[email protected]
Petkoviq nuk e argumenton pretendimin se Kurti po synon dëbimin e serbëve nga Kosova
shape
shape
shape

Artikulli me përmbajtje keqinformuese nga mediumi Kurir.rs u korrigjua pas trajtimit nga hibrid.info (shih artikullin e korrigjuar këtu)


Mediumet në gjuhën serbe, “Kurir” dhe “N1”, kanë publikuar sot (31 tetor) reagimin e Petar Petkoviqit në lidhje me regjistrimin e veturave me targa RKS të cilin e kanë titulluar, “PETKOVIQ: Me vendimin për regjistrim, Kurti kërkon të dëbojë serbët nga Kosova”.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, gjatë një interviste për Radiotelevizionin e Serbisë (RTS), vendimin për regjistrimin për targa e interpreton si kërkesë për dëbimin e serbëve pa ofruar ndonjë fakt konkret për këtë. (këtu)

Vegëzat e artikullit të publikuar në “Kurir” dhe “N1”:

https://www.kurir.rs/vesti/politika/4041292/petkovic-kurti-odlukom-o-preregistraciji-hoce-da-istera-srbe-sa-kosova

https://rs.n1info.com/vesti/petkovic-kurti-odlukom-o-preregistraciji-hoce-da-istera-srbe-sa-kosova/

Pjesë të artikullit të publikuar në “Kurir” dhe “N1”:

Drejtori i Zyrës për Kosovë dhe Metohi, Petar Petkoviq, tha se vendimi i kryeministrit të Kosovës Albin Kurti për të riregjistruar targat është i paligjshëm dhe i dhunshëm dhe se qëllimi i tij kryesor është të “shtypë” ekzistencën e serbëve në Kosovë.

“Kurti ka marrë një vendim të kundërligjshëm që serbët, të cilët kanë targa KM, të riregjistrohen me targa RKS, që është në kundërshtim me të gjitha marrëveshjet që kemi pasur deri më tani”, tha Petkoviq për RTS.

Ai ka përsëritur se Kurti dëshiron t’i frikësojë serbët atje, por se Serbia nuk do të lejojë asnjë persekutim.


Edhe pse i referohet një plani të pretenduar të kryeministrit Albin Kurti, Petkoviq nuk e argumenton atë me ndonjë fakt, që do të mund të ishte ndonjë dokument apo dëshmi e llojit tjetër.

Ndryshe nga ky pretendim i këtij zyrtari të lartë politik në Serbi, Kurti ka deklaruar të kundërtën. Në deklaratën e dhënë të premten, në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, Kurti paraqiti planin për zbatimin e vendimit për targa, duke mos përdorur ndonjë narrativ kërcënues për popullatën serbe në Kosovë.

“Këto nuk janë masa kundër serbëve përkundrazi këto janë masa për serbët. Masa të cilat atyre ju ofrojnë lehtësime financiare dhe jemi të interesuar që të gjithë të jemi të barabartë. Nuk mund të jemi të barabartë në Republikë nëse dikush ka targa RKS e dikush dëshiron që t’i mirëmbajë ato KM. Pra, nuk është as hakmarrje, as urrejtje, as inat, është zbatimi i ligjit është rendi, janë vendimet qeveritare të cilët nuk i diskriminojnë njerëzit në bazë të përkatësisë etnike.” (këtu)


Në vendimin numër 05 të ndërmarrë gjatë kësaj mbledhje, për çështjen e ndërrimi të targave, nuk përmendet në asnjë moment ndonjë veprim, që do të mund të nxiste dëbim të serbëve. Sipas këtij vendimi, masat e parapara me këtë vendim, janë të njëjta me ato që zbatohen në pjesët tjera të territorit të Kosovës. (shih vendimin nr. 05 të mbledhjes së fundit të Qeverisë së Kosovës)


Analiza:

Deklaratat e drejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, për zbatimin e vendimit për targa të cilin e quan plan për dëbimin e serbëve ka zënë vend në disa media në gjuhën serbe.

Petkoviq pretendon pa fakte se Kurti, nëpërmjet këtij vendimi, po synon shtypjen dhe dëbimin e serbëve të Kosovës, edhe pse Kurti në deklaratat lidhur me vendimin nuk ka theksuar ndonjë tendencë për atë që po pretendon Petkoviq. Hibrid.info, në bazë të metodologjisë së punës vlerëson se ky pretendim është i paqëndrueshëm dhe vlerësohet si “dezinformatë”.


Arsyetimi:

Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ai raportim mediatik i cili në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe përmbajtje gjysmë të vërtetë. Gjithashtu, ky vlerësim do të trajtojë raporte që kanë atribute të gabuara ose tituj që nuk pasqyrojnë tekstin për sa i përket saktësisë së informacionit.

Share With Others