Gjatë periudhës së monitorimit 20–25 korrik, artikujt me tituj clickbait dominuan hapësirën keqinformuese. Përmbajtjet e tilla përdorën tituj sensacionalë dhe shpesh mashtrues për të tërhequr vëmendjen e audiencës dhe për të nxitur klikimet, ndërsa në disa raste përmbajtja e artikullit nuk përputhej me pretendimet e paraqitura në titull.
Gjatë periudhës së monitorimit 20–25 korrik, përmbajtjet clickbait u publikuan kryesisht në Facebook, përmes faqeve “Gazeta Minuti”, “Gazeta Diaspora” dhe “Trendi.info”, dhe trajtuan tema të ndryshme, përfshirë raste vrasjesh jashtë territoreve shqipfolëse, anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe zhvillimet politike lidhur me zgjedhjen e presidentit. Titujt dhe mbishkrimet e këtyre përmbajtjeve ishin formuluar në mënyrë sensacionale ose të paqartë, duke lënë hapësirë për keqinterpretime. Ndër rastet e identifikuara, “Gazeta Minuti” publikoi përmbajtje për vrasje të ndodhura në Meksikë dhe Turqi, pa specifikuar vendndodhjen në tituj, ndërsa “Gazeta Diaspora” dhe “Trendi.info” paraqitën një deklaratë të kongresmenit amerikan Keith Self si qëndrim të Kongresit amerikan për anëtarësimin e Kosovës në NATO. Po ashtu, “Gazeta Minuti” publikoi një përmbajtje që sugjeronte se LVV kishte bërë të ditur kandidatët për president, ndonëse artikulli vetëm raportonte deklarata të Arbërie Nagavcit për persona potencialë për këtë post.
Përmbajtjet mashtruese dhe ato që manipulonin faktet u shpërndanë kryesisht në Facebook dhe në portale online, duke trajtuar tema sportive dhe zhvillime të ndjeshme politike e juridike. Një rast mashtrimi lidhej me një imazh të Lamine Yamalit, i publikuar nga faqet “Fakt Futboll” dhe “Favorit Zone”, ku pretendohej se futbollisti spanjoll kishte dërguar trofeun e Kupës së Botës te gjyshja e tij, ndërsa analiza e Hibrid.info tregoi se imazhi mund të jetë i gjeneruar nga inteligjenca artificiale. Ndërkaq, rastet e manipulimit të fakteve u publikuan nga “GazetaMetro.net”, “TRT Ballkan” dhe në Facebook nga llogaritë “B. Cogdell” dhe “Kosova Today”, duke pretenduar se Hashim Thaçit i ishte refuzuar kërkesa për lirim me kusht. Megjithatë, në atë kohë dihej vetëm se Zyra e Prokurorit të Specializuar e kishte kundërshtuar kërkesën, ndërsa vendimi përfundimtar i takonte gjykatës.
Narrativat konspirative u përhapën kryesisht përmes mediave serbe, duke u fokusuar në praninë dhe të ardhmen e misionit të KFOR-it në Kosovë. Pas paralajmërimit të NATO-s për optimizimin dhe zvogëlimin gradual të pranisë së KFOR-it, disa media serbe promovuan pretendime se ky proces mund të çojë drejt tërheqjes së plotë të misionit dhe transferimit të përgjegjësive të sigurisë te institucionet e Kosovës. Në këto narrativa, largimi i mundshëm i KFOR-it nga ura mbi Ibër dhe Manastiri i Deçanit u paraqit si “dritë e gjelbër” për vazhdimin e pretenduar të “spastrimit etnik” të serbëve, ndërsa Policia e Kosovës u portretizua si kërcënim për komunitetin serb dhe Kishën Ortodokse Serbe. Megjithatë, këto pretendime nuk përputhen me qëndrimin e NATO-s, e cila ka sqaruar se bëhet fjalë për optimizim gradual të pranisë së KFOR-it, të bazuar në vlerësimet e sigurisë dhe situatën në terren, ndërsa misioni vijon të ketë mandat aktiv në Kosovë.
