Të fundit | Nuk ka dëshmi se Engel ka deklaruar se lirimi i Thaçit do të ndikonte në sk… Të fundit | Pretendim i rremë se Hillary Clinton ka bërë një deklaratë për qeverisjen e… Të fundit | Raporti monitorues i keqinformimit për muajin korrik 2026 Të fundit | Format e manipulimit të imazheve për qëllime keqinformimi Të fundit | Hamza nuk refuzoi krijimin e institucioneve dhe nuk kërkoi zgjedhje të reja Të fundit | Videoja e vitit 2021 me aeroplanë luftarakë serbë mbi Jarinjë ripublikohet… Të fundit | Pretendime pa fakte se familja Berisha e dogji shtëpinë në Zveçan për t’i a… Të fundit | Hibrid.info në Bordin e IFCN, një hap i ri në përfaqësimin ndërkombëtar Të fundit | Nuk ka dyshime të reja për një varrezë masive pranë kishës ortodokse në hap… Të fundit | Imazhi që paraqet Kurtin pranë Millosheviqit është i montuar
[ ARTIKULLI ]

Format e manipulimit të imazheve për qëllime keqinformimi

FESTIM RIZANAJ

Imazhet kanë ndikim të madh në mënyrën se si publiku e percepton realitetin, pasi shpesh konsiderohen dëshmi të drejtpërdrejta të ngjarjeve. Megjithatë, zhvillimi i teknologjive digjitale dhe përhapja e mjeteve të inteligjencës artificiale (IA) kanë krijuar mundësi të reja për manipulimin e përmbajtjeve vizuale. Përmes këtyre teknikave, fotografitë mund të krijohen, të ndryshohen ose të vendosen në kontekste të rreme, me qëllim që të ndikohet në opinionin publik.

Monitorimi i Hibrid.info tregon se manipulimi i imazheve përdoret gjerësisht për të ndërtuar narrativa politike, etnike, sociale dhe propagandistike, veçanërisht gjatë periudhave të ndjeshme, si periudhat zgjedhore, debatet politike dhe zhvillimet që lidhen me sigurinë.

Imazhet e gjeneruara me inteligjencës artificiale (IA)

Gjenerimi i imazheve përmes inteligjencës artificiale përbën një nga format më të avancuara të manipulimit vizual. Përmes mjeteve të IA-së mund të krijohen fotografi fotorealiste të personave, dokumenteve ose ngjarjeve që nuk kanë ekzistuar kurrë. Këto përmbajtje mund të përmbajnë elemente që tregojnë origjinën e tyre artificiale, si deformime të gishtërinjve, tekste të pakuptimta në dokumente ose në sfond, si dhe detaje joreale në flamuj, uniforma apo pajisje teknike.

Hibrid.info ka identifikuar raste të shumta në të cilat imazhet e gjeneruara me IA janë përdorur për të krijuar narrativa të rreme politike dhe sociale.

Një kategori e tillë përfshin paraqitjen e takimeve politike që nuk kanë ndodhur. Në këto raste janë shpërndarë imazhe të krijuara me IA, të paraqitura si fotografi autentike të takimeve ndërmjet figurave politike. Në këtë grup përfshihet fotografia e pretenduar e Glauk Konjufcës me Enver Hoxhajn në një kafene, si dhe imazhet që e paraqisnin në mënyrë të rreme Albin Kurtin në takime me politikanë serbë, përfshirë Vojsllav Koshtunicën, Aleksandar Vuçiqin, Vojsllav Sheshelin dhe Milan Radojçiqin. Po ashtu, është identifikuar edhe një imazh i rremë që pretendonte se paraqiste një takim mes Kurtit dhe Slavko Simiqit.

Një tjetër përdorim i IA-së lidhet me krijimin e dokumenteve të rreme zyrtare. Një rast i tillë ishte shpërndarja e një dokumenti të paraqitur si “dekret” i ish-presidentit Hashim Thaçi për tokën e Manastirit të Deçanit. Verifikimi i Hibrid.info tregoi se dokumenti nuk ishte autentik dhe përmbante shenja se ishte krijuar përmes mjeteve të inteligjencës artificiale.

Gjatë periudhave zgjedhore, imazhet e krijuara me IA janë përdorur edhe për propagandë politike, përfshirë pamje të rreme të mërgimtarëve që paraqiteshin duke votuar për një subjekt politik, si dhe imazhe të personave me veshje profesionale të shoqëruara me slogane elektorale.

Përveç politikës, këto teknika janë përdorur edhe në përmbajtje që lidhen me sigurinë dhe industrinë. Hibrid.info ka verifikuar raste në të cilat janë shpërndarë imazhe të rreme që pretendonin se paraqisnin fabrika të municioneve dhe dronëve në Kosovë, si dhe pamje të një sulmi të pretenduar ndaj policisë në Skenderaj.

Në fushën e sportit dhe në çështje sociale janë identifikuar gjithashtu përmbajtje të krijuara me IA, si imazhi që paraqiste futbollistin Lamine Yamal me trofeun e Kupës së Botës dhe gjyshen e tij, si dhe pamjet që pretendonin se tregonin transportimin e qenve endacakë në Fushë Kosovë, në të cilat shihej logoja e Google Gemini.

Fotomontazhi dhe editimi teknik

Fotomontazhi është një teknikë tradicionale e manipulimit vizual që përfshin ndërhyrjen në një fotografi ekzistuese përmes shtimit, heqjes ose zëvendësimit të elementeve. Ndryshe nga imazhet e krijuara plotësisht me IA, në këtë rast përdoret një fotografi reale si bazë, por përmbajtja e saj ndryshohet për t’i dhënë një kuptim tjetër.

