Të fundit | Deklarata e Kurtit nuk lidhet me protestat kundër projektit në Zvërnec, ajo… Të fundit | Rishikimi i javës: Dezinformata dhe teori konspirative nga zyrtarët dhe med… Të fundit | Narrativë e pabazë nga Gouillon “për vuajtje të serbëve të Kosovës për shka… Të fundit | Paralajmërimi i zvogëlimit të trupave të KFOR-it interpretohet pabazë si kë… Të fundit | Me fotografi nga trajtimi i ushtarëve të UÇK-së pretendohet rrejshëm për “s… Të fundit | Takimi Kurti-Barbano përdoret për të ngritur pretendime të pabazuara për ba… Të fundit | Ripublikohet pretendimi i pabazë për pasuri qindramilionëshe në Qipro të is… Të fundit | Lushtaku nuk ka dhënë dorëheqje nga PDK-ja, bëhet fjalë për paralajmërim në… Të fundit | Pretendim i pabazë se zyra e UÇPMB-së në Preshevë përdoret për “aktivitete… Të fundit | Televizioni slloven nuk raportoi se Martin Berishaj është shtetas i Serbisë
[ ARTIKULLI ]

Rishikimi i javës: Dezinformata dhe teori konspirative nga zyrtarët dhe mediat serbe për keqtrajtimin e të burgosurve serb, “shtëpinë e verdhë”, EULEX-in, reduktimin e trupave të KFOR-it

FESTIM RIZANAJ

Të dhënat e monitorimit për periudhën 15–20 qershor nxorën në pah mbizotërimin e teorive konspirative dhe përmbajtjeve keqinformuese, të shpërndara kryesisht në rrjetet sociale dhe në faqe interneti me kredibilitet të dyshimtë.

Gjatë periudhës së monitorimit, teoritë konspirative u publikuan kryesisht në media në gjuhën serbe, në deklarata të institucioneve të Serbisë, si dhe u shpërndanë përmes portaleve dhe rrjeteve sociale. Temat kryesore u fokusuan në paraqitjen e institucioneve të Kosovës si të angazhuara në një fushatë të motivuar politikisht kundër komunitetit serb, në pretendimet e pabazuara për riaktivizim të strukturave të armatosura shqiptare përmes një zyre të lidhur me UÇK-në në Preshevë, si dhe në narrativat se reduktimi i pjesshëm i pranisë së trupave të KFOR-it sinjalizon tërheqjen e NATO-s dhe rrezikimin e sigurisë së serbëve në Kosovë. Këto teori konspirative ndërtohen mbi interpretime spekulative dhe pretendime të pambështetura me fakte, duke synuar të nxisin pasiguri dhe të përforcojnë narrativat e kërcënimit ndaj komunitetit serb dhe zhvillimeve të sigurisë në Kosovë.

Përmbajtjet e klasifikuara si clickbait u publikuan kryesisht në faqe të Facebook-ut, duke përdorur tituj sensacionalë ose të nxjerrë jashtë kontekstit për të tërhequr vëmendjen e publikut. Temat kryesore u fokusuan te zhvillimet politike në Kosovë, veçanërisht te marrëdhëniet ndërmjet partive politike dhe mundësitë për koalicione paszgjedhore. Në një rast, u pretendua në mënyrë të pasaktë se PDK kishte ndryshuar qëndrim për një koalicion me LVV-në, ndërsa në një rast tjetër u paraqit si fakt i kryer dorëheqja e Sami Lushtakut nga PDK-ja, ndonëse bëhej fjalë vetëm për një deklaratë kushtëzuese. Këto raste tregojnë se titujt tërheqës dhe të ekzagjeruar përdoren për të rritur ndërveprimin e audiencës, duke krijuar shpesh perceptime të gabuara për zhvillimet politike.

