Në kanalin në gjuhën serbe “Građanska Neposlušnost” (Mosbindje Civile) në Telegram, është publikuar një video me pretendimin se ish-kryeministri Ramush Haradinaj dhe bashkëshortja e tij kanë marrë përsipër një projekt që lidhet me ekspozitën ndërkombëtare “EXPO 2027” që do të mbahet në Serbi.
Përmbajtja u publikua më 15 korrik e më pas edhe në TikTok nga llogaria me të njëjtin emër.
E videoja u publikua edhe në grupin “51% me Albinin” në Facebook.
Çka nuk shkon me publikimin?
Në video pretendohet të shfaqen ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, bashkëshortja e tij Anita, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me uniforma pune. Megjithatë përmbajtja del të jetë gjeneruar me inteligjencë artificiale.
Për më shumë, nuk janë paraqitur fakte që ndërlidhin emrin e Haradinajt me ekspozitën ndërkombëtare EXPO 2027, që do të mbahet në Beograd.
Sipas pretendimit, puna e përgatitjes së infrastrukturës në Surçin të Beogradit “i është dhënë një kompanie, prapa të cilës është përgjegjëse direkt Anita Haradinaj, gruaja e ish-liderit të UÇK-së, Ramush Haradinaj”. Madje sipas videos, “të dy janë themeluesit”.
Aty është përmendur se “kjo u bë e mundur nga lex specialis”, që është kornizë ligjore e hartuar për të shmangur prokurimin publik në mënyrë që të arrihen afatet kohore për ekspozitën ndërkombëtare.
Publikimi Haradinajt i referohet si ish-udhëheqës i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) si narrativ për “tradhti nga Vuçiqi”.
Në video pretendohet se “Vuçiqi dhe Ramush Haradinaj po i ndajnë miliardat”.
Megjithatë, në publikim nuk përmendet ndonjë kompani e caktuar për të cilën është thënë se ka fituar projekt dhe se është kompani e Haradinajt. Aty është përfshirë një fotografi nga deklarimi i pasurisë i Haradinajt për vitin 2021. Në këtë deklarim, ishte theksuar një kompani e përbashkët me bashkëshorten. E njëjta kompani është përmendur edhe në deklarimin e bërë sivjet (shih këtu).
Përderisa ka kontrata që është raportuar se u janë dhënë kompanive për EXPO 2027, pa tenderë tradicionalë publikë, është zor të gjendet një listë me të gjitha kompanitë fituese. Gjithsesi, nuk ka pasur raportime kredibile për ndërlidhje të Haradinajt me diçka të tillë. Një kërkim në Google me fjalët “Ramush Haradinaj EXPO 2027” nuk çon në artikuj të tillë.
Hibrid.info e ka verifikuar pjesën e parë të videos në platformën për detektim të përmbajtjeve të gjeneruara me inteligjencë artificiale “Hivemoderation”. Aty ka rezultuar se videoja, por edhe audioja, kanë rezultuar në shkallë të lartë të mundësisë së gjenerimit me IA.

Analiza:
Një video e publikuar në kanalin serbisht “Građanska Neposlušnost” në Telegram, e shpërndarë më pas edhe në TikTok në llogarinë me të njëjtin emër, por edhe në grupin “51% me Albinin” në shqip në Facebook, pretendon se Ramush Haradinaj dhe bashkëshortja e tij Anita janë të përfshirë në një projekt të lidhur me EXPO 2027 në Beograd.
Verifikimi tregon se pretendimi është i pabazuar.
Videoja dhe audioja janë gjeneruar me inteligjencë artificiale, ndërsa nuk paraqitet asnjë provë që Haradinaj apo bashkëshortja e tij kanë lidhje me ndonjë kontratë për EXPO 2027.
Edhe pse në Serbi është raportuar për dhënie kontratash për projektin pa procedura të zakonshme të prokurimit, nuk ka raportime kredibile që i lidhin Haradinajt me këto projekte.
Përmendja e një kompanie të deklaruar në formularët e pasurisë së Haradinajt nuk dëshmon përfshirje në EXPO 2027.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Lajm i rremë”.
Arsyetimi
Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato përmbajtje informative që janë tërësish të sajuara apo të cilat në vete përmbajnë pretendime ose informacione faktikisht të gabuara. Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.