Një nga rastet e identifikuara nga Hibrid.info ishte fotografia e manipuluar, në të cilën Albin Kurti paraqitej pranë ish-presidentit serb Sllobodan Millosheviq. Fotografia origjinale ishte shkrepur gjatë fjalimit të Millosheviqit në Beograd në vitin 1989, ndërsa figura e Kurtit ishte vendosur artificialisht në atë ambient.

Një tjetër shembull ishte fotografia e manipuluar e kryeministrit spanjoll Pedro Sánchez, ku atij i ishte vendosur një Kuran në duar, për të mbështetur një pretendim të rremë që lidhej me politikat fetare.

Nxjerrja nga konteksti

Një nga format më të zakonshme të manipulimit është përdorimi i fotografive reale, duke i vendosur ato në kontekstin e një ngjarjeje me të cilën nuk kanë lidhje. Në këtë rast, fotografia është autentike, por përshkrimi që e shoqëron është i pavërtetë.

Një shembull i trajtuar nga Hibrid.info lidhet me fotografitë e pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë luftës, të cilat kanale serbe në Telegram i kanë përdorur jashtë kontekstit për të mbështetur pretendime për të ashtuquajturën “Shtëpi të Verdhë”. Fotografitë paraqisnin trajtimin mjekësor të ushtarëve, përfshirë një fotografi në të cilën Time Kadrijaj shihej duke i ofruar trajtim mjekësor Agim Ramadanit, por ato u përdorën për të përforcuar narrativa të pabazuara rreth trafikimit të organeve.

Kornizimi mediatik (Framing)

Kornizimi selektiv ndodh kur një pjesë e një fotografie ose videoje zgjidhet dhe paraqitet pa kontekstin e plotë. Përmes prerjes së pamjes, shkëputjes së një kuadri nga videoja ose zgjedhjes së një këndi të caktuar, krijohet një interpretim që nuk përputhet me realitetin e plotë të ngjarjes.

Një rast i evidentuar nga Hibrid.info lidhet me një pamje nga Gazimestani, ku një polic shihej përballë një fëmije që qante. Pamja u përdor për të krijuar përshtypjen se polici po sillej në mënyrë agresive ndaj fëmijës. Megjithatë, videoja e plotë tregoi se polici në fakt po përpiqej ta qetësonte fëmijën dhe situata ishte krejtësisht ndryshe nga mënyra se si ishte paraqitur përmes pamjes së shkëputur.

Gjenerimi i ballinave të rreme të gazetave

Një formë tjetër e manipulimit vizual është krijimi i ballinave të rreme të gazetave ose pamjeve që imitojnë portalet, të cilat synojnë të duken si publikime të mediave reale. Përmes aplikacioneve dhe platformave online mund të krijohen lehtësisht pamje që imitojnë dizajnin dhe identitetin vizual të mediave të njohura.

Hibrid.info ka identifikuar raste në të cilat janë krijuar ballina të manipuluara, si ajo që imitonte gazetën gjermane “BILD” dhe e paraqiste Albin Kurtin me etiketime si “spiun serb” dhe “komunist”.

Një rast tjetër ishte një ballinë e rreme që imitonte gazetën serbe “Večernje Novosti”, në të cilën pretendohej se Beogradi e falënderonte Lumir Abdixhikun për zgjedhjet e parakohshme. Përmbajtja kishte gabime gjuhësore dhe emërtime të pasakta, të cilat tregonin se nuk ishte një publikim autentik.

Ripublikimi i imazheve të vjetra si pamje të ngjarjeve aktuale

Një tjetër metodë e keqinformimit është përdorimi i fotografive ose videove të vjetra duke i paraqitur ato si materiale që lidhen me ngjarje aktuale. Kjo teknikë shfrytëzon mungesën e verifikimit të datës dhe burimit të materialit vizual.

Një rast i trajtuar nga Hibrid.info ishte fotografia e vjetër e një grupi studentësh shqiptar në Danimarkë në të cilën shihej edhe Albin Kurti. Kjo fotografi u shpërnda nga mediat serbe me pretendimin e rremë se e paraqiste Kurtin me vajzën e një ish-ministri serb.

Po ashtu, një video e vjetër e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Mitrovicën e Jugut u përdor me pretendimin e rremë se tregonte lëvizje të FSK-së në veri të Kosovës.

Në kontekstin politik, një fotografi e vjetër e Bekim Jasharit pranë Bedri Hamzës u përdor për të pretenduar në mënyrë të rreme se dëshmonte mbështetjen aktuale të Jasharit për PDK-në.

Përfundim

Manipulimi i imazheve është një nga format e përhapura të keqinformimit bashkëkohor. Nga krijimi i fotografive tërësisht të rreme me inteligjencë artificiale deri te përdorimi i pamjeve reale jashtë kontekstit, këto teknika synojnë të ndikojnë në mënyrën se si publiku i percepton ngjarjet dhe aktorët shoqërorë e politikë.

Rastet e dokumentuara nga Hibrid.info tregojnë se imazhet nuk duhet të trajtohen automatikisht si dëshmi të realitetit. Verifikimi i burimit, kontrolli i kontekstit, përdorimi i mjeteve teknologjike për verifikim dhe zhvillimi i edukimit medial janë elemente thelbësore për parandalimin e përhapjes së narrativave të rreme përmes përmbajtjeve vizuale.

Raporto

Na ndihmoni të përmirësojmë duke na raportuar problemet ose sugjerimet tuaja

0 / minimum 10 karaktere