[email protected]
Mbahet trajnimi me profesorin Blerim Rexha për projektin Hybrid Lab: Studentët po përgatiten për ta luftuar dezinformimin
shape
shape
shape

Në përpjekje për ta luftuar dezinformimin dhe për ta rritur cilësinë e informacionit në mjedisin digjital, profesori Blerim Rexha e ka mbajtur trajnimin me studentët në kuadër të projektin Hybrid Lab. Ky projekt synon të sjellë zgjidhje inovative për t’i adresuar sfidat gjithnjë e në rritje të dezinformimit në mënyrë sa më efikase.

Profesori Rexha, një figurë e njohur në fushën e sigurisë së të dhënave dhe shërbimeve të internetit, është profesor në Universitetin e Prishtinës, Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike në Kosovë. Me një përvojë të gjatë dhe njohuri të thelluara në fushën e teknologjisë, ai është trajneri dhe mentori ideal për një nismë të tillë.

Pjesëmarrësit që janë pjesë e Hybrid Lab janë studentë nga disa degë të ndryshme shkencore si gazetaria, teknologji e informacionit dhe kompjuterike, si dhe shkenca sociale. Me ndihmën e profesorit Rexha, ata janë gati të zhvillojnë dhe të aplikojnë ide origjinale për të krijuar zgjidhje të avancuara kundër dezinformimit në internet.

Projekti Hybrid Lab është mbështetur nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë dhe synon ta përdorë teknologjinë për ta rritur ndërgjegjësimin publik ndaj keqinformimit. Me një ekip prej 30 pjesëmarrësish të apasionuar, projekti synon të përdorë inovacionin dhe teknologjinë për të krijuar mjete dhe aplikacione efektive për të luftuar dezinformimin.

Pas trajnimeve me profesionistë të fushës, studentët do të paraqesin idetë e tyre për aplikacione dhe vegla inovative që synojnë të përmirësojnë cilësinë e informacionit në internet. Një nga aspektet më stimuluese të projektit është shpërblimi i propozimeve më të mira, ku 5 idetë e zgjedhura do të fitojnë deri në 5000 dollarë amerikanë për të zhvilluar dhe për të realizuar më tej iniciativat e tyre. Përmes këtij projekti, studentët kanë një mundësi unike për të ndryshuar mënyrën se si shpërndahet informacioni dhe për të kontribuar në krijimin e një mjedisi më të sigurt dhe më të paanash në internet.

Share With Others