Përmes një postimi në Facebook dhe TikTok nga faqja “Ting News”, pretendon se serbët e Kosovës po udhëtojnë drejt Shqipërisë për të përshkallëzuar trazirat në Tiranë. Pretendimi shoqërohet me një imazh që paraqet kolona automjetesh në pikën kufitare të Morinës të cilat kanë targa (BG) të Beogradit.

Çka u pretendua përmes postimit?
Më 17 tetor, faqja “Ting News” publikoi në Facebook dhe TikTok një imazh që paraqet automjete me targa të Beogradit në kolonë në pikën kufitare të Morinës, në kufirin mes Kosovës dhe Shqipërisë. Në imazh shfaqet mbishkrimi: “SERBËT E KOSOVËS NISEN NË SHQIPËRI PËR TË PËRSHKALLËZUAR TRAZIRAT”.
Në përshkrimin e postimit pretendohet se fluksi i lartë i automjeteve që hyjnë nga Kosova në Shqipëri ka ngritur dyshime, për shkak të protestave dhe tensioneve në Tiranë. Po ashtu, thuhet se, sipas informacioneve të përcjella në redaksi, mes personave që hyjnë në Shqipëri mund të ketë individë të lidhur me shërbimet sekrete serbe, të cilët dyshohet se synojnë të infiltrohen në protesta dhe të përshkallëzojnë trazirat.
Megjithatë, postimi nuk paraqet prova që vërtetojnë se personat e përmendur janë të lidhur me shërbimet sekrete serbe ose se kanë për qëllim të ndikojnë në protestat e Tiranës.
FAKTET
Për të verifikuar origjinën e imazhit, ai u analizua përmes dy platformave të detektimit të përmbajtjeve të gjeneruara me inteligjencë artificiale.
Platforma BestAIImageDetector.com e vlerësoi imazhin me 95% mundësi që të jetë i gjeneruar me IA, ndërsa platforma FauxLens.com e vlerësoi me 99% mundësi që të jetë i gjeneruar me IA (shih fotografitë më poshtë).


Edhe nëse në pikën kufitare të Morinës ka pasur fluks të shtuar automjetesh ose kontrolle kufitare, këto rrethana nuk dëshmojnë se personat që udhëtojnë drejt Shqipërisë janë të përfshirë në ndonjë veprimtari të paligjshme.
Mediumi online Koha.net më 17 tetor raportoi se Shqipëria kishte shtuar kontrollet në kufirin me Kosovën, një ditë pasi u raportua për arrestimin e dy personave nga Kosova gjatë protestave në Tiranë. Sipas artikullit, zyrtarët kufitarë i thanë mediumet se kontrollet e shtuara lidheshin me situatën e protestave (shih këtu).
Mediumi shqip “Shekulli.com.al” më 16 tetor raportoi se Policia e Shtetit (Shqipëri) i ka cilësuar si të pavërteta pretendimet për praninë e agjentëve civilë serbë gjatë protestës së 15 tetorit në Tiranë (shih këtu).
Prandaj, imazhi i gjeneruar me IA dhe pretendimi i shoqëruar me të nuk përbëjnë dëshmi për një operacion të tillë.
Bazuar në këto gjetje, pretendimi se serbët e Kosovës po shkojnë në Shqipëri për të përshkallëzuar trazirat nuk mbështetet me prova të verifikueshme.
Analiza
Përmes një imazhi të gjeneruar me inteligjencë artificiale, pretendohet se serbët e Kosovës po udhëtojnë drejt Shqipërisë për të përshkallëzuar protestat në Tiranë.
Dy platforma për detektimin e IA-së e vlerësuan imazhin me 95% dhe 99% mundësi të jetë i gjeneruar me inteligjencë artificiale. Edhe pse mediat raportuan për kontrolle të shtuara në kufirin e Morinës, nuk ka prova që vërtetojnë pretendimet e faqes “Ting News” për përfshirjen e personave të lidhur me shërbimet sekrete serbe.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Mashtrim” dhe “Lajm i rremë”.
Arsyetimi
Vlerësimi “Mashtrim” u bëhet atyre përmbajtjeve informative të cilat manipulohen si në aspektin vizual (deepfake, cheapfake), zanor (audio) apo tekstual të përmbajtjes për të mashtruar audiencën. Zakonisht kjo formë e mashtrimit përdoret për të prodhuar përmbajtje të paqena dhe të manipuluara.
Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato përmbajtje informative që janë tërësish të sajuara apo të cilat në vete përmbajnë pretendime ose informacione faktikisht të gabuara. Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.