Nëpërmjet titujve në media të rajonit, por edhe në shqip në media sociale, kanë qarkulluar pretendime për pamjen se si do të duket stadiumi i ri i futbollit në Kosovë.
“Prezantohet një koncept që ta merr frymën: Kosova po bëhet me një prej stadiumeve më modern të Ballkanit”, është titulli i “sportsport.ba” në Bosnje-Hercegovinë, i publikuar më 7 korrik.
Pas tij pasuan edhe publikime të tjera. “Prezantohen dizajnet: Ish-shteti i Jugosllavisë po bëhet me një prej stadiumeve më moderne?”, mbajnë titujt dy artikuj në Kroaci e Mal të Zi. “Shikoni çfarë stadiumi po bën Kosova. Do të jetë ndër më të bukurit në rajon”, mban titullin një tjetër artikull (shih këtu).
Ndërkaq më vonë, në mediat sociale, faqe në gjuhën shqipe e shpërndanë pretendimin me tituj të ngjashëm ose të përkthyer (shih këtu, këtu dhe këtu).
Pretendimi i të gjithëve është se ky stadium do të ndërtohet për “Lojërat Mesdhetare 2030” që pritet të organizohen në kryeqytetin e Kosovës.
Çka nuk qëndron me këta tituj?
Përderisa titujt e lënë përshtypjen se dizajni në fjalë është përcaktuar si projekt final se si do të duket stadiumi i planifikuar i Kosovës, as përmbajtja e artikujve e as faktet zyrtare nuk e thonë një gjë të tillë.
Sipas përmbajtjeve, bëhet fjalë për një koncept të krijuar nga arkitekti Ardit Hamza, themelues i “PixLine Designs studio”, si pjesë e temës së masterit në Universitetin Teknik në Graz të Austrisë. Me një kërkim me emrin e arkitektit në fjalë dhe të kompanisë së përmendur, Hibrid.info ka gjetur se publikimi i fotografive të prezantuara tash në media, kishte ndodhur javë më parë në llogarinë e kompanisë në “Instagram”. Më 23 qershor 2026, publikimi ishte bërë nga “sportsrender”, platformë që publikon dizajne të objekteve sportive. E një ditë më pas ky koncept u publikua në faqen në Facebook të “PixLine Designs”, dhe aty theksohet se është pjesë e temës së masterit.
Për më shumë, nuk ka pasur raportim për përzgjedhjen e dizajnit të stadiumit të pretenduar. Kërkimet në “Google” me fjalët “zgjidhet dizajni i stadiumit për Lojërat Mesdhetare” ose “kështu do të duket stadiumi i ri në Kosovë” nuk çojnë në artikuj kredibilë se është përzgjedhur ndonjë dizajn se si do të mund të duket ky stadium.
Në uebfaqen e Shërbimit të Arkitektit të Kryeqytetit, në vitin 2024 është publikuar një njoftim për Fshatin Olimpik për Lojërat Mesdhetare 2030. Aty nuk është përmendur dizajni i stadiumit.
Çka dihet për procesin e organizimit të Lojërave Mesdhetare?
Kuvendi e ka miratuar Ligjin për Lojërat Mesdhetare më 23 prill 2026 (shih këtu). Sipas ligjit, parashihet që pas formimit të Komitetit Organizativ të Lojërave Mesdhetare (OCMG), ky komitet ka gjashtë muaj kohë për të dorëzuar versionin përfundimtar të Masterplanit për organizimin e Lojërave Mesdhetare për të marrë miratimin e Komitetit Ekzekutiv të Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare.
Mbi këtë çështje, më 17 maj, Komiteti Olimpik i Kosovës njoftoi se kanë përfunduar takimet koordinuese me fokus te prezantimi i Master Planit nga kompania përgjegjëse (shih këtu).
Në këtë njoftim, KOK-u ka përmendur faqen në Facebook me emrin “Prishtina 2030” si faqe të dedikuar për Lojërat Mesdhetare. Një kërkim në këtë faqe tregon se nuk ka dizajn të përcaktuar për stadiumin e ri të Kosovës, si në pretendimin e artikujve që po trajtohen (shih këtu).
Paraprakisht më 3 mars, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, pati bërë të ditur se po hyhet në fazën vendimtare të planifikimit për detajimin e masterplanit të objekteve. “Po analizojmë lokacionet, nevojat infrastrukturore dhe vendimet kyçe për organizimin”, pati shkruar ai (shih këtu).
Raportimet për vonesa me infrastrukturën sportive
Në disa raste është raportuar në media për vonesat në punimet rreth infrastrukturës sportive. Fokusi ka qenë te stadiumi ku supozohet të bëhet ceremonia e hapjes dhe e mbylljes e Lojërave Mesdhetare 2030 (shih këtu dhe këtu).
Projektet paraprake për stadiumin kombëtar
Stadiumi kombëtar i Kosovës ka qenë temë diskutimi tash e sa vite. Diskutimet më të mëdha ishin kur u bë më e paqartë puna e lokacionit. Akterë politikë u përplasën ndër vite nëse ai duhet të ndërtohet në Bërnicë të Prishtinës apo në Korreticë të Drenasit.
Më 14 qershor 2019, në një ceremoni ishte prezantuar projekti i Stadiumit Kombëtar, me planin për t’u ndërtuar në afërsi të Drenasit. Në ceremoni morën pjesë zyrtarë të lartë shtetërorë të asaj kohe e të Federatës së Futbollit (shih këtu).
Por deri sot nuk ka raportime për nisje të ndërtimit.
Analiza:
Titujt që e paraqesin si punë të kryer një dizajn të stadiumit të ri të Kosovës janë çorientues.
Fotot paraqesin një koncept të arkitektit Ardit Hamza, pjesë e temës së tij të masterit, e jo projektin zyrtar.
Nuk ka informacione zyrtare se është përzgjedhur ndonjë dizajnin për stadiumin e planifikuar për Lojërat Mesdhetare 2030.
Në bazë të metodologjisë, hibrid.info i vlerëson këta tituj si “përmbajtje e paverifikuar”
Arsyetimi:
Vlerësimi “I pa verifikuar” u bëhet atyre përmbajtjeve informative që nuk ofrojnë informata të mjaftueshme për të konfirmuar pretendimet e bëra në raport, dhe të cilat nuk kanë mundur të verifikohen për shkak të rrethanave të caktuara (shpejtësisë, mungesës së burimeve) gjatë publikimit të përmbajtjes.