[email protected]
Deklarata e Komshiqit i atribuohet Kurtit
shape
shape
shape

Shkroi: Etrit Rexhepi

Nëpërmjet një titulli është pretenduar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë vizitës zyrtare në Sarajevë, ka thënë se nuk e pyet kreun e entitetit të Republikës Serbe në Bosnje-Hercegovinë, Millorad Dodik, se me kë mund të takohet.

Kurti në Sarajevë: Nuk e pyesim Dodikun me kë të takohemi” mban titullin artikulli i publikuar nga portali në gjuhën shqipe “lajmpress.org” të premten (6 dhjetor).

Çka nuk shkon me këtë titull?

Pas verifikimit të fakteve, del se një deklaratë e tillë nuk është thënë nga Kurti, por nga Zhelko Komshiq, anëtari kroat i Presidencës në Bosnjë-Hercegovinë. Kjo kuptohet edhe nga brendësia e artikulli që po trajtohet.

Kritikat e supozuara për vizitën e Kurtit dhe takimet që ai i ka në Bosnjë-Hercegovinë, që vijnë nga Republika Serbe dhe rajoni, dua t’ju kujtoj se Republika Sërpska nuk është subjekt i të drejtës ndërkombëtare dhe nuk është përgjegjëse për lëshimin e vizave për të hyrë në Bosnjë-Hercegovinë, si dhe se anëtarët e Presidencës së Bosnëjë-Hercegovinës sigurisht që nuk do ta pyesin Dodikun e askënd tjetër, se me kë do të takohemi e cfarë do të diskutojmë“, ka shkruar Komshiq në Facebook pas takimit me Kurtin të premten.


Pse është dhënë kjo deklaratë për Dodikun?

Bosnje e Hercegovina dhe Kosova nuk e kanë njohur njëra-tjetrën për shkak të kundërshtimit të Republikës Sërpska, në krye të së cilës është Millorad Dodik, i cili ka orientim prorus dhe është i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara për minimin e Marrëveshjes së Dejtonit. Vizita e Kurtit në Sarajevë është kundërshtuar nga Dodik, i cili ka thënë se qëndrimi i kryeministrit kosovar në Bosnje, do ta ndërlikojë situatën në këtë shtet.“Bosnje e Hercegovina nuk e ka njohur Kosovën. Ne nuk do të lejojmë që shqiptarët nga ai rajon të hyjnë me letërnjoftim”, tha Dodik , sipas raportimit të Srnas. Kryeministri kosovar nuk zhvilloi takim me anëtaren serbe të Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, kryesuesen Zhelka Cvijanoviq (Artikulli me detaje: “evropaelire.org“.

Çka nënkuptojnë dy pikat në titull?

Dy pikët (“:”) në këtë titull kanë rol ndarës dhe përdoren për të ndarë deklaratën. Dy pikat sinjalizojnë se po citohet një mendim i dikujt. Në rastin në fjalë lihet të kuptohet se kjo deklaratë është thënë nga Kurti.


Analiza:

“Kurti në Sarajevë: Nuk e pyesim Dodikun me kë të takohemi” është titulli i publikuar nga mediumi në gjuhën shqipe “lajmpress.org”, të premten pas takimit që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti zhvilloi me Zhelko Komshiq, anëtarin kroat të Presidencës në Bosnjë-Hercegovinë

Hibrid.info ka gjetur se ndryshe nga përmbajtja, titulli i këtij artikulli është paraqitur në formën e një deklarate të ardhur nga Kurti, ndonëse ky deklarim është bërë nga Komshiq.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Clickbait”.

Arsyetimi:

“Clickbait” vlerësohen ato përmbajtje informative titulli i të cilave është përgjithësues dhe nuk bënë të ditur vendndodhjen e ngjarjes, kontekstin dhe relevancën. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e audiencës me tituj sensacionalë me pasojë çorientuese, që nuk e qartësojnë saktësisht përmbajtjen e artikullit. Titujt “clickbait” bëhen kryesisht për të tërhequr lexueshmëri në rastin e publikimeve mediatike dhe/ose për të fituar nga klikimet në rastet e publikimeve komerciale.

Share With Others

Translate »