Të fundit | Maria Bamieh nuk ka pretenduar se Charles Smith tha se “shqiptarët janë kaf… Të fundit | Wilson nuk e bëri këtë deklaratë për Kurtin Të fundit | Pretendohet rrejshëm se Trump ka hequr vizat për Kosovën dhe ka folur për K… Të fundit | Deklaratat për protestat në Prishtinë që u atribuohen DioGuardit, Walkerit… Të fundit | Sheshel nuk tha se aktakuza ndaj Thaçit dhe UÇK-së është shkruar në Beograd… Të fundit | Imazhi i Hysni Gucatit me revole është manipuluar me IA Të fundit | Trump nuk kërkoi lirimin e ish-krerëve të UÇK-së deri në dhjetor Të fundit | Rishikimi i javës: Pretendime dezinformuese për aktgjykimin në Hagë, përmba… Të fundit | Titulli nuk tregon se paga minimale deri në 1400 euro vlen për Malin e Zi Të fundit | “Ma sollën një dash dhe më thanë t’i fryeja në […]” – audioja e gjeneruar m…
[ ARTIKULLI ]

Pretendohet rrejshëm se Trump ka hequr vizat për Kosovën dhe ka folur për Kurtin e anëtarësimin e Kosovës në BE

ETRIT REXHEPI

VERDIKTI YNË

LAJM I RREMË

Kjo përmbajtje është e sajuar.

Publikohet një përmbajtje me mbishkrimin që pretendon se presidenti amerikan Donald Trump ka hequr vizat për Kosovën, duke ia atribuar këtë sukses kryeministrit Albin Kurtit, dhe se e ka cilësuar atë si një partner shumë të mirë në një deklaratë për BBC. Po ashtu, pretendohet se Trump ka deklaruar se Kosova do të futet në Evropë para Shqipërisë brenda shtatë viteve dhe se do të bëhet lider në Ballkan.

Përmbajtja në fjalë është publikuar të shtunën (19 shtator) në Facebook nga një llogari me emrin “Tibas Sabit Dermaku Derma” (shih këtu).

E njëjta përmbajtje është publikuar edhe në TikTok nga një llogari me emrin “halitdardani” (shih këtu).

Çka nuk shkon me përmbajtjen?

Kjo përmbajtje është e sajuar.

Pas verifikimit të imazhit me anë të programit të automatizuar të kërkimit “InVID”, u gjet se përmbajtja u publikua edhe nga llogaria me emrin “Nazmi Avdiu” në grupin në Facebook, “Poezi te bukura” dhe në TikTok nga llogaria me emrin “sergio..selimi2”.

Në përgjithësi postimet kanë gjeneruar mbi 5 mijë pëlqime, mbi 50 mijë shikime në TikTok dhe afër 500 komente, nga përmbajtja e të cilave vërehet se audienca ka gjasa ta perceptojë pretendimin si të besueshëm.

Kërkimi në “InVID” nuk konfirmoi pretendimin si të vërtetë.


Për shkak se bëhet fjalë për deklaratë që pretendohet të jetë thënë nga presidenti i ShBA-së, hibrid.info ka hulumtuar në llogaritë personale të tij në Facebook dhe në TruthSocial (shih këtu dhe këtu). Në postimet e ditëve të fundit, nuk është hasur asnjë postim që konfirmon pretendimin në fjalë.

Diçka e tillë nuk konfirmohet as në postimet e faqes së “Shtëpisë së Bardhë” në Facebook (shih këtu).


Për shkak se pretendohet se lajmi është raportuar nga “BBC”, hibrid.info kontrolloi në uebfaqen e mediumit britanik dhe kërkoi me fjalët “kosovo” dhe “trump”. Artikujt e shfaqur nuk treguan raportimin e pretenduar (shih këtu dhe këtu).


Më pas, kërkimi ka vazhduar në makinën e kërkimit “Google”, duke u fokusuar drejtpërdrejt te deklarata e pretenduar dhe te qëndrimet e përgjithshme të Trump për Kurtin (përmes kërkimit: donald trump on albin kurti) (shih këtu dhe këtu).

Rezultatet nga kërkimi nuk kanë shfaqur asnjë artikull që konfirmon qëndrimin e pretenduar të Trump për heqjen e vizave të ShBA-së për Kosovën apo për kryeministrin Kurti.

Si funksionon heqja e vizave nga ShBA-ja për vendet e tjera?

Sipas një raporti të Shërbimi Kërkimor i Kongresit (ShKK) përfshirja e një shteti në Programin e Heqjes së Vizave (Visa Ëaiver Program) të SHBA-së kërkon përmbushjen e një sërë kriteresh ligjore dhe të sigurisë, ndërsa vendimi për përfshirjen në program merret përmes një procesi të përcaktuar në legjislacionin amerikan.

