[email protected]
Pretendimi i “Alo.rs” për një koordinim ndërmjet Kurtit dhe Izetbegoviqit për luftimin e Serbisë, i pabazë
shape
shape
shape

Sot (12 gusht) mediumi në gjuhën serbe “Alo.rs” ka publikuar një artikull në përmbajtjen e së cilit pretendohet se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe lideri i Boshnjakëve të Bosnje e Hercegovinës (BeH), Bekir Izetbegoviq “duan luftë kundër Serbisë”.

Ky pretendim i këtij mediumi serb është ndërtuar nga keqinterpretimi i deklaratave të kryeministrit Kurti dhe lideri boshnjakëve në BeH, Izetbegoviq.

Në fakt, deklaratat e këtyre dy liderëve rajonalë, përmbajnë shqetësimin për nxitje të një konflikti nga ana e Serbisë, dhe jo koordinim për luftë, siç pretendohet në artikull.

Hibrid.info në bazë të verifikimit të fakteve vlerëson së ndërlidhja e bërë nga mediumi në gjuhën serbë është tendencioz i bërë përmes shtrembërimit të deklaratave dhe vlerësohet si teori konspirative.


Vegëza e artikullit të publikuar në agjencinë e lajmeve “Alo.rs”:

https://www.alo.rs/vesti/politika/660387/planirane-likvidacije-srba-na-severu-kim/vest?fbclid=IwAR2_cxIzQx7-adsSp_NkXCuxTc9wgy3HTvGCg_-TdUim-TIE5slmyVoPkD0


Pjesë nga artikulli i publikuar në “Alo.rs” i përkthyer në shqip:

Kryeministri i shtetit të rremë të Kosovës, Albin Kurti dhe lideri i boshnjakëve në BeH, Bakir Izetbegoviq, janë të bashkuar në dëshirën e tyre për të hyrë në luftë me Serbinë! Përderisa Izetbegoviqi me deklarata luftarake akuzon vendin tonë se po shkakton trazira në Ballkan, për të cilat, sipas tij, duhet të vuajmë, Kurti po përgatit likuidimin e serbëve në veri të Kosovës dhe Metohisë!

Serbia është armatosur, promovon “botën serbe”, bën strategji që vlejnë edhe për territoret tona, nuk do të zgjidhin çështje të hapura, nuk paguajnë për burimin ujor të lumit Drina dhe inatosen kur themi të vërtetën se të gjitha luftërat dhe tensionet në Ballkan janë shkaktuar nga një vend – tha Izetbegoviq.

Në anën tjetër, shërbimet serbe të sigurisë kanë marrë informacione se Aljbin Kurti po planifikonte likuidimin e serbëve nga veriu i Kosovës. Krerët e Listës Serbe janë në rrezik nga Kurti, por edhe qytetarët që ngritën barrikada në shenjë proteste ndaj lëvizjeve të njëanshme të Prishtinës. Për likuidimet e serbëve në KIM ka folur dje presidenti serb Aleksandar Vuçiq, i cili edhe një herë bëri thirrje për paqe.


I gjithë pretendimi i mediumit serb niset nga deklaratat e Vuçiqit, duke u thirrur në gjoja të dhëna të shërbimit sekret. Tutje, bazuar në këtë, autori  synon të bëjë një ndërlidhje ndërmjet deklaratave të Kurtit dhe Izetbegoviqit. Mediumi në fjalë, i keqinterpreton deklaratat e këtyre dy liderëve, duke i përfolur dhe duke i dhënë një kahje tjetër si kërcënim për luftë.

Izetbegoviq në një deklaratë të dhënë me rastin e 32 vjetorit të themelimit të Komitetit Komunal të Partisë së Veprimit Demokratik (SDA), thotë se Serbia po armatoset dhe se po e promovon “botën serbe” (srpski svet), dhe thekson se Serbia është shkaktar i tensioneve duke mos lënë hapësirë për zgjidhjen e çështjeve të hapura në Ballkan. (shih këtu)


Nga ana tjetër Albin Kurti në intervistat e dhëna për “La Republicca”, “Radio Evropa e Lirë” dhe “Reuters” e potencon faktin se ekziston mundësia e ngritjes së tensioneve dhe konflikteve të reja.


Analiza:

Artikulli i publikuar në mediumin serb “Alo.rs”, bënë interpretim tendencioz të deklaratave të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe liderit të boshnjakëve të BeH, Bekir Izetbegoviq, duke synuar t’i paraqes ato si pjesë e një koordinimi të këtyre dy liderëve për një luftë të përbashkët ndaj Serbisë. Ky pretendim për një koordinim ndërmjet Kurtit dhe Izetbegoviqit për t’i luftuar serbët që bëhet nga autori i artikullit i publikuar në mediumin përkatës, është i pabazuar në të dhëna argumentuese.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson se pretendimi i mediumit serb për një koordinim ndërmjet Kurtit dhe Izetbegoviqit për t’i luftuar serbëve si “teori konspirative”.


Arsyetimi:

Vlerësim si “Teori konspirative” marrin ato raportime mediatike të cilat shpërndajnë një përshkrim të rremë ose të paverifikueshëm të një dukurie, ngjarje ose një personi, duke e paraqitur atë si pjesë ose rezultat të një plani të fshehtë (“komplot”). Karakteristikë e këtyre raportimeve është se ato paraqesin një seri pretendimesh, të paraqitura si fakte, midis të cilave vendosen marrëdhënie shkak-pasojë, pa ofruar ndonjë provë të besueshme.

Share With Others