Clickbait
Faqja në Facebook “Gazeta Minuti” ka publikuar dy postime për raste vrasjesh pa e bërë të ditur në tituj se ngjarjet kanë ndodhur jashtë territoreve shqipfolëse. Pasi kjo faqe publikon përmbajtje në gjuhën shqipe, titujt dhe imazhet e përdorura kanë lënë të hapur mundësinë që të keqinterpretohet sikur rastet kanë ndodhur në territore shqipfolëse. Vetëm pas klikimit në vegëza bëhet e qartë se ngjarjet kanë ndodhur në Meksikë dhe Turqi. Kjo mënyrë e paraqitjes ka çuar në keqinterpretime nga një pjesë e komentuesve në Facebook. (këtu)
Publikohen përmbajtje me mbishkrimin dhe titullin “Lajm i madh vjen nga Uashingtoni: Kongresi amerikan kërkon antarësim e Kosovës në NATO”. Përmbajtjet në këtë mënyrë janë publikuar të hënën (20 korrik), në Facebook, në faqet me emrat “Gazeta Diaspora” dhe “Trendi.info”. Titulli nuk specifikon se bëhet fjalë për një deklaratë të një kongresmeni. Formulimi i tillë krijon përshtypjen se Kongresi amerikan, si organi legjislativ i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka marrë një vendim zyrtar ose ka shprehur një qëndrim institucional në mbështetje të anëtarësimit të Kosovës në NATO. Megjithatë, informacioni i paraqitur në përmbajtje lidhet me deklaratën e kongresmenit Keith Self, kryetar i Nënkomisionit për Evropën në Komisionin e Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së. (këtu)
Publikohet një imazh me mbishkrimin “LVV tregon kush janë kandidatët për President”. Kjo përmbajtje është publikuar të martën (21 korrik) në Facebook, nga faqja me emrin “Gazeta Minuti”. Mbishkrimi i tillë krijon përshtypjen se Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka bërë të ditur emrat e kandidatëve për postin e presidentit. Përmbajtja e artikullit nuk sjell emra konkretë të kandidatëve për këtë pozitë, por vetëm raporton deklaratat e Arbërie Nagavcit se LVV ka persona që do të mund të ishin të denjë për postin e presidentit. (këtu)
Teori konspirative
Pas paralajmërimit të NATO-s për optimizimin dhe zvogëlimin gradual të pranisë së KFOR-it në Kosovë, disa media serbe kanë promovuar pretendime se kjo nënkupton transferimin e sigurisë te institucionet e Kosovës dhe mund të çojë drejt tërheqjes së plotë të KFOR-it. Këto narrativa janë përforcuar me spekulime se largimi i KFOR-it nga ura mbi Ibër dhe Manastiri i Deçanit do t’i jepte “dritën e gjelbër” përfundimit të “spastrimit etnik” të serbëve, ndërsa Policia e Kosovës paraqitet si kërcënim për komunitetin serb dhe Kishën Ortodokse Serbe. Megjithatë, NATO ka sqaruar se bëhet fjalë për optimizim gradual të pranisë së KFOR-it, bazuar në vlerësimet e sigurisë dhe kushtet në terren, dhe se misioni vazhdon të ketë mandat aktiv, ndërsa çdo ndryshim mund të rishikohet nëse situata e sigurisë përkeqësohet. (këtu)
Mashtrim
Është publikuar një imazh, ku shihet Lamine Yamal, futbollisti i kombëtares së Spanjës, pranë një gruaje më të moshuar, e cila është e veshur me një bluzë të kuqe dhe mbulesë koke tradicionale, si dhe pranë një vajze më të re me flokë të çelura, të veshur me një bluzë të bardhë dhe xhinse. Të tre shfaqen duke e mbajtur në duar trofeun e Kupës së Botës, me mbishkrimin që pretendon se futbollisti spanjoll, e ka dërguar çmimin e fituar, gjyshes së tij. Kjo përmbajtje në gjuhën shqipe, është publikuar të martën (21 korrik) në Facebook, në faqet me emrat “Fakt Futboll” dhe “Favorit Zone”. Megjithatë, hibrid.info gjeti se ky imazh mund të jetë i gjeneruar nga inteligjenca artificiale (IA). (këtu)
Manipulim i fakteve
Janë publikuar përmbajtje ku pretendohet se Hashim Thaçit, ish-presidentit të Kosovës, i është refuzuar kërkesa për lirim me kusht nga paraburgimi në Gjykatën Speciale. Përmbajtjet me këtë pretendim janë publikuar të mërkurën nga mediat “GazetaMetro.net” dhe “TRT Ballkan” si dhe në Facebook nga llogaria me emrin “B. Cogdell” dhe nga faqja me emrin “Kosova Today”. Ajo që dihet është seThaçi kërkoi lirimin me kusht nga paraburgimi, duke ofruar dorëzani 50 mijë euro. Megjithatë, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka kundërshtuar këtë kërkesë të mbrojtjes së ish-presidentit të vendit. E kundërshtimi i ZPS-së nuk është vendim final. Vendimet i merr gjykata. (këtu)