Për përfshirjen e një shteti në Visa Ëaiver Program (VËP), ai duhet të plotësojë një sërë kriteresh, përfshirë normën e refuzimit të vizave joemigruese nën 3%, pasaporta elektronike dhe biometrike, raportimin e pasaportave të humbura ose të vjedhura, kontrollet përmes databazave përkatëse të sigurisë, pranimin e riatdhesimit të shtetasve dhe shkëmbimin e informacionit me SHBA-në për çështjet e sigurisë. Përveç këtyre, duhet të përcaktohet se përfshirja e shtetit nuk cenon interesat e SHBA-së në zbatimin e ligjit dhe sigurisë. Procesi nis me nominimin nga Departamenti i Shtetit, ndërsa Departamenti i Sigurisë Kombëtare (DSK) i SHBA-së kryen shqyrtimin përfundimtar dhe certifikon nëse shteti i plotëson kërkesat. Më pas, Sekretari i DSK-së, në konsultim me Sekretarin e Departamentit të Shtetit, merr përcaktimin për përfshirjen në program.

Anëtarësimi në BE

Ndryshe nga pretendimi për përfshirjen e Kosovës në Bashkimin Evropian, ky proces nuk përcaktohet nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump. Procesi i anëtarësimit në BE zhvillohet përmes institucioneve të Bashkimit Evropian dhe shteteve të tij anëtare, në bazë të kritereve dhe procedurave të përcaktuara për zgjerimin e Unionit (shih këtu).

Komisioni Evropian (KE) vlerëson përparimin e vendeve kandidate dhe potenciale për anëtarësim përmes raporteve të rregullta të progresit. Në këto raporte analizohen reformat e ndërmarra, përmbushja e kritereve të anëtarësimit dhe fusha të tjera të rëndësishme për procesin e integrimit. Komisioni Evropian gjithashtu mund të japë rekomandime lidhur me hapat e mëtejshëm të procesit.

Megjithatë, vendimet kryesore për avancimin e një vendi në procesin e anëtarësimit nuk merren nga Komisioni Evropian i vetëm. Për shembull, hapja e negociatave për anëtarësim kërkon vendim unanim të qeverive të shteteve anëtare në Këshillin e Bashkimit Evropian. Po ashtu, përfundimi i procesit dhe anëtarësimi kërkojnë miratimin dhe ratifikimin e Traktatit të Anëtarësimit nga institucionet dhe shtetet përkatëse të BE-së.

Pra, as përparimi i Kosovës drejt anëtarësimit në BE dhe as një afat i mundshëm për anëtarësim nuk përcaktohen nga presidenti amerikan Donald Trump. Këto çështje janë pjesë e procesit të zgjerimit të BE-së dhe varen nga përmbushja e kritereve, reformat e vendit kandidat dhe vendimet e institucioneve dhe shteteve anëtare të Bashkimit Evropian.

Analiza

Pretendimi se presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është “partner shumë i mirë”, se Kosova do të anëtarësohet në Evropë para Shqipërisë dhe se brenda shtatë vjetësh do të bëhet lidere në Ballkan, është i rremë.

Hibrid.info ka kërkuar për deklaratat e pretenduara në burime të besueshme, përfshirë faqen e BBC-së, e cila në publikim pretendohet si burimi i deklaratave. Kërkimet me emrat “Donald Trump”, “Albin Kurti” dhe “Kosovo”, si dhe me formulimet e pretenduara, nuk kanë rezultuar me ndonjë raportim të BBC-së apo burim tjetër kredibil që konfirmon se Trump ka bërë deklarata të tilla.

Po ashtu, pretendimi se Trump ka vendosur heqjen e vizave amerikane për Kosovën është i pasaktë. Përfshirja e një shteti në Programin e Heqjes së Vizave të SHBA-së (Visa Waiver Program) zhvillohet përmes një procesi institucional dhe vlerësimeve të kritereve të sigurisë, ndërsa një vendim i tillë nuk paraqitet si një vendim personal i presidentit amerikan në kuptimin e pretenduar në këtë publikim.

Ndërkaq, edhe pretendimi për anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian nuk mund të përcaktohet nga presidenti i SHBA-së. Komisioni Evropian vlerëson përparimin e vendeve kandidate dhe potenciale përmes raporteve të zgjerimit, ndërsa vendime të rëndësishme për avancimin në proces, si hapja e negociatave, kërkojnë pajtimin unanim të shteteve anëtare të BE-së në Këshillin e BE-së.

Andaj, bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Lajm i rremë”.

Arsyetimi

Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato përmbajtje informative që janë tërësish të sajuara apo të cilat në vete përmbajnë pretendime ose informacione faktikisht të gabuara. Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.

Raporto

Na ndihmoni të përmirësojmë duke na raportuar problemet ose sugjerimet tuaja

0 / minimum 10 karaktere