Fotografitë e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Donald Trump, me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të publikuara apo shpërndara më 2 tetor 2026, kanë tërhequr vëmendje për shkak të ngjashmërisë së madhe në mënyrën se si shfaqet Trumpi.




Në një krahasim vërehet se në fotografitë me Kurtin, Ramën, Mickoskin e Vuçiqin, Trumpi qëndron pothuajse në të njëjtin pozicion trupor. Në këto fotografi, ai ka një shprehje të ngjashme të fytyrës dhe dorën e djathtë të pozicionuar në mënyrë të ngjashme, me gishtin e madh të ngritur.
Personat që qëndrojnë pranë tij ndryshojnë, ndërsa pozicioni i Trumpit mbetet pothuajse identik.
Fotografitë janë realizuar gjatë një pritjeje të organizuar nga Trumpi në New York, më 22 shtator, në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Dy lloje pozimi të Trumpit në fotografitë e publikuara
Deri tani, në fotografitë e publikuara nga kjo pritje dallohen kryesisht dy forma të pozimit të Trumpit.
Në grupin e parë janë fotografitë ku Trumpi shfaqet në një pozicion pothuajse të njëjtë trupor, me dorën e djathtë të ngritur dhe gishtin e madh lart.
Në grupin e dytë janë fotografitë ku Trumpi shfaqet duke shtrënguar duart me liderët që ndodhen pranë tij. Kjo shihet në fotografinë me kryeministrin e Gjeorgjisë, Irakli Kobakhidze, si dhe në një nga fotografitë me kryeministrin e Pakistanit, Shehbaz Sharif.
Më 2 tetor, Georgia Today publikoi informacionin e Administratës së Qeverisë së Gjeorgjisë se Kobakhidze kishte marrë pjesë më 22 shtator në pritjen e organizuar nga Trumpi në New York. Bashkë me njoftimin u publikua edhe fotografia ku Trumpi dhe Kobakhidze shihen duke shtrënguar duart.

Screenshot nga artikulli i “GeorgiaToday.ge”
Një tjetër shembull është fotografia e Trumpit me kryeministrin e Pakistanit, Shehbaz Sharif. Dawn publikoi dy fotografi nga takimi i tyre gjatë pritjes së organizuar nga Trump në New York. Në njërën fotografi, Trump dhe Sharif shihen duke pozuar, me presidentin amerikan duke bërë shenjën me gishtin e madh, ndërsa në fotografinë tjetër dy liderët shihen duke shtrënguar duart.


Screenshot nga artikulli “Dawn.com”
Këto materiale tregojnë se, gjatë kësaj pritjeje, janë publikuar të paktën dy lloje të dallueshme të pozimit të Trumpit. Njëri ku ai qëndron pranë liderit me gishtin e madh të ngritur dhe tjetri ku ai shfaqet duke shtrënguar duart me të.
Fotografitë nuk rezultojnë të jenë të krijuara me IA
Analiza e fotografive përmes platformës për detektimin e inteligjencës artificiale “HiveModeration” nuk tregon se këto imazhe janë të krijuara me IA. Rezultatet e analizës nuk i identifikojnë fotografitë si përmbajtje të gjeneruara me IA.


Kjo do të thotë se ngjashmëria e dukshme në pozicionimin e Trumpit në fotografitë me liderët ballkanikë nuk shpjegohet, bazuar në këtë analizë, me faktin se fotografitë janë krijuar me inteligjencë artificiale.
Çka sqaroi Presidenca e Rumanisë lidhur me fotografitë?
Administrata Presidenciale e Rumanisë reagoi më 2 tetor dhe sqaroi se fotografia e presidentit rumun, Nicusor Danit me Trumpin është reale. Në një njoftim të publikuar nga AGERPRES, Presidenca rumune tha se fotografia është realizuar nga fotografi zyrtar i Shtëpisë së Bardhë gjatë pritjes së organizuar nga Trumpi në New York.
Në të njëjtin sqarim, Presidenca rumune dha edhe një shpjegim për ngjashmërinë e kuadrove.
Sipas saj, në këtë event kishte pasur qasje vetëm fotografi zyrtar i Shtëpisë së Bardhë, ndërsa fotografitë ishin përpunuar dhe shpërndarë njëkohësisht te përfaqësitë e vendeve pjesëmarrëse.
Pra, sipas shpjegimit të Presidencës së Rumanisë, ngjashmëria e kuadrove të publikuara nga liderë të ndryshëm lidhet me mënyrën se si janë realizuar dhe shpërndarë fotografitë nga ky event.
Kështu, fotografitë me liderët ballkanikë kanë një ngjashmëri të dukshme në pozicionimin e Trumpit, veçanërisht në pozën me gishtin e madh lart. Në të njëjtën kohë, fotografitë e tjera nga pritja tregojnë një pozicionim tjetër të tij, atë me shtrëngim duarsh.
Ndërsa analiza përmes HiveModeration nuk i identifikon fotografitë si të krijuara me AI.
Presidenca e Rumanisë ka dhënë një shpjegim institucional për ngjashmërinë e kuadrove, duke e lidhur atë me mënyrën e fotografimit dhe shpërndarjes së imazheve nga eventi.