Shkroi: Etrit Rexhepi
Janë publikuar tituj artikujsh ku paralajmërohen borë e acar për fundvit dhe temperatura deri në -20 gradë.
Këto përmbajtje janë publikuar të martën (16 dhjetor) nga disa media si: “gazetaexpress.com”, “demokracia.com”, “atvlive.tv”, “botasot.info”, “zeri.info”, “gazetablic.com”, “insajderi.org” “radiostargjilam.com” dhe “podujevasot.info”.
Çka nuk shkon me këto përmbajtje?
Në tituj nuk sqarohet se nga kush janë bërë paralajmërimet për këtë mot.

Nga përmbajtja e artikujve hibrid.info gjeti se për këtë pretendim mediat publikuese, janë bazuar në një postim të publikuar në Facebook, pjesë e Agjencisë së Shërbimeve të Navigacionit Ajror (AShNA), Sherif Gosalci (shih këtu).
Postimi i Sherif Gosalcit në Facebook:
“MJEGULL EDHE DITËT NË VIJIM, PRITET FUNDVIT I BARDHË DHE ME ACAR!
Nën ndikimimin e presionit të lartë atmosferik, mjegulla do të vazhdojë edhe ditëve në vijim të jetë persistente në vendin tonë dhe më gjerë.
Mot i ndryshueshëm dhe me reshje bore pritet në pjesën e dytë të javës që vjen.
Zhvillimet aktuale preliminare, na paralajmërojnë për një ndërrim të motmoteve me reshje bore dhe acar që mund të përshkohet me temperatura polare edhe deri – 20°C!”
Megjithatë, hibrid.info gjeti një postim të Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës (IHMK) të mërkurën (17 dhjeotr) ku u reagua ndaj lajmeve që flasin për temperatura deri në –20°C dhe borë në fundvit, duke sqaruar se vetëm IHMK ka kompetencë ligjore dhe shkencore për parashikime dhe paralajmërime zyrtare të motit. Çdo njoftim tjetër konsiderohet i jashtëligjshëm dhe jo profesional. IHMK thekson se parashikimet janë më të sakta vetëm për 1–3 ditë, ndërsa besueshmëria bie ndjeshëm për periudha më të gjata, ndaj pretendimet afatgjata për temperatura ekstreme nuk janë shkencërisht të qëndrueshme (shih këtu).

Ky institucion u referohet edhe ligjit, duke specifikuar se “Parashikimi zyrtar i motit dhe paralajmërimi i hershëm i fatkeqësive të mundshme natyrore me origjinë hidrometeorologjike për Republikën e Kosovës jepet nga IHMK dhe janë ekskluzivitet i IHMK-së” (shih këtu).
Sipas Ligjit për veprimtaritë hidrometeorologjike këto fatkeqësitë e tilla janë fatkeqësitë natyrore meteorologjike dhe hidrologjike apo ngjarje të lidhura me to, ku madhësia dhe intensiteti në një shkallë të madhe kërcënon shëndetin dhe jetën e njerëzve, të mirat materiale dhe mjedisin.
Kjo do të thotë se përveç që nuk është sqaruar në tituj se nga kush ka ardhur paralajmërimi për temperatura deri në –20°C dhe borë në fundvit, ato nuk janë as zyrtare, pasi nuk kanë ardhur nga institucioni kompetent (IHMK).
Duke qenë se vetëm IHMK është institucion kompetent për parashikim moti dhe paralajmërimin e situatave të tilla në vendin tonë, mossqarimi në titull se kush e ka bërë këtë paralajmërim, mund të jetë çorientues për lexuesit.
Analiza:
Pretendimi në titujt e disa mediave ku paralajmërohet për borë e acar për fundvit dhe temperatura deri në -20 gradë në Kosovë është çorientues.
Aty mungon sqarimi se ky paralajmërim ka ardhur nga Sherif Gosalci pjesë e AshNA.
Gjithashtu, parashikimi zyrtar i motit dhe paralajmërimi i hershëm i fatkeqësive të mundshme natyrore me origjinë hidrometeorologjike në Kosovë, është ekskluzivitet i IHMK.
Andaj, bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Clickbait” dhe “Përmbajtje e paverifikuar”.
Arsyetimi:
“Clickbait” vlerësohen ato përmbajtje informative titulli i të cilave është përgjithësues dhe nuk bënë të ditur vendndodhjen e ngjarjes, kontekstin dhe relevancën. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e audiencës me tituj sensacionalë me pasojë çorientuese, që nuk e qartësojnë saktësisht përmbajtjen e artikullit. Titujt “clickbait” bëhen kryesisht për të tërhequr lexueshmëri në rastin e publikimeve mediatike dhe/ose për të fituar nga klikimet në rastet e publikimeve komerciale.
Vlerësimi “I pa verifikuar” u bëhet atyre përmbajtjeve informative që nuk ofrojnë informata të mjaftueshme për të konfirmuar pretendimet e bëra në raport, dhe të cilat nuk kanë mundur të verifikohen për shkak të rrethanave të caktuara (shpejtësisë, mungesës së burimeve) gjatë publikimit të përmbajtjes.