Gjatë periudhës së monitorimit, përmbajtjet e paverifikuara, manipulimet me fakte dhe dezinformatat u shpërndanë kryesisht në rrjetet sociale, veçanërisht në TikTok dhe Facebook, si dhe përmes riqarkullimit të artikujve të vjetër apo interpretimit të pjesshëm të raportimeve mediale. Temat kryesore u fokusuan te pretendimet për korrupsion, pasuri të fshehura dhe lidhje politike të figurave publike në Kosovë. Një rast përfshinte manipulimin e një raportimi të një televizioni slloven për të pretenduar pa prova se Martin Berishaj është shtetas i Serbisë, ndërsa një rast tjetër kishte të bënte me rikthimin në TikTok të një artikulli të vjetër dhe të pabazuar mbi pasurinë e pretenduar të disa liderëve politikë të Kosovës. Këto përmbajtje shfrytëzojnë tema me interes të lartë publik dhe informacione të pakonfirmuara ose të nxjerra jashtë kontekstit për të krijuar perceptime të gabuara dhe për të ndikuar në opinionin publik.

Dezinformatat janë shpërndarë kryesisht përmes kanaleve në Telegram me orientim politik, ku përmbajtjet janë ndërtuar mbi ngjarje aktuale ose imazhe nga e kaluara të riinterpretuara në mënyrë të pasaktë. Temat kryesore kanë përfshirë narrativat mbi pretendime për keqtrajtimin e të burgosurve serbë në Kosovë, ku një postim i kanalit “Koridor” ka keqinterpretuar takimin mes përfaqësuesve të EULEX-it dhe institucioneve të Kosovës për të sugjeruar, pa asnjë provë, bashkëpunim në shkelje të të drejtave të njeriut, ndonëse mandati i EULEX-it është i fokusuar në monitorimin dhe mbrojtjen e këtyre të drejtave. Një tjetër rast lidhet me kanalin “Српска Спарта – Инфо”, i cili ka rikthyer pretendime të vjetra dhe të pabazuara për trafikim organesh gjatë luftës në Kosovë, duke përdorur fotografi të kontekstit tjetër për të mbështetur një narrativë të pavërtetuar. Këto përmbajtje karakterizohen nga mungesa e fakteve të verifikuara dhe përdorimi i materialeve të nxjerra jashtë kontekstit për të ndërtuar narrativa të dezinformimit.

Teori konspirative

Zyra për Kosovë në Qeverinë e Serbisë (ZKQS) ka pretenduar se institucionet e Kosovës kanë arrestuar serbë jo për shkak të dyshimeve për krime lufte, por si pjesë e një fushate të motivuar politikisht nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, për të ushtruar presion ndaj komunitetit serb pas zgjedhjeve. Kjo zyrë në asnjë rast nuk ofron fakte apo dëshmi që mbështesin pretendimin se arrestimi i këtyre personave ka të bëjë me presion ndaj komunitetit serb pas zgjedhjeve të 7 qershorit. (këtu)

Një artikull në gjuhën serbe pretendon se është hapur një zyrë e lidhur me UÇK-në në Preshevë dhe se ajo mund të shërbejë për aktivitete të ndryshme, përfshirë “mbledhjen e fondeve për armë” apo “rekrutimin e anëtarëve të rinj të UÇPMB-së”. Megjithatë, verifikimet nga Hibrid.info tregojnë se kjo zyrë ekziston së paku që nga viti 2019 dhe nuk është hapur së fundmi, siç lë të kuptohet titulli i këtij artikulli. (këtu)

Disa media serbe kanë raportuar se NATO po redukton praninë e saj ushtarake në Kosovë dhe se kjo mund të nënkuptojë “dorëzim të sigurisë Prishtinës”, duke rritur pasigurinë për komunitetin serb në vend. Raportimet nga mediat serbe që pretendojnë se reduktimi i trupave të KFOR-it në Kosovë nënkupton përgatitje për tërheqje të plotë apo “dorëzim të sigurisë” te Prishtina zyrtare dhe kërcënon sigurinë e komunitetit serb, nuk mbështeten me fakte zyrtare. NATO ka bërë të qartë se misioni i KFOR-it mbetet i pranishëm dhe çdo ndryshim bëhet gradualisht dhe në përputhje me vlerësimet e sigurisë në terren. (këtu)

