[email protected]
Përgënjeshtrohet pretendimi i mediumit serb për ekzistimin e një liste prej 230 serbëve që pritet të arrestohen
shape
shape
shape

Mediumi në gjuhën serbe “Novosti” ka publikuar dje dhe sot (16-17 dhjetor) një artikull me pretendimin se Kurti ka përgatitur një listë me emrat e 230 serbëve që akuzohen për krime lufte, e që pritet të arrestohen.

Artikulli bazohet në informacione jozyrtare me pretendimin se Kurti po përgatitet të arrestojë së paku 230 persona nën akuzat për krime lufte.

“Listat me emra dhe mbiemra konkretë të personave të kombësisë serbe që do të jenë në shënjestër të organeve të prokurorisë së Prishtinës janë publikuar dje nga mediat në gjuhën shqipe në Kosovë”, shkruan Novosti.

Pas kontrollit të fakteve nga hibrid.info nuk është gjetur ndonjë artikull në mediat online në gjuhën shqipe që pretendojnë për një listë të tillë, si dhe një gjë e tillë është demantuar nga ministri i brendshëm i Republikës së Kosovës, Xhelal Sveçla.

Vegëza e artikullit të publikuar në “Novosti”:

https://www.novosti.rs/vesti/politika/1183334/aljbin-kurti-srbi-kim-upad-sever-rosu-kosovo-metohija

https://www.novosti.rs/vesti/politika/1183115/novosti-saznaju-kurti-spremio-listu-imenima-230-srba-koje-hapsiti

Pjesë të artikullit të publikuar në “Novosti”:

Gjegjësisht, sipas informacioneve jozyrtare, autoritetet e Kurtit po përgatiten të arrestojnë së paku 230 p7ersona nën akuzat për krime lufte. Listat me emra dhe mbiemra konkretë të personave të kombësisë serbe që do të jenë në shënjestër të organeve të prokurorisë së Prishtinës janë publikuar dje nga mediat në Kosovë e Metohi në gjuhën shqipe. Lista përfshin emrat e njerëzve nga zona të ndryshme: nga Fushë Kosova, Klina, Istogu, Kishnica afër Graçanicës dhe Raçka.

Për një kohë të gjatë në Kosovë dhe Metohi ka spekulime për ekzistimin e listave sekrete për arrestimin e serbëve që dyshohet se kanë kryer krime lufte kundër shqiptarëve. Prishtina edhe më parë ka përdorur taktikën e aktakuzave sekrete për të ngritur tensione dhe për të frikësuar popullin tonë. Shpesh ndodhte që dikush të ndalohej vetëm kur tentonte të kalonte pikëkalimin administrativ ndërmjet Serbisë qendrore dhe Kosovës dhe të zbulohej se ai dyshohej për krime të supozuara.


Pretendimi në fjalë ka zënë vend në ballinën e gazetës serbe “Informer” të datës 17 dhjetor, e shtunë. (këtu)


Ky pretendim ka zënë vend edhe në mediat tjera në gjuhën serbe si, “Informer”, “B92”, “Republika.rs“.


Për një listë të serbëve për arrestimin të përgatitur nga Kurti ka folur edhe shefi i Zyrës për Kosovën, Petar Petkoviq, i cili theksoi se publikimi i një liste prej 230 serbësh të akuzuar për krime lufte, nënkupton një presion dhe shtypje në çdo mënyrë ndaj serbëve. (këtu)


Ekzistimin e një liste të tillë e ka demantuar edhe Ministri i Brendshëm i Republikës së Kosovës, Xhelal Sveçla, duke shtuar se e gjithë kjo është një fushatë dezinformuese e Beogradit, për të arsyetuar veprimet kriminale që nuk ka të ndalur.

“Lajmet” e porositura se kinse Policia e Kosovës ka lista mbi të cilat po arreston ish-policët, si pjesë e orkestruar e fushatës dezinformuese, po përdoren si mjete për të arsyetuar pretendimet e hapura territoriale të Serbisë, barrikadat dhe për të frikësuar qytetarët tanë serb. Nuk ka lista të tilla. Ne nuk përpilojmë aso listash. Në Republikën tonë demokratike, prokuroria që ndjek krimin është degë tjetër e pushtetit prej policisë që zbaton ligjin e urdhrat dhe prej Ministrisë së Punëve të Brendshme që është degë e ekzekutivit.” (këtu)


Analiza:

Mediumi në gjuhën serbe “Novosti” ka publikuar një artikull me pretendimin se Kurti ka përgatitur një listë me emrat e 230 serbëve që akuzohen për krime luftë, e që pritet të arrestohen.

E përditshmja “Novosti” ka publikuar këtë pretendim duke u bazuar në burime jozyrtare, siç i quan. Njëkohësisht pretendohet se një listë e tillë është publikuar nga media në gjuhën shqipe në Kosovë.

Pas kontrollit të fakteve nga hibrid.info nuk është gjetur ndonjë artikull në mediat shqipe që pretendon për një listë të tillë, si dhe një gjë e tillë është demantuar nga ministri i brendshëm i Republikës së Kosovës, Xhelal Sveçla.

Pas verifikimit të fakteve, hibrid.info pretendimet e mediumit serb i vlerëson si “dezinformatë”.


Vlerësimi:

Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ai raportim mediatik i cili në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe përmbajtje gjysmë të vërtetë. Gjithashtu, ky vlerësim do të trajtojë raporte që kanë atribute të gabuara ose tituj që nuk pasqyrojnë tekstin për sa i përket saktësisë së informacionit.

Share With Others

Translate »