatë fushatës zgjedhore në Serbi, politikanë të huaj janë përfshirë në tubime dhe publikime të politikanëve serbë, ku është përmendur edhe çështja e Kosovës. Më 16 tetor, kryeministri i Sllovakisë, Robert Fico, mori pjesë në një tubim parazgjedhor të Aleksandar Vuçiqit në Novi Sad, ku shprehu mbështetjen për të dhe deklaroi se Sllovakia nuk do ta zhgënjejë Serbinë për çështjen e Kosovës. Po atë ditë, Ivica Daçiçi publikoi një video nga takimi me zëdhënësen e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, në të cilën ajo tha “Kosova është Serbi”.

Këto raste vijnë në kohën kur në Serbi po zhvillohet fushata për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 25 tetorit 2026. Deklaratat e Ficos dhe Zakharovës, si dhe mënyra se si ato u publikuan nga politikanët serbë, paraqesin dy shembuj të përfshirjes së aktorëve të huaj në komunikimin politik gjatë kësaj fushate.

Fico në tubimin e Vuçiqit: “Për Kosovën nuk do t’ju zhgënjejmë kurrë”

Kryeministri sllovak, Robert Fico, mori pjesë më 16 tetor në tubimin parazgjedhor të listës “Aleksandar Vuçiq – Serbia e Bashkuar”, të mbajtur në Novi Sad, ku shprehu publikisht mbështetjen për presidentin serb.

Sipas raportimit të mediumit Klix.ba, Fico tha se e mbështet Vuçiqin sepse, sipas tij, ai mbron Serbinë sovrane dhe të drejtën e saj për të marrë vendime të pavarura.

Gjatë fjalimit, Fico iu referua edhe Kosovës, duke deklaruar: “Kur bëhet fjalë për Kosovën, nuk do t’ju zhgënjejmë kurrë”. Ai shtoi se Serbia do të ketë tek ai një mik të sinqertë.

Pjesëmarrja e Ficos në tubim dhe deklarata e tij për Kosovën u bënë pjesë e një aktiviteti të organizuar në mbështetje të Vuçiqit dhe listës zgjedhore që mban emrin e tij.

Sllovakia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Në këtë kontekst, deklarata e Ficos për vazhdimin e mbështetjes ndaj Serbisë për çështjen e Kosovës përputhet me qëndrimin zyrtar të vendit të tij.

Pra në këtë rast, një kryeministër i huaj jo vetëm që mori pjesë në tubimin e një liste zgjedhore serbe, por edhe shprehu publikisht mbështetjen për Vuçiqin dhe foli për Kosovën në të njëjtin fjalim.

Maria Zakharova thotë “Kosova është Serbi” gjatë takimit me Ivica Daçiqin

Mw 16 tetor, Daçiçi publikoi një video nga takimi me Maria Zakharovën, zëdhënësen e Ministrisë së Jashtme ruse, gjatë vizitës së tij në Moskë.

Sipas raportimit të Politika.rs, Daçiçi i dhuroi Zakharovës një veshje tradicionale serbe. Në videon e publikuar prej tij në llogarinë zyrtare në Instagram (shih këtu), Zakharova falënderoi për dhuratën dhe në fund përcolli mesazhin: “Kosova është Serbi”.

Në përshkrimin e videos, Daçiçi e paraqiti deklaratën si mesazh për serbët dhe si shprehje të përkrahjes e mbështetjes. Ai shkroi gjithashtu se do të kthehej në Serbi për të vazhduar fushatën zgjedhore.

Daçiqi është bartës i listës zgjedhore “Ivica Daçiq – Faktor i stabilitetit”. Kështu, publikimi i takimit dhe mesazhit të Zakharovës u përfshi në komunikimin e tij publik në periudhën e fushatës.

Rusia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe mbështet qëndrimin e Serbisë për këtë çështje. Deklarata e Zakharovës përputhet me këtë pozicion, ndërsa Daçiqi e shpërndau atë duke e paraqitur si përkrahje për serbët.

Pretendimet për Kosovën në komunikimin zgjedhor serb

Rastet e Ficos dhe Zakharovës vijnë pas deklaratave të tjera të politikanëve serbë për Kosovën gjatë fushatës zgjedhore.

Në artikullin “Analizë e pretendimeve territoriale ndaj Kosovës në fushatën zgjedhore serbe”, hibrid.info (shih këtu) trajtoi deklaratën e Ivica Daçiqit se flamuri serb do të valojë sërish në Prizren. Në të njëjtin kontekst, u trajtuan edhe deklaratat e Millosh Jovanoviqit, i cili gjatë një vizite në Prizren tha se “Kosova dhe Metohia është Serbi, gjithmonë ka qenë Serbi”.