Clickbait

Disa faqe në Facebook kanë publikuar një artikull me titull që sugjeron se PDK ka ndryshuar qëndrim për koalicion me LVV-në. Pas verifikimit të fakteve, u vërtetua se ky titull nuk përputhet me përmbajtjen. Në deklaratë, Besa Kabashi-Ramaj nuk flet për koalicion konkret me LVV-në, por vetëm për hapje të përgjithshme ndaj diskutimeve paszgjedhore, duke theksuar edhe dallimet me këtë subjekt politik. Gjithashtu, qëndrime të mëparshme të PDK-së tregojnë mungesë gatishmërie për koalicion me LVV-në, prandaj nuk ka ndonjë “qëndrim të ri”, siç sugjeron titulli. (këtu)

Pretendimi se Sami Lushtaku ka dhënë dorëheqje nga PDK-ja është paraqitur si çështje e kryer nga një faqe në Facebook. Në fakt, Lushtaku ka deklaruar se do të japë dorëheqje nga posti i kryetarit të degës së PDK-së në Skënderaj vetëm nëse partia arrin marrëveshje bashkëpunimi me LVV-në. Publikimi origjinal i RTV21 e paraqet këtë si paralajmërim dhe jo si dorëheqje të kryer. (këtu)

Përmbajtje e paverfikuar/Manipulim i fakteve

Është publikuar një video-material me mbishkrimin “Radio Televizioni i Sllovenisë: Njeriu i Kurtit mori 1.8 milion euro nga Serbia. Martin Berishaj është shtetas i Serbisë.” Radio televizioni slloven kishte raportuar mbi hetimin për transferta nga Gen-I Beograd te kompanitë e Martin Berishajt, për të cilin nuk ka vendim gjyqësor që e konfirmon si përfitim të paligjshëm. Gjithashtu, raportimi i këtij televizioni përmend se Berishaj ka lidhje politike dhe afërsi me rrethin e kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit. Por, në këtë raportim nuk konfirmohet se Berishaj është shtetas serb. (këtu)

Përmbajtje e paverifikuar/Dezinformatë

Nëpërmjet një publikimi, në TikTok është rikthyer një artikull i vjetër me titull “Pasuria e fshehur e katër liderëve: Kadri Veseli 100 milionë, Thaçi 80, Limaj 82, dhe Ramushi 68 milionë dollarë!”. Publikimi në TikTok u bë nga llogaria me emrin “shqipe._shqipe._23” dje (25 shtator) dhe deri tash ka marrë mbi 60 mijë shikime e mbi 1400 pëlqime. Pas verifikimit të fakteve nga hibrid.info, rezulton se përmbajtja e artikullit të “botasot.info”, e rikthyer në TikTok nga llogaria “shqipe._shqipe._23” është e pabazuar në fakte. (këtu)

Dezinformatë

Në një postim të publikuar në kanalin serb në Telegram “Koridor” ka shpërndarë lajmin për takimin lamtumirës të kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, me shefin e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Giovanni Pietro Barbano. Mbi këtë takim, kanali ka ndërtuar një narrativë të pabazuar, duke pretenduar se EULEX bashkëpunon me institucionet e Kosovës në “torturimin” dhe “keqtrajtimin” e të burgosurve serbë. Megjithatë, nuk ekziston asnjë fakt i verifikuar që mbështet një pretendim të tillë. Përkundrazi, mandati i EULEX-it përfshin monitorimin e sistemit korrektues dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, përfshirë edhe të drejtat e personave të privuar nga liria. (këtu)

Kanali në Telegram “Српска Спарта – Инфо” ka pretenduar rrejshëm se dy fotografi paraqesin një klinikë të improvizuar në Burrel ku në vitin 1999 janë kryer nxjerrje dhe trafikim organesh nga persona të lidhur me Hashim Thaçin, me përfshirje të politikanëve evropianë dhe shitje të organeve në tregje ndërkombëtare. Pas verifikimit të fakteve u vërtetua se këto pretendime nuk qëndrojnë, pasi “shtëpia e verdhë” nuk është vërtetuar asnjëherë si vend i trafikimit të organeve, ndërsa fotografitë janë realizuar në Kosovë gjatë luftës dhe paraqesin personel mjekësor të UÇK-së në mjekimin e të plagosurve. (këtu)

Raporto

Na ndihmoni të përmirësojmë duke na raportuar problemet ose sugjerimet tuaja

0 / minimum 10 karaktere