Publikohet një imazh me mbishkrimin “LVV tregon kush janë kandidatët për President”.
Kjo përmbajtje është publikuar të martën (21 korrik) në Facebook, nga faqja me emrin “Gazeta Minuti”.
Mbishkrimi i tillë krijon përshtypjen se Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka bërë të ditur emrat e kandidatëve për postin e presidentit.

Këtij postimi i është bashkangjitur vegëza e një artikulli që ka si titull të njëjtin mbishkrim (shih këtu). Megjithatë në këtë tekst, të publikuar në domenin “blog.foodsfact.org”, nuk tregohet asnjë emër kandidati për president.
Përmbajtja ka raportuar deklaratat e deputetes së zgjedhur të LVV-së, Arbërie Nagavci, lidhur me procesin e zgjedhjes së presidentit të Kosovës. Aty, Nagavci shprehet se Vjosa Osmani nuk është një kandidate konsensuale për LVV-në, si dhe thekson se për këtë pozitë duhet të ketë diskutime dhe marrëveshje mes subjekteve politike. Ajo deklaron se LVV ka emra që, sipas saj, do të ishin të denjë për postin e presidentit, por nuk i bën publikë dhe nuk prezanton kandidatë konkretë.
Deklaratat e cituara të Nagavcit nga teksti
“Është e qartë se çka nënkupton për një kandidat, kandidate konsensuale. Pra është diçka që duhet të jetë një person që nuk vjen nga skena aktuale politike. Ndërkohë, ne kemi rezultatin e zgjedhjeve të qershorit qytetarët e thanë fjalën e tyre për të gjithë kandidatët që morën pjesë në zgjedhje. Dhe unë mendoj se është mirë që të respektohet edhe vullneti i qytetarëve krahas përgjegjësive që neve na kanë besuar në zgjedhjet e fundit. Por, njëkohësisht konsideroj që zhvillimet e fundit që kanë ndodhur janë tregues që nuk ka një unitet në raport me kandidatin apo kandidaten konsensuale, në këtë rast me zonjën Osmani. Kështu që konsideroj se ka akoma kohë edhe vend për diskutime në mënyrë që vendi t’i ofrohet një president, presidente konsensuale e krahas kohës edhe mundësisë unë jam e bindur se Kosova ka kandidatë të cilët do të ishin të denjë për këtë pozitë të rëndësishme institucionale”
“Gjithsesi se ka emra, por në këtë fazë në të cilën jemi kjo do të duhej të ishte një proces i një diskutimi neogcimi dhe një pajtueshmëri të plotë të deputetëve, partive gjegjësisht deputetëve të cilëve do të jenë pjesë e procesit të votimit”
Në përmbajtje pretendohet se Nagavci këto deklarata i ka dhënë për Radiotelevizionin Dukagjini. Hibrid.info ka hulumtuar përmes makinës së kërkimit “Google” dhe ka gjetur një video-material të intervistës së Nagavcit në emisionin “Debat Plus”, i cili transmetohet në këtë televizion. Megjithatë, deklarata e pretenduar nuk është gjetur në emisionin e publikuar më 16 korrik (shih këtu).
Më pas, hulumtimi në këtë motor kërkimi u fokusua në verifikimin e deklaratës së pretenduar. Rezultatet e kërkimit shfaqën disa publikime që e konfirmonin deklaratën e Nagavcit, duke sqaruar se ajo ishte dhënë për “Radio Dukagjini” (shih këtu, këtu dhe këtu).
Hibrid.info po ashtu ka kontrolluar në faqen në Facebook, të LVV, aty ku zakonisht publikohen njoftimet për opinionin publik nga ky subjekt politik. Në njoftimet e publikuara nuk u has asnjë i tillë që do të konfirmonte se partia më e madhe në vend ka bërë publik emrat e kandidatëve për president (shih këtu).
Pra, titulli në fjalë përveç që është në mospërputhje me përmbajtjen, gjithashtu paraqet një informacion të pasaktë si fakt të kryer.
Kosova vazhdon të përballet me pasiguri institucionale për shkak të mungesës së një marrëveshjeje politike për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit. Pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të qershorit, partitë politike kanë nisur diskutimet për formimin e institucioneve të reja, ndërsa çështja e presidentit mbetet një nga pikat kryesore që kërkon pajtim mes subjekteve politike. Për zgjedhjen e presidentit nevojitet një mbështetje më e gjerë në Kuvend, çka e bën të domosdoshëm arritjen e një konsensusi mes partive (shih këtu).
Analiza:
Pretendimi i paraqitur në titull se “LVV tregon kush janë kandidatët për President” është i pambështetur.
Përmbajtja e artikullit nuk sjell emra konkretë të kandidatëve për këtë pozitë, por vetëm raporton deklaratat e Arbërie Nagavcit se LVV ka persona që do të mund të ishin të denjë për postin e presidentit.
Po ashtu, nga verifikimi në kanalet zyrtare të LVV-së, nuk është gjetur ndonjë njoftim për publikimin e kandidatëve për president.
Paraqitja e një informacioni të tillë si të konfirmuar vjen në një kohë kur zgjedhja e presidentit mbetet pjesë e një procesi të ndjeshëm politik dhe kërkon mbështetje më të gjerë parlamentare.
Andaj, bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Clickbait” dhe “Manipulim i fakteve”.
Arsyetimi:
“Clickbait” vlerësohen ato përmbajtje informative titulli i të cilave është përgjithësues dhe nuk bënë të ditur vendndodhjen e ngjarjes, kontekstin dhe relevancën. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e audiencës me tituj sensacionalë me pasojë çorientuese, që nuk e qartësojnë saktësisht përmbajtjen e artikullit. Titujt “clickbait” bëhen kryesisht për të tërhequr lexueshmëri në rastin e publikimeve mediatike dhe/ose për të fituar nga klikimet në rastet e publikimeve komerciale.
Vlerësimin si “Manipulim i fakteve” marrin ato përmbajtje informative që përdorin fakte të njohura si të sakta, por i interpretojnë ato në mënyrë të shtrembëruara. Këto raporte zakonisht përdorin informacion të saktë për të nxjerrë përfundime ose pretendime të pasakta, duke drejtuar kështu përfundimet e konsumatorëve të përmbajtjes së mediave në drejtim të gabuar në lidhje me kuptimin aktual të fakteve të paraqitura.