Këto deklarata paraqesin pretendime për sovranitetin e Serbisë mbi Kosovën, të shprehura përmes referencave historike dhe simboleve kombëtare.

Ndërkohë, hibrid.info ka trajtuar edhe pretendimet e mediave dhe zyrtarëve serbë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po financon mbështetjen për Listën Studentore në Serbi. Në artikullin “Pretendime pa fakte se Kurti po financon mbështetjen për Listën Studentore në Serbi” (shih këtu), u konstatua se deklarata e Nenad Rashiqit për mbështetjen e kësaj liste nuk dëshmonte se Kurti e financonte atë.

Po ashtu, në artikullin “Pretendohet pa fakte se Kurti po e mbështet Listën Studentore në Serbi përmes deputetit Raduloviq” (shih këtu), u shqyrtua pretendimi i mediumit serb “Vaseljenska.net” se një video e deputetit Lazar Raduloviq dëshmonte mbështetjen e Kurtit për këtë listë. Videoja nuk dëshmonte se veprimi i deputetit ishte udhëzuar apo koordinuar nga kryeministri i Kosovës.

Këto raste dallojnë nga deklaratat e Ficos dhe Zakharovës. Në rastin e Listës Studentore, mediat serbe e lidhën mbështetjen e shprehur nga aktorë politikë në Kosovë me pretendime për përfshirjen e drejtpërdrejtë të Kurtit, pa paraqitur prova për këtë lidhje. Në rastet e Ficos dhe Zakharovës, deklaratat publike dhe pjesëmarrja në aktivitete ose publikime janë të dokumentuara.

Megjithatë, të gjitha këto raste tregojnë se çështja e Kosovës është pjesë e komunikimit politik që zhvillohet gjatë fushatës zgjedhore në Serbi, si përmes pretendimeve territoriale, ashtu edhe përmes deklaratave që lidhen me mbështetjen ndërkombëtare.


Pse përdoren politikanët e huaj gjatë fushatave zgjedhore?

Studimet në shkencat politike kanë shqyrtuar ndikimin që mund të kenë mbështetja dhe ndërhyrjet e aktorëve të huaj në zgjedhjet e një vendi.

Në studimin “Taking Sides in Other People’s Elections: The Polarizing Effect of Foreign Intervention” (shih këtu), studiuesit Daniel Corstange dhe Nikolay Marinov analizojnë se si reagojnë votuesit kur aktorë të jashtëm mbështesin një kandidat ose grup politik. Studimi dallon mes mbështetjes për një kandidat të caktuar dhe mbështetjes për procesin demokratik në përgjithësi. Sipas autorëve, mbështetja e njëanshme nga jashtë mund të thellojë ndarjet politike, duke ndikuar në qëndrimet e mbështetësve dhe kundërshtarëve ndaj fuqisë së huaj që përfshihet në proces.

Një studim më i ri, i botuar në vitin 2025 nga Michael Tomz dhe Jessica L. P. Weeks, me titull “The Domestic Political Costs of Soliciting Foreign Electoral Intervention” (shih këtu), shqyrton reagimet e votuesve ndaj politikanëve që kërkojnë ndihmë nga jashtë për të fituar zgjedhjet. Autorët gjetën se kandidatët që kërkonin ndihmë të huaj humbnin mesatarisht mbështetje, megjithëse ndikimi ndryshonte sipas rrethanave dhe mënyrës së paraqitjes së kësaj ndihme.


Përfundim

Pjesëmarrja e kryeministrit sllovak Robert Fico në tubimin e Vuçiqit dhe publikimi i deklaratës së Maria Zakharovës nga Daçiqi tregojnë se çështja e Kosovës është përfshirë në komunikimin publik të politikanëve serbë gjatë fushatës zgjedhore.

Në rastin e Ficos, mbështetja për Vuçiqin u shoqërua me zotimin se Sllovakia nuk do ta zhgënjejë Serbinë për çështjen e Kosovës. Në rastin e Zakharovës, Daçiqi publikoi një mesazh që përsërit qëndrimin e Rusisë kundër pavarësisë së Kosovës dhe e paraqiti atë si përkrahje për serbët.

Këto raste dokumentojnë përdorimin e deklaratave të aktorëve të huaj në komunikimin zgjedhor serb, ndërsa studimet mbi mbështetjen e jashtme në fushata tregojnë se deklarata të tilla mund të kenë rëndësi për mënyrën se si kandidatët paraqesin pozicionet e tyre politike.

Raporto

Na ndihmoni të përmirësojmë duke na raportuar problemet ose sugjerimet tuaja

0 / minimum 10